Nuk njeh kufi skandali i fiksimit të basteve në Itali, pas hetimeve që ka filluar prokuroria e Kremonës, një tjetër hetim ka hapur edhe prokuroria e Xhenoas. Hetuesit kanë hedhur dyshime për fiksim të rezultatit të ndeshjes Xhenoa - Sampdoria të dy sezoneve më parë. Për këtë nën hetim janë Criscito dhe Palacio.
Kundër dy futbollistëve që para dy sezoneve luanin bashkë për ngjyrat e Xhenoas, nisi hetimi pas të dhënave që prokurorët e Xhenoas morën nga kolegët e tyre të Kremonas që janë në hetim e sipër. Përveç këtyre dy emrave, nën hetim janë edhe Milanetto, Dainelli dhe kreu i tifozëve ultras të kuqebluve, Massimo Leopizzi.