Sonte në Esencë u shfaq: Uvil Zajmi tregoi për herë të parë nostalgjinë e djemëve me motorra në Tiranë dhe Shqipëri!
Rubrika Amarcord shkoi në Muzeumin e skulpturave te artistit Thanas Papa, i biri i tregon për përndjekjet dhe talentin e babait.
Esencë Arkiv, eksluzive: Inxhinier Kudret Çollaku, ju tregoj si e projektova tunelin e Thesarit të Shtetit në Tiranë dhe çfarë ndodhi më pas?
Rubrika Ditar nga kaluara, 13 marsi, datë për të mos harruar në historinë e Shqipërisë në lidhje me Mirash Ivanajn!
Uvil Zajmin: Qejflinjtë e motorëve në Tiranën e dikurshme
Tanini: -Zoti Zajmi, si ishte të kishe një motor në Tiranën e atyre viteve?
Uvil Zajmi: -Në ato vite nuk ishte aspak e lehtë të kishe një motor. Madje, edhe të kishe një mik me motor ishte një gjë e madhe. Motori të jepte një ndjenjë lirie, në një kohë kur liria ishte e kufizuar. Duhet kujtuar se në vitet 1967–1968 u hoqën makinat private dhe për këtë arsye motori u bë edhe më i veçantë.
Tanini: -A dalloheshin njerëzit që kishin motor?
Uvil Zajmi: -Po, njiheshin menjëherë. Ishin personazhe të qytetit. Madje thuhej se ishte diçka shumë e veçantë kur një vajzë dashuronte një djalë që kishte motor. Një nga personazhet e njohur ishte Dina Koçi, që jetonte në Rrugën e Kavajës dhe kishte motor në ato vite.
Në kryeqytet përmendeshin shpesh disa figura: Sal Zalta, që konsiderohej pothuajse legjendë e motorit në Tiranë dhe Shqipëri, Shpëtim Xhilaga, Tuç Zyma, Rudolf Sopi dhe Bert Beltoja. Ishte edhe inxhinieri Skënder Daka, një burrë shumë simpatik, me mustakë, i mbajtur mirë, që vishej me elegancë. Dukej si një aristokrat i vërtetë, dhe paraqitjen ia plotësonte edhe motori i tij “Moto Guzzi – Alce”.
Shpëtim Xhilaga tregonte se motorin e kishte blerë nga Namik Hoti. Ndërsa në përgjithësi motorët shiteshin në MAPO-n e Rrugës së Durrësit dhe kushtonin rreth 52–54 mijë lekë, një shumë e madhe për kohën.
Eljan Tanini: -Thuhet se disa motorë tërhiqnin gjithë vëmendjen e qytetit…
Uvil Zajmi: -Pa dyshim. Kur dilte në mbrëmje me motor Sali Zalta, Tirana sikur ndalonte. Njerëzit mbanin frymën dhe e shikonin me admirim teksa kalonte. Ishte një spektakël më vete.
Shteti madje e bëri benzinën me ngjyrë për motorët privatë: nga e bardhë u kthye në të kuqe. Nëse policia të ndalonte dhe në serbator gjente benzinë të bardhë, mund të ta merrte motorin ose të të gjobiste. Shpesh shkonin në Kashar, ku shitej benzina e ngjyrosur. Aty punonte një miku ynë, Dor Damani. Regjistrohej gjithçka: sa litra merrje, me firmë dhe vulë.
Tanini: -Pra shteti e shihte këtë si një fenomen problematik? Cilat ishin markat më të përhapura të motorëve në Shqipëri? Si i mirëmbanin motorët?
Uvil Zajmi: -Po, në një farë mënyre jeta e djemve me motor ishte një sfidë për shtetin.
Kryesisht qarkullonin “Moto Guzzi”, “Girelli” dhe “Java” 150 kubikë, që ishin prodhime të lindjes dhe shiteshin në dyqanet e Tiranës rreth 54 mijë lekë. Ndërsa “Vespa” i kishin zakonisht ata që kishin familjarë ose të afërm në Itali.
Djemtë shpesh udhëtonin shumë larg vetëm për të rregulluar motorin. Ishte një pasion i madh.
Tanini: -Po biçikletat e huaja?
Uvil Zajmi: -Edhe ato ishin shumë të dëshiruara. Madje ka pasur raste kur janë vjedhur. Thuhet se edhe djalit të Enver Hoxhës i vodhën një biçikletë. Më vonë u gjet nga Sigurimi në Stacionin e Trenit.
Rruga e Durrësit kishte edhe personazhe të tjera shumë të njohura…
Pa dyshim, një figurë që nuk mund të ndahet nga ajo rrugë është Kirovi i famshëm, Kirov Andoni. Ishte një djalë shumë modern për kohën: muzikant, këngëtar, ndër të parët që u përfshi në grupet muzikore të viteve 70, kitarist dhe shumë i shoqërueshëm.
Kishte një rreth shumë të gjerë miqsh: aktorë, sportistë, kompozitorë, profesorë, mësues, banorë të zonës, madje edhe njerëz të rendit. Por mbi të gjitha ishte shumë i admiruar nga vajzat e bukura të Rrugës së Durrësit: gjimnazistet, vajzat e Politeknikumit dhe të shkollave të tjera. Thuajse nuk kalonte ditë apo javë pa u takuar me Kirovin.
Kreshnik Tartari e mbante gjithmonë në analizë gjatë ndeshjeve. Ndërsa një histori tjetër e rrallë është se në kohën e diktaturës ai ndërtoi edhe një pishinë private, duke përdorur çimento të ambasadës gjermane.
Në atë kohë shumë njerëz e shihnin si një figurë të veçantë të qytetit. Në një farë mënyre, të gjithë “faleshin” te Kirov Andoni.
Rubrika Amarcord shkon në Muzeumin e Thanas Papës, artisti dhe skuptpro që e shiti medaljen e arit për… Nga atelie e vitit 1958 në muze: Besart Papa dhe misioni për një shtëpi të skulpturës shqiptare
Besart Papa është një emër që lidh të kaluarën me të tashmen e skulpturës shqiptare. Si skulptor dhe si trashëgimtar i veprës së Thanas Papës, ai ka marrë përsipër të ruajë dhe ta sjellë më afër publikut këtë trashëgimi artistike. Në Tiranë ai themeloi muzeun e parë të këtij lloji në Shqipëri, duke kthyer atelierin e vitit 1958 në një institucion muzeal që sot ruan rreth 250 vepra. Në një intervistë për Esencën në Report Tv, ai flet për skulpturën si thirrje, për ndikimin e trashëgimisë dhe për përpjekjen për ta mbajtur artin të gjallë në jetën publike.
Ai tregon se rruga drejt skulpturës nuk ishte një vendim racional, por një ndjesi që u rrit bashkë me të. I rritur mes veprave dhe qetësisë së ateliesë së të atit, balta dhe gipsi për të ishin fillimisht lodra, por me kohën u kthyen në gjuhë shprehjeje. Kur kuptoi se mungesa e krijimit i sillte boshllëk, e kuptoi se skulptura nuk ishte thjesht pasion, por një thirrje.
Sot ai e përkufizon zërin e tij artistik si një përpjekje për të ruajtur dinjitetin e figurës njerëzore, duke i dhënë një dimension bashkëkohor. Në veprat e tij kërkon jo vetëm formën, por edhe brendësinë e saj. Një nga punimet që shpreh këtë qasje është “Valltarët” (2017), e vendosur në një hapësirë publike në Tiranë. Siç thotë vetë: ai përpiqet të modelojë emocionin, jo vetëm trupin.
Trashëgimia e Thanas Papës, sipas tij, është njëkohësisht frymëzim dhe përgjegjësi. Ai nuk e ka ndjerë si peshë, sepse arti nuk trashëgohet si pronë, por si etikë pune dhe dashuri për formën. Sfida e tij ka qenë të respektojë rrënjën, duke ndërtuar njëkohësisht rrugën e vet artistike.
Esencë Arkiv, Kudret Çollaku: Si e krijova vendruajtjen e Thesarit të Shtetit Shqiptar
Tanini: -Çfarë ishte ky projektim dhe zbatim me shumë rëndësi për ato vite?
Kudret Çollaku:- Unë, Kudret Çollaku, kur flas për ato vite, më duket sikur hap një derë të rëndë betoni që mban brenda një kohë të tërë sekretesh. Ato dyer nuk ishin si dyer të zakonshme. Kur mbylleshin nga brenda, bëheshin të mëdha, të forta, të pathyeshme nga vala mbrojtëse e një bombe atomike. Ishin projektuar që të përballonin fundin e botës, por jo gjithmonë marrëzitë e njerëzve.
Objekti i Kataraktit të Kërrabës ishte menduar si një nga vendet më të sigurta të shtetit. Atje u vendos edhe thesari. Unë vetë kam punuar për ta kthyer objektin nga një devijim teknik që rrezikonte funksionin e tij. Ishte ndërtuar me një logjikë mbrojtjeje ekstreme: jo vetëm kundër shpërthimeve, por edhe kundër armëve kimike. Sistemet e filtrimit, dyert hermetike, dhomat e izolimit gjithçka ishte menduar për një luftë që shpresonim të mos vinte kurrë.
Por vendosja e thesarit atje, në të vërtetë, ishte një gabim. Një gabim fatal. Zona nuk ishte e duhura. Në letër dukej e sigurt, por realiteti i terrenit ishte tjetër. Thesari nuk ishte në një strukturë të komplikuar siç e imagjinojnë shumë njerëz sot. Në thelb, vendi ku përfundoi ishte thjesht një tunel në Skrapar.
Unë kisha kodet e thesarit. Ishte një dhomë e fshehur, e izoluar nga çdo staf tjetër. Në fakt, thesari ishte plotësisht i shkëputur nga njerëzit që punonin në objekt. Askush nuk dinte asgjë. Askush nuk mund të dinte. Kështu funksiononte sistemi: fragmentim total i informacionit. Ata që ndërtonin objektet nuk e dinin për çfarë do përdoreshin. Ata që punonin brenda nuk e dinin çfarë ruhej në to.
Më kujtohet dita kur çuam atje një maune me ar. Ishte një operacion i heshtur, pa zhurmë, pa dëshmitarë. Në ato kohë gjithçka bëhej në errësirë burokratike dhe në heshtje ushtarake.
Megjithatë, vite më vonë, ndodhi ajo që askush nuk e kishte parashikuar në projektet e betonit dhe çelikut: dy hajdutë hynë në tunel. Jo me forcë të madhe, jo me teknologji të jashtëzakonshme. Hynë shumë kollaj. Dhe nga ajo histori u zhdukën rreth 280 kilogramë ar.
Kjo ishte ironia më e madhe e gjithë sistemit: struktura të ndërtuara për të përballuar një luftë atomike, por të pambrojtura nga gabimet njerëzore.
Edhe sot, kur dëgjoj të flitet për këto objekte, më vjen ndër mend se sa pak dinin njerëzit që i ndërtuan. Ata punonin me plane që nuk i kuptonin plotësisht. Ishte një sistem i tërë sekretësh brenda sekretit.
Në vitet e fundit të regjimit, thesari u reduktua shumë. Askush nuk fliste hapur për këtë, por shifrat ndryshonin. Disa vendime ishin të nxituara, disa të gabuara.
Megjithatë, duhet thënë edhe një gjë: në disa raste, edhe parashikimet e Mehmet Shehut dolën të sakta. Ai mendonte për skenarë ekstremë dhe kërkonte struktura që mund të mbijetonin gjithçka.
Por historia e këtyre objekteve nuk është vetëm histori betoni dhe ari. Gjatë ndërtimit të asaj që sot njihet si Bunk’Art 2, ndodhi edhe një tragjedi: një grua humbi jetën. Edhe kjo është pjesë e heshtur e kësaj historie, një nga ato detaje që rrallë përmenden kur flitet për bunkerët dhe thesaret.
Sot, kur i kujtoj të gjitha këto, më duket sikur shoh një labirint tunelesh, dyer çeliku dhe sekrete të fshehura. Dhe në fund të tij, një të vërtetë të thjeshtë: ndonjëherë gjërat që ndërtohen për të qenë më të sigurtat në botë, mbartin brenda vetes gabimin më të madh.
Komente













Ke harru me permend dhe Tole Naçin dhe Çezar Rulin legjendat E Moto-guzi.
Përgjigju