Ai qëndron i qetë dhe serioz. Ngadalë ngadalë, hyjmë në botën e kujtimeve të këtij doktori gati shekullor, duke nisur prej të viteve të largëta të universitetit në Romë, ku ai u diplomua në pediatrinë kirurgjikale e deri në ditët e sotme, ku jo pak herë ndjen trishtim teksa sheh mjekët e rinj. Ai nuk flet shumë për kohën e luftës, por nuk e mohon se është kthyer në 1942 është kthyer nga Italia në përgjigje të thirrjes së intelektualëve shqiptarë për të ndihmuar vendin nga pushtimi fashist.
Punoi fillimisht në spitalin ushtarak të Tiranës, e më pas në atë civil. Përkrah ka pasur një mjeke të shquar ruse, Kazanovën, e cila për shumë vite kishte qenë mjeke personale e Leninit, udhëheqësit të Revolucionit të Tetorit. Leninit?! Çudia dhe interesi janë në maksimum, dhe etja për të mësuar si ka mundësi. “Profesoresha e famshme ruse ishte e moshuar dhe kishte ardhur në Shqipëri për të ndihmuar mjekët tanë, menjëherë pas çlirimit.
Ishte shumë e zonja. Ka qenë një fat për mua, sepse kam mësuar shumë prej saj”, tregon ngadalë doktori. Po për Leninin, për Leninin, pyetja sa nuk shpërthen nga goja. Dhe doktori zemërmirë nuk na e zgjat më ankthin dhe na shuan kureshtjen duke na treguar një histori të Kazanovës me Leninin, të cilit i kishte shërbyer për gati dhjetë vjet, ashtu si ia kishte përshkruar ajo. “Në vitin 1918 në Taraskovë, atje ku bënte pushimet Lenini, kishte shumë mushkonja dhe ai ngrihet një mëngjes i buhavitur i gjithë.
Lenini mu drejtua, shih çmë kanë bërë të mallkuarat, më kanë grirë fare. Urdhëruam shoferin e tij, Gilin, se do të largoheshim me urgjencë që aty. U nisëm për në Barvihë, një kodër e pyllëzuar afër lumit Moska. Gjatë kohës që i mjekoja plagët e mushkonjave, befas m’u drejtua duke më thënë, më trego diçka për jetën tënde…”. Kaq i kishte thënë mjekja personale e Leninit, doktorit shqiptar, duke ia lënë enigmë vazhdimin e kësaj bisede me udhëheqësin e parë sovjetik, por duke i shtuar se ai ishte shumë i dashur.
“Ajo e mjekonte Leninin nga një luahatje tensioni, e shoqëruar me aritmi në zemër”, shton doktori. Nuk e ngacmojmë më për Leninin. Ai ka edhe një rast tjetër për të treguar me mjeken e famshme ruse. “Në spitalin e Tiranës vjen një djalë 6 vjeç nga Dunica e Mokrës, me emrin Çelnik, mbiemrin nuk e kujtoj dot. Kishte një sëmundje tepër të rrallë, barkun e kishte të enjtur. Së bashku me Kazanovën e mjekuam për tre muaj, duke përdorur edhe metodat më të fundit shkencore, por përmirësimi ishte i pakët dhe i pakënaqshëm për ne.
Tek koka e krevatit të djalit, terapia që shënohej përditë arriti në gati 2 metra. Ajo çuditej me këmbënguljen time. Isha tepër i ri në fakt në atë kohë. Por rezultatet erdhën. Djali nisi të ketë një përmirësim të dukshëm. Ai ishte një djalë tiranas dhe sot e quajnë një doctor të Pogradecit. “U emërova në këtë qytet. Në 9 gusht të 1958 mbërrita këtu, dhe u bëra rob I kësaj mrekullie, i njerëzve të këtij qyteti. Në atë kohë këtu ishte vetëm një mjek, dr.Misto Marko.
Mortaliteti i fëmijëve ishte i lartë. Të paushqyer mirë, fëmijët vdisnin si mizat”, tregon me dhimbje doktori jetën e tij të re si mjek pediatër në qytetin e vogël. Ai kishte nisur me passion dhe përkushtim, duke e gdhirë gati çdo ditë në spital. Punonte nga 16-18 orë në ditë. “Në dimrin e 1963 në Mokër nuk mund të shkonte ambulance. Udhëtova 6 orë në këmbë duke çarë borën dhe arrita të shpëtoj një foshnjë vetëm 6 javëshe”, thotë ai dhe sytë i shkëlqejnë.
Por jo vetëm dora e mjekut, ka qenë edhe zemra e shpirti I tij që kanë luftuar për fëmijët. Jo pak herë ai u blinte fëmijëve ilaçe dhe rroba me rrogën e tij…”Eh ishin kohë të tjera”, thotë doktori Jorgoni. Ai nuk i krahason dot me kohët e sotme kur mjekët gati gati nuk kanë fare shpirtin e mjekut, kur i gjen me makina luksoze e me disa vila. Ndërsa shtëpia e tij është ende me mobilimin e kohës së para 90, një shtëpi e thjeshtë.
“Më mjafton mirënjohja e njerëzve”, thotë doktori 95 vjeçar. Për të dy, janë njerëzit që duhet të zgjidhen me kujdes, e jo alabakë siç i quan ai, mjeku dhe mësuesi. “Sepse këta janë figura të nderuara që kanë në dorë mendjen dhe shëndetin”. Doktori sot jeton gati i vetëm. Dy fëmijët, dy djemtë i ka në Kanada së bashku me familjet e tyre, sepse ai tashmë është stërgjysh. Ndërsa e shoqja, Vitoria i ka vdekur para pak muajsh.
“Nuk humba bashkëshorten, humba shoqen time”, shpreh dhimbjen e tij doktori i moshuar. Ai ka shkuar edhe në Kanada tek fëmijët, nipët e stërnipët, “por zemrën e kam këtu, në Pogradec”, thotë doktori, i dekoruar Mjeshtër i Punës në 1984. Miqtë e tij kanë qenë të shumtë…Duam të vazhdojmë bisedën, por, “Do të shkoj pak tek ai fëmija i sëmurë, nëna e të cilit trokiti në derë, është këtu komshi”, ma prêt doktori. Nuk e pengojmë më në pasionin e tij të pashuar edhe në moshën 95 vjeçare. Një jetë e panjohur, por e mbushur me mirënjohja për mijëra njerëz pot ë panjohur.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 06.07.2013
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)