TIRANË - Ndërsa ka kaluar më shumë se 1 muaj nga skandali i vjedhjes së thesarit të BSH-së, listës së 10 personave të akuzuar si të përfshirë në këtë ngjarje pasditen e sotme i janë shtuar edhe 7 emra të tjerë të cilët janë anëtarë të komisionit të inventarizimit në BSH.

Sipas relacionit të Prokurorisë së Përgjithshme, Gentjan Jahja, Emiljano Lamçe, Bahri Allushi, Medi Marku, Mehdi Molla, Fatbardha Gurthi dhe Ilir Dedja nuk kanë raportuar për diferenca të parave në 8 arkat e dëmtuara, gjë që ka qenë lehtësisht e verifikueshme. Por, ata kanë deklaruara se gjithçka ka qenë në rregull, duke lejuar në këtë mënyrë vazhdimësinë e vjedhjes së thesarit të bankës qendrore deri më 21 korrik 2014. 

Mësohet se ata janë ndaluar nga ana e policisë për t’u marrë në pyetje në lidhje me skandalin e vjedhjes së thesarit.

PDF/Informacioni i Prokurorisë së Tiranës për urdhër-ndalimet 

Bëhet e ditur se këta 7 persona akuzohen për shpërdorim detyre. Ndërkohë që mësohet se Prokuroria ka edhe dyshime se vjedhja është kryer në bashkëpunim, pasi këta persona kanë firmosur se gjendja në arkën në veprim për vitet 2011-2013 ka qenë në rregull. Ndërkohë që vetë Bitraj ka pranuar se shumën prej 713 milionë lekë ka filluar t'i marrë nga thesari dhe arka në veprim prej vitit 2012. 

Efektivët e policisë kanë pritur që punonjësit e arrestuar të mbaronin turnin para se t’i vinin në pranga 5 prej tyre dhe kanë pritur rreth 1 orë për të ndaluar edhe 2 të tjerët të cilët kanë qenë në një mbledhje brenda ambienteve të BSH-së.

Deri tani janë arrestuar dhe ndodhen në qeli 10 persona  
Nga dita e parë kur është publikuar skandali janë arrestuar dhe ndodhen në qeli pas masës së caktuar nga Gjykata e Tiranës 10 persona, 8 prej të cilëve akuzohen për shpërdorimit detyre, ndërsa Ardian Bitraj, me detyrë përgjegjës i zyrës së stokut të Thesarit akuzohet për vjedhje, krim të cilin ai e ka pranuar. I 10-ti është i nipi i Ardian Bitrajt.  

1. Ardian Bitraj-Me detyrë përgjegjës i zyrës së stokut të Thesarit, i cili akuzohet për vjedhje 
2. Dorian Çollaku, Drejtor i Thesarit
3. Mimoza Bruzia- punonjëse në Departamentin e Emisionit
4. Petrit Ramohitaj, me detyrë pergjegjës i arkës në veprim, në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë,
5. Liljana Tusha, me detyrë specialiste e arkës në veprim, pranë Deprtamentit të Emisionit në Bankën e Shqipërisë,
6. Lavdim Cani, me detyrë specialist i arkës stok(tranzit) pranë Deprtamentit të Emisionit në Bankën e Shqiperisë,
7. Myzejen Belba, me detyrë specialiste e arkës stok(tranzit) pranë Deprtamentit të Emisionit në Bankën e Shqipërisë,
8. Dhimiter Davidi, me detyrë vëzhgues-operator, pranë departamentit të sigurimit dhe mbrojtjes në Bankën e Shqipërisë.
9. Bashkim Xhilaga, Shef i arkës stok dhe në veprim
10. Klevis Bejtja, nipi i Ardian Bitrajt, jo punonjës i Bankës