Themelohet Muzeu i Kulturës Françeskane, prania 800-vjeçare në Shqipëri

Themelohet Muzeu i Kulturës Françeskane, prania 800-vjeçare në Shqipëri

Kur flasim për lidhjen historike, fetare dhe kulturore midis urdhrit françeskan dhe popullit shqiptar, gjendemi përballë një historie e marrëdhënieje 800-vjeçare, të pandërprerë. Prania në Shqipëri e Urdhrit të Fretërve Minorë, i njohur gjerësisht si Fretërit Françeskanë, përkon me themelimet e para të bashkësive fetare nga Shën Françesku i Asizit jashtë gadishullit italian. Në këtë kontekst duhet të vendosen një sërë traditash dhe gojëdhënash, të cilat flasin për një ardhje të Shën Françeskut në Lezhë në vitin 1219 dhe për një prani të fretërve françeskanë në këtë qytet që prej vitit 1240.  

Prania e parë e rëndësishme e dokumentuar historikisht është ajo e Fratit Giovanni da Pian del Carpine, një françeskan i gjeneratës së parë, shoqërues i Shën Françeskut. E gjejmë, në të vërtetë, si ipeshkëv të Antivarit (Tivar) nga 1248 më 1252. Kontributi i tij më i rëndësishëm lidhet me zgjidhjen përfundimtare të mosmarrëveshjes së gjatë mbi juridiksionin metropolitan të dioqezave në Shqipërinë e Veriut në favor të Antivarit dhe kundër pretendimeve të Raguzës (Dubrovnik), fakt që ka ndihmuar deri në ditët e sotme, për ruajtjen e karakterit shqiptar të të gjithë rajonit kishtar. Ndërsa, dokumenti i parë arkivor (një testament i vitit 1283), dëshmon për praninë e qëndrueshme të Fretërve Minorë në kuvendet e Kotorrit, Antivarit, Ulqinit, Durrësit. I gjithë shekulli pasardhës do të ishte periudha e lulëzimit të madh të pranisë françeskane sidomos në qytetet bregdetare dhe në Mbretërinë e Arbërit të dominimit të dinastisë Anzhu, e lidhur tradicionalisht me Urdhrin françeskan.

Me kapitullimin e Shkodrës dhe Krujës, nw fundit e shekullit XV fillon periudha e gjatë e dominimit të Perandorisë Osmane. Dokumentohet një dobësim i madh i institucioneve të Kishës Katolike, përfshirë edhe Urdhrin e Fretërve Minorë përgjatë shekullit XVI. Në 1585, mbesin vetëm rreth 40 fretër në 5 kuvende dhe ajo që ishte Provinca e Maqedonisë u reduktua në një kujdestari të varur nga Ministri Gjeneral.

Perspektiva të reja hapen duke filluar nga viti 1622, viti i themelimit në Romë të Kongregatës së Propagandës Fide, një institucion përmes të cilit qendra e Kishës Katolike fillon të kujdeset për mbështetjen e veprimtarisë misionare edhe në vendet nën sundimin turk, duke dërguar  kontributeve ekonomike dhe mbi të gjitha njerëzore: priftërinj dhe hierarkë  religjiozë. Kështu për shembull, gjatë viteve 1628-1675 në Pllanë,  në Kuvendin e Shnda Ndout ishte aktive një shkollë në të cilën mësohej në shqip. Ndërsa në vitin 1634 mbërrijnë  në dioqezën e Sapës misionarët e parë Françeskanë të Reformacionit të dërguar nga Propaganda Fide. Prej aty, ata do të hyjnë në Dukagjin dhe në Malësinë e Madhe.

Më 1861, pas katër shekujsh e gjysmë, Fretërit Minorë u kthyen në Shkodër për të vijuar punën në shkollën fillore të themeluar nga peshkopët e Shkodrës. Kjo do të shënonte bërthamën e parë të asaj që më vonë u bë qendra e formimit kulturor të fretërve françeskanë si në lidhje me jetën kishtare ashtu edhe me jetën shoqërore. Premisa për gjithë zhvillimin e mëvonshëm është themelimi i Kolegjit Serafik në Troshan në vitin 1882. Në këtë institucion u formua brezi i madh i françeskanëve që la gjurmë të pashlyera në jetën shpirtërore, kulturore dhe shoqërore të Shqipërinë në gjysmën e parë të viteve '900, prej të cilëve spikat emri, jeta dhe vepra e At Gjergj Fishtës. Zhvendosja e Kolegjit Serafik nga Troshani në Shkodër në 1898 e bën Kuvendin e  Gjuhadolit qendrën kryesore shkollore dhe kulturore të Françeskanëve, me një dinamizëm mbresëlënës. Gjatë viteve 1920-1944 kontributi kulturor, shoqëror, fetar i etërve françeskanë është me vlera mbarëkombëtare, si në arsim, botime, arte, dije albanologjike, filozofi, teatër, muzikë, muzeologji etj.

Viti 1945 shenjon fillimin e Kalvarit për Kishën Katolike dhe për Françeskanët shqiptarë. Provinca kishtare përbëhej 95 fretër: 2 ipeshkëv, 63 priftërinj, 5 fretër laik, 16 studentë për fretër, 9 novicë, të shpërndarë në 4 kuvende dhe në 37 famulli. Mes viteve 1945 dhe 1946, regjimi komunist shtypi të gjitha institucionet edukuese e arsimore dhe nisi një seri arrestimesh tragjike, gjyqesh, ekzekutimesh, burgjesh dhe internimesh ne kampe pune. Prania françeskane, edhe pse e çrrënjosur nga kuvendet, mbijetoi nëpër famulli deri në shkurt 1967, kur me shpalljen e ateizmit shtetëror, çdo aktivitet fetar u shpall i jashtëligjshëm. Bilanci tragjik i paguar nga françeskanët në këto vite rezulton: 14 fretër u pushkatuan ose vdiqën si pasojë e torturave dhe keqtrajtimit, 32 u dënuan me burgim të përjetshëm, 27 të tjerë kaluan vite të tëra në kushtet e tmerrshme të kampeve së punës.

Njëri prej tyre, At Zef Pllumi, i mbijetuar, na la një dëshmi të vyer autobiografike në trilogjinë: “Rrno vetëm për me tregue”, që në vitin 2006 fitoi edhe çmimin letrar “Penda e Artë”.

Në vitin 2016, Monsignor Vinçenc Prennushi dhe 7 martirë të tjerë u shpallën të lumë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Fier/ Makina përplas të moshuarin, 71 vjeçari rëndë në spital

Fier/ Makina përplas të moshuarin, 71 vjeçari rëndë në spital