Mbrëmë në adresën e “Shqiptarja. com” erdhi një letër e shkurtër e Trëndafile Muhametit. Shkruar me dhimbje dhe revoltë, pas manipulimeve më të fundit që po zbulohen që janë bërë me vrasjen e të vëllait, për të nxjerrë të palarë ata që vranë “kokëpalarët”. Letrën e shkruar nga zonja Muhametaj po e botojmë të plotë për të lexuar vetë përmes rreshtave se çfarë ndjesie të lë përpjekja e shtetit për të rivrarë viktimat: “Kush e vrau Ziverin?..Kryeministri, Ministri i Brendshëm, Komandanti i gardres, apo gardisti?..TURP!..

Drejtësia po zhytet e mbytet në llumin e kohës. “Xhungla” Shqiptare kullon gjak e lot. Edhe kafshët e pyllit bashkëpunojnë e veprojnë me ligjet e pashkruara. Këtu ekziston ligji, po kur thotë Maliqi. Për këtë u kthye Ziveri nga Greqia. U nis më 17 janar për t’u takuar me njerëzit e tij dhe u kthye me datë 20 janar për të marrë pjesë në protestë.

Me 20 janar, ai nuk e dinte që do të vritej në bulevard, para derës së kryeministrit. Por ai nuk e dinte që do pushkatohej edhe një herë tjetër, nga padrejtësia e gjykatesve, urdhëruar, edhe pse i vdekur për qejf të pushtetit me histori të rrallë, edhe në arenën ndërkombëtare...Ne të gjallët, vellezërit, motrat, fëmijet, fisi, protestuesit e 21 janarit, shokët e tij, nuk jemi të qetë...Zullumet e Zullumqareve, janë bërë det, e kështu nuk i lanë as lumë e as përrua. Shpresa dhe durimi kanë mbaruar. “Drejtësia” e di kush e vrau Ziverin, por nuk fl et se i ka ikur zëri...

Edhe ne e dimë!!..E njohim....Thuhet këtej nga Labëria:” Borxh pa larë e hak pa marrë, nuk ka!” Trëndafile Muhameti (Motra e ZIVER VEIZIT). Kjo letër e shkruar me dhimbjen që vetëm motra ka për vëllain është lakmuesi më i mirë se çfarë note i jepet sot drejtësisë shqiptare. Në çfarë dite është arritur përpjekja e strukturave të qeverisë për të fshehur implikimin në ekzekutimin e katër shtetasve në 21 janari 2011. Gjakftohtësia me të cilën një ekspert mjekoligjor manipulon provat për të shfajësuar rrogëdhënësin, duke shkelur jo vetëm mbi betimin e Hipokratit, por edhe mbi normat elementare që sjelljes njerëzore, është një këmbanë alarmi se si e ka vënë poshtë krimi qeverisjen.

Me të drejtë, komentues të shumtë, përballë provave të pakundërshtueshme këto ditët e fundit, pas daljes në dritë të denoncimit të prokurorisë se eksperti i mbrojtjes manipuloi provat për të rivrarë viktimën, po kërkojnë me habi: përse prokurori i Përgjithshëm nuk po kërkon ndjekje penale për ekspertin që shfajësoi gardën e qeverisë. Çfarë duhet të bëjë tjetër pala që është në mbrojtje të urdhëdhënësve dhe ekzekutorëve, që të futet të krimet që ndëshkohen nga Kodi Penal?

Pyetja është shumë e thjeshtë dhe përgjigjia po ashtu duhet të jetë: Kur do të kërkojë prokurori i ri i përgjithshëm, që është përbetuar për luftë kundër korrupsionit,
arrestimin e një eksperti që rivret kufomat? Një përgjigje që e pret jo vetëm motra e Ziverit, por të gjithë.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 19 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)