Vendet e Bashkimit Evropian lëshuan një numër rekord lejesh të para qëndrimi për shtetasit e vendeve jashtë unionit gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të Eurostat, në total u dhanë rreth 3.9 milionë leje, 10.1% më shumë se një vit më parë, ose mbi 355 mijë leje shtesë krahasuar me vitin 2024.
Punësimi ishte arsyeja kryesore për dhënien e këtyre lejeve, duke zënë 33.6% të totalit dhe duke shënuar një rritje prej 16.1% krahasuar me një vit më parë. Bashkimi familjar renditet i dyti me 28.1% të lejeve dhe një rritje prej 14.1%, ndërsa lejet për studime arritën në 15.5% të totalit, me një rritje prej 9%. E vetmja kategori që shënoi rënie ishte ajo e lejeve të dhëna për arsye të tjera, ku përfshihet edhe mbrojtja ndërkombëtare.
Spanja ishte vendi që lëshoi më shumë leje të para qëndrimi në të gjithë BE-në, me 635.438, ose 16.5% të totalit. Pjesa më e madhe e tyre u dhanë për bashkim familjar, me mbi 275 mijë leje, më shumë se çdo vend tjetër i unionit. Marokenët përbënin grupin më të madh që përfitoi nga kjo kategori dhe më shumë se gjysma e tyre morën leje pikërisht në Spanjë.
Pas Spanjës renditen Gjermania me 605.292 leje, Polonia me 467.314, Italia me 433.099 dhe Franca me 377.462. Së bashku, këto pesë vende lëshuan pothuajse dy të tretat e të gjitha lejeve të para të qëndrimit në Bashkimin Evropian gjatë vitit 2025.
Në raport me numrin e popullsisë, Malta ishte vendi me më shumë leje qëndrimi të lëshuara, me 57 për çdo 1 mijë banorë, e ndjekur nga Qipro dhe Portugalia. Në krahun tjetër, Sllovakia, Çekia, Rumania, Estonia dhe Bullgaria regjistruan normat më të ulëta.
Jo të gjitha vendet shënuan rritje. Kroacia regjistroi rënien më të madhe të lejeve të reja, me 43.3% më pak se në vitin 2024, e ndjekur nga Greqia dhe Austria. Ndërkohë, Portugalia ishte vendi me rritjen më të madhe, pasi numri i lejeve u rrit me 154.9% brenda një viti.
Sipas kombësisë, ukrainasit morën numrin më të madh të lejeve të para të qëndrimit në BE, me 335.096 në total, ose 8.7% të të gjitha lejeve të lëshuara. Më pas vijnë shtetasit e Indisë dhe Marokut. Deri në fund të vitit 2025, në vendet e Bashkimit Evropian ishin në fuqi 27.8 milionë leje qëndrimi, numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë.








Komente
Komento