
Gjatë ndeshjes Serbi 0-1 Shqipëri në Leskovac, tifozët serbë hodhën thirrje raciste kundër shqiptarëve si 'vrite shqiptarin' apo 'Kosova është Serbi'. Për këtë ka reaguar edhe Federata e Kosovës e Futbollit, që thotë se do e dërgojë çështjen në UEFA.
Njoftimi i plotë nga FFK:
FFK dënon thirrjet kundër Kosovës dhe banderolat provokuese në ndeshjen Serbi – Shqipëri
Federata e Futbollit e Kosovës dënon ashpër thirrjet në kor kundër Kosovës dhe mesazhet provokuese të shfaqura në tribunat e stadiumit të Leskovcit me flamurin serb mbi hartën e Kosovës gjatë ndeshjes ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë.
Këto skena për fat të keq nuk janë të reja në stadiumet serbe, ku nxitja e urrejtjes dhe mesazhet fyese ndaj shteteve fqinje vazhdojnë të përsëriten pa ndëshkim të mjaftueshëm. FFK vlerëson se veprime të tilla bien ndesh me frymën sportive, me parimet e respektit dhe me vlerat që UEFA dhe FIFA përfaqësojnë.
Në këtë drejtim, FFK do të paraqesë një notë proteste në UEFA, duke kërkuar që të ndërmerren masa të qarta dhe të rrepta ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë për këto akte të përsëritura, që dëmtojnë imazhin e futbollit dhe cenojnë parimet e UEFA-s dhe FIFA-s.
Njëkohësisht, Federata e Futbollit e Kosovës uron Kombëtaren e Shqipërisë për fitoren e merituar 1:0 ndaj Serbisë, një fitore që pasqyron karakterin, përkushtimin dhe forcën e futbollit shqiptar.
Federata e Futbollit e Kosovës do të vazhdojë të mbrojë me dinjitet vlerat e sportit, të respektit dhe të barazisë mes popujve, duke kërkuar që çdo fushë futbolli në Evropë të jetë vend i lojës dhe jo i urrejtjes.
Lajmi kryesor:
Botërori 2026/ Serbia gjunjëzohet në shtëpinë e saj, goli i Manajt çon Shqipërinë në 'qiellin e shtatë'! 'Shpërthen' festa në të gjithë vendin








