TIRANE - Është zhvilluar ditën e sotme e dytë gjyqësore ndaj 15 ish-punonjësve të BSH-së të akuzuar për shpërdorim detyre lidhur me skandalin e vjedhjes së  713 milionë lekëve në thesarin e Bankës së Shqipërisë.  Në seancën e sotme, Gjykata Tiranës ka dëgjuar kërkesat e bëra nga të pandehurit, ku 10 prej tyre kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, duke pranuar në këtë mënyrë edhe akuzën e ngritur ndaj tyre.

Madje i pandehuri Bashkim Xhilaga veç kërkesës së gjykimit të shkurtuar ka paraqitur kërkesën edhe për lirinë nga burgu. Sakaq, dy të pandehur të tjerë kanë kërkuar ndarje të çështjes, ndërsa 3 të tjerë nuk kanë paraqitur asnjë kërkesë.

Të pandehurit, ish-punonjës dhe zyrtarë të Bankës së Shqipërisë,  mes të cilëve edhe ish-Kryeinspektorja Elivar Golemi dhe ish-Drejtori i Emisionit të Parasë në Thesarin e Shtetit, Dorian Çollaku ishin prezent sot në gjykatë.
 
Konkretisht ish-Inspektorja e BSH, Golemi, e cila fitoi lirinë pak ditë më parë nga Gjykata e Lartë, përmes avokatit të saj mbrojtës Fatos Shanaj ka kërkuar ndarjen e çështjes së klientes së tij nga të pandehurit e tjerë. Sipas avokatit Shanaj nuk ka asnjë arsye ligjore që procedimi ndaj Golemit të bëhet bashkë me 14 të akuzuarit e tjerë.
 
Të njëjtën kërkesë ka kërkuar edhe i pandehuri tjetër Petrit Ramohitaj me detyrë përgjegjës i arkës në veprim në BSH.
 
Ndërsa Bashkim Xhilaga, me detyrë shef i arkës stok në veprim në Bankën e Shqipërisë, përmes avokatit të tij kërkoi lirimin nga burgu. Sipas avokatit, Xhilaga është shkarkuar nga detyra më 1 gusht të këtij viti, dhe në këtë mënyrë, nuk mund të ndikojë në prishjen e provave duke mos qenë më në detyrë.
 
Gjithashtu Xhilaga së bashku me 8 të pandehur të tjerë, mes të cilëve ish-Drejtori i Emisionit Dorian Çollaku dhe ish-punonjësit Lavdim Cani, Myzejen Belba, Liljana Tusha, Dhimitër Davidi, Gentjan Jahja, Fatbardha Gurthi, Bahri Allushi si dhe Bedri Marku kanë paraqitur kërkesën e tyre për gjykim të shkurtuar.
 
Por kërkesa e Xhilagës është hedhur poshtë nga ana e Prokurorit të çështjes Ramadan Troci i cili nga ana e tij ka kërkuar rrëzimin e kërkesës për lirimin e Xhilagës. Por Prokurori Troci ka kërkuar që gjykata të pranojë kërkesën e 10 të pandehurve për gjykim tëe shkurtuar. Gjithashtu Troci ka paraqitur edhe kërkesën për ndarje të çështjes për 5 të pandehur.
 
Sakaq të pandehurit Ilir Dedja, Emiljano Lamçe, dhe Mehdi Molla nuk kanë paraqitur asnjë kërkesë përpara trupit gjykues. Në përfundim të marrjes së kërkesave, gjykata e Tiranës, mori vendimin për të shtyrë seancën e sotme.
 
Vendimi pritet të merret nga gjykata të enjten e ardhshme të 4 dhjetorit, ku do të shqyrtohen kërkesat e të pandehurve. Kjo është seanca e dytë tek Dhoma Penale e Gjykatës së Tiranës, për vjedhjen e BSH.
 
Për skandalin e Bankës së Shqipërisë ku u vodhën 713 milionë lekë, Prokuroria mori të pandehur 19 persona. Hetimet mbeten ende të hapura për 4 prej tyre ku bëjnë pjesë ish-Guvernatori Adrian Fullani, ish përgjegjësi arkës stok Ardian Bitraj, kolegia e tij Mimoza Bruzia si dhe nipi i Ardian Bitrjat, Klevis Bejtia. 

Redaksia Online
(e.c/g.f/shqiptarja.com)