Të ardhurat në Shqipëri nuk ndahen në mënyrë të barabartë mes qytetarëve dhe kjo diferencë është rritur edhe më shumë gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të Eurostat.

Në raportin e fundit, Koeficienti Gini që mat pabarazinë e të ardhurave arriti në 30.4 pikë në Shqipëri, nga 29.8 pikë që ishte vitin e mëparshëm, apo 1.2 pikë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, prej 29.2.

Për 2025-ën, ky tregues në BE rezulton me një ulje të lehtë me me 0.2 pikë krahasuar me vitin 2024.

Të njëjtën situatë konfirmojnë edhe të dhënat zyrtare të INSTAT. Sipas Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës, të publikuar në tetor, koeficienti Gini u rrit nga 29.83% në vitin 2024 në 30.37% në vitin 2025. Kjo ndodhi edhe pse të ardhurat mesatare të disponueshme për frymë u rritën me 10.5%. Pra, rritja e të ardhurave mesatare nuk është shoqëruar me një shpërndarje më të barabartë të tyre.

Në Bashkimin Europian, diferencat mes vendeve janë të dukshme. Bullgaria regjistroi nivelin më të lartë të pabarazisë, me koeficientin Gini 37.7, e ndjekur nga Letonia me 35.6 dhe Lituania me 35.5. Në krahun tjetër, Sllovakia kishte treguesin më të ulët, me 23.0, e ndjekur nga Belgjika me 23.4 dhe Çekia me 24.0.

Koeficienti Gini mat se sa të mëdha janë diferencat mes të ardhurave të qytetarëve. Sa më i lartë të jetë numri, aq më e madhe është pabarazia.