VLORË - Policia ka arrestuar një 28-vjeçar pasi gjatë një konflikti për motive ende të panjohura me një 34-vjeçar ka plagosur me thikë këtë të fundit dhe i ka dëmtuar mjetin.

Blutë njoftojnë se 28-vjeçar i identifikuar si Kejvi Bendaj pikësëpari ka thyer masën e sigurisë 'arrest në shtëpi' të caktuar ndaj tij nga gjykata.

Gjithashtu është vënë nën hetim edhe 34-vjeçari, pasi dyshohet se kanosi me armë gjahu 28-vjeçarin dhe i dëmtoi autimjetin. 

 Njoftimi i policisë: 

Menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt të ndodhur në fshatin Panaja, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë ndërhynë në kohë dhe parandaluan përshkallëzimin e tij, që mund të kishte sjellë pasoja të rënda.

Si rezultat i veprimeve të shpejta, u arrestua në flagrancë shtetasi K. B., 28 vjeç, banues në Panaja, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”. 

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. B (H)., 34 vjeç. 

Shtetasi K. B. dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me thikë shtetasin B. B. dhe i ka dëmtuar automjetin atij. Më pas, shtetasi B. B ka shkuar te banesa e shtetasit K. B., i ka dëmtuar automjetin dhe e ka kanosur atë, me një armë gjahu të cilën e posedonte pa leje.    
 
Shtetasi B. B. mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.      

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.