Sot, më 4 korrik 2026, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënojnë 250 vjet nga miratimi i Deklaratës së Pavarësisë. Më 4 korrik 1776, kolonitë amerikane shpallën ndarjen politike nga Britania e Madhe dhe hodhën bazën e një shteti të ri.

Për mua dhe familjen time, kjo ditë ka edhe një kuptim personal. Prej 30 vitesh jemi pjesë e rrugëtimit të këtij vendi. Tridhjetë vjet më parë morëm rrugën nga Shqipëria për në Amerikë. Sot familja jonë ka edhe brezin e tretë të amerikanëve të dalë prej nesh: nipërit tanë. Ky fakt më bën ta shoh Amerikën jo vetëm si vendin ku kam ardhur për të jetuar, por edhe si vendin ku fëmijët dhe nipërit tanë ndërtojnë jetën e tyre.

Gjatë këtyre 30 viteve kam menduar shpesh për këtë vend të madh, të lirë dhe të fuqishëm. Kam menduar për të drejtat, për liritë, për institucionet, për ligjin, për punën, për mundësitë, por edhe për pabarazitë, konfliktet dhe tensionet që ekzistojnë në shoqërinë amerikane. Amerika është vend i madh, por nuk është vend i përsosur. Fuqia e saj nuk qëndron te mungesa e problemeve. Qëndron te fakti se qytetarët kanë mundësi të reagojnë ndaj problemeve dhe ta detyrojnë shtetin të përgjigjet.

Një nga gjërat që më ka bërë më shumë përshtypje në Amerikë është protesta. Jo protesta si ngjarje e jashtëzakonshme, por protesta si pjesë normale e jetës qytetare. Kam parë njerëz që rrinin në shi, pa u larguar për orë të tëra, rreth ndërtesave të policisë së emigracionit në Portland, duke mbrojtur të drejtat e emigrantëve pa dokumente nga aksionet e qeverisë federale. Kam parë dhe kam ndjekur protesta të mëdha në Minneapolis, ku qindra mijëra njerëz dilnin në rrugë në temperatura shumë të ulëta, për të njëjtën arsye: për të kërkuar trajtim më njerëzor dhe më të drejtë për ata që shteti i shihte si më të pambrojtur.

Më ka bërë përshtypje edhe një njeri i vetëm në një cep rruge, me një pankartë në dorë, duke kërkuar trajtim më të mirë për mësuesit. Në pamje të parë, një njeri i vetëm mund të duket i parëndësishëm. Por në këtë vend, edhe një njeri i vetëm në rrugë është pjesë e një tradite të gjatë qytetare. Ai nuk del aty sepse mendon se do ta ndryshojë menjëherë ligjin. Del sepse e di se ka të drejtë të flasë, të kundërshtojë dhe të mos pajtohet.

Të njëjtën gjë kam parë edhe në Detroit, ku jetoj. Grevat dhe lëvizjet sindikaliste të punëtorëve të industrisë së makinave janë pjesë e historisë dhe e jetës së këtij qyteti. Detroiti e di mirë se të drejtat e punëtorëve nuk janë dhënë asnjëherë si dhuratë. Ato janë kërkuar, janë mbrojtur dhe janë fituar përmes organizimit, grevave dhe presionit publik. Greva e Flintit e viteve 1936–1937, që lidhet me forcimin e sindikatës së punëtorëve, është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së punëtorëve të industrisë së makinave në Michigan dhe në gjithë Amerikën.

Amerika ka lindur nga një akt politik kundërshtimi. Para se të vinte Deklarata e Pavarësisë, kishte pasur vite protestash ndaj taksave, monopoleve dhe vendimeve të marra nga një pushtet ku kolonitë nuk kishin përfaqësim. Nata e Çajit në Boston, në vitin 1773, ishte një protestë kundër taksës mbi çajin dhe kundër monopolizimit të tregtisë nga Kompania e Indisë Lindore. Ajo ngjarje nuk ishte thjesht një konflikt për çajin. Ishte një kundërshtim ndaj idesë se një pushtet i largët mund të vendoste taksa pa përfaqësimin politik të njerëzve që i paguanin ato.

Parimi “asnjë taksim pa përfaqësim” mbeti një nga idetë kryesore të Revolucionit Amerikan. Kjo ide është e thjeshtë: qeveria nuk mund të kërkojë detyrime nga qytetarët pa u dhënë atyre të drejtën të kenë zë në vendimmarrje. Kjo është një nga bazat e demokracisë moderne. Nëse qytetari paguan, punon, shërben, zbaton ligjin dhe mban përgjegjësi, ai duhet të ketë edhe të drejtën të kërkojë llogari nga qeveria.

Deklarata e Pavarësisë shpreh idenë se qeveritë i marrin pushtetet e tyre nga pëlqimi i të qeverisurve dhe se populli ka të drejtë të ndryshojë qeverinë kur ajo shkel qëllimet për të cilat ekziston. Ky është një parim politik që e vendos qytetarin para qeverisë.

Më vonë, kjo ide u vendos edhe në Kushtetutë dhe në Amandamentin e Parë. Amandamenti i Parë mbron lirinë e fjalës, lirinë e shtypit, të drejtën e tubimit paqësor dhe të drejtën për t’i kërkuar qeverisë ndreqjen e padrejtësive. Kjo do të thotë se protesta është neni i parë i Kushtetutës amerikane.

Historia amerikane nuk u mbyll me themelimin e shtetit. Përkundrazi, problemi më i madh i Amerikës filloi pikërisht aty: një vend që fliste për liri, ndërkohë që pranonte skllavërinë. Miliona njerëz me origjinë afrikane u mbajtën në skllavëri në një vend që e kishte shpallur lirinë si parim themelor.

Kjo padrejtësi nuk u zgjidh nga mirësia e institucioneve. Ajo u përball nga njerëz që e kundërshtuan hapur. Lëvizja abolicioniste e detyroi vendin të përballej me skllavërinë. Protestuesit amerikanë folën, shkruan, organizuan rrjete ndihme, ndihmuan njerëz të arratiseshin dhe e mbajtën çështjen e skllavërisë në qendër të debatit publik.

Pas Luftës Civile erdhën ndryshimet kushtetuese që ndryshuan ligjërisht vendin. Amandamenti i 13-të i dha fund skllavërisë. Amandamenti i 14-të vendosi parime të rëndësishme për shtetësinë dhe mbrojtjen e barabartë nga ligji. Amandamenti i 15-të ndaloi mohimin e të drejtës së votës për shkak të racës, ngjyrës ose gjendjes së mëparshme të skllavërisë. Këto ndryshime ishin rezultat i një konflikti të gjatë politik, moral dhe shoqëror.

Megjithatë, edhe pas këtyre ndryshimeve, barazia nuk u bë menjëherë realitet. Për dekada me radhë, njerëzit me ngjyrë u përballën me segregacion, dhunë, pengesa në votim dhe diskriminim të hapur. Kjo tregon se ligji është i domosdoshëm, por jo gjithmonë i mjaftueshëm. Ligji duhet zbatuar. Kur nuk zbatohet, qytetarët duhet të reagojnë.

Në shekullin e 20-të, Lëvizja për të Drejtat Civile e tregoi më qartë se çdo periudhë tjetër se protesta mund ta ndryshojë ligjin. Rosa Parks, që nuk ia lëshoi vendin në autobus një të bardhi, bojkoti i autobusëve në Montgomery, studentët që u ulën në banakët e restoranteve ku nuk lejoheshin njerëzit me ngjyrë, marshimet në Selma dhe organizimi i Martin Luther King Jr. e detyruan shtetin amerikan të vepronte. Akti i të Drejtave Civile i vitit 1964 ndaloi diskriminimin në vendet publike, ndihmoi integrimin e shkollave dhe institucioneve publike dhe e bëri të paligjshëm diskriminimin në punësim.

Marshimet nga Selma në Montgomery në vitin 1965 u organizuan për të kundërshtuar pengesat që u vendoseshin qytetarëve me ngjyrë për të votuar. Dhuna ndaj protestuesve në urën Edmund Pettus u pa nga publiku amerikan dhe e rriti presionin ndaj qeverisë federale. Kjo periudhë çoi në miratimin e Aktit të të Drejtave të Votës në vitin 1965, një nga ligjet më të rëndësishme të historisë amerikane për mbrojtjen e votës.

E njëjta logjikë vlen edhe për të drejtat e grave. Gratë amerikane nuk e morën të drejtën e votës sepse politika vendosi t’ua dhuronte. Lëvizja për të drejtën e votës filloi që në shekullin e 19-të, vazhdoi për dekada me radhë. Gratë organizuan mbledhje, fjalime, peticione, protesta dhe veprime publike. Amandamenti i 19-të, i ratifikuar në vitin 1920, ishte rezultat i kësaj përpjekjeje të gjatë.

Historia e punëtorëve është po ashtu pjesë e kësaj historie. Amerika u bë fuqi industriale, por kjo nuk ndodhi pa kosto njerëzore. Punëtorët punonin me orë të gjata, shpesh në kushte të vështira dhe me pak mbrojtje. Kërkesa për ditën tetëorëshe të punës u ngrit nga lëvizjet punëtore që në shekullin e 19-të. Në vitin 1886, qindra mijëra punëtorë në gjithë vendin iu bashkuan kërkesës për shkurtimin e orarit të punës.

Të drejtat që sot duken normale, si kufizimi i orarit të punës, siguria në vendin e punës, pagesa më e drejtë, e drejta për organizim sindikal dhe pushimi javor, kanë pasur pas vetes përplasje të gjata. Ato nuk kanë ardhur si dhurata. Kanë ardhur përmes presionit të punëtorëve dhe organizimit të tyre. Kjo duhet kujtuar sidomos në vende si Detroiti, ku historia e punës dhe e industrisë është pjesë e identitetit të qytetit.

Edhe punëtorët emigrantë të bujqësisë kanë pasur historinë e tyre të protestës. Greva dhe bojkoti i rrushit të lidhura me organizimin e punëtorëve të fermave dhe me emra si Cesar Chavez dhe Dolores Huerta, treguan se edhe punëtorët më pak të mbrojtur mund të organizohen dhe të kërkojnë trajtim më të drejtë. Kjo lëvizje nuk ishte vetëm çështje page. Ishte çështje dinjiteti, sigurie dhe njohjeje shoqërore.

Edhe protestat kundër Luftës në Vietnam treguan se qytetarët amerikanë mund të kundërshtojnë politikën e jashtme të vendit të tyre. Protestat studentore, përfshirë ngjarjen tragjike në Kent State në vitin 1970, ku Garda Kombëtare qëlloi mbi studentë të paarmatosur dhe vrau katër prej tyre, mbeten pjesë e vështirë e historisë amerikane. Ato tregojnë se protesta mund të ketë kosto të lartë dhe se shteti demokratik nuk është i imunizuar nga gabimet e rënda.

Ky është mësimi më i rëndësishëm që më ka dhënë Amerika në këto 30 vite. Liria nuk është vetëm e drejta për të jetuar në një vend të pasur. Nuk është vetëm e drejta për të punuar, për të blerë shtëpi, për të hapur biznes ose për të çuar fëmijët në shkollë. Liria është edhe e drejta për t’i thënë qeverisë se po gabon. Është e drejta për të dalë në rrugë. Është e drejta për të mbajtur një pankartë. Është e drejta për të kërkuar llogari. Është e drejta për të mos u pajtuar.

Në këtë vend kam parë njerëz që mbrojnë të drejtat e të tjerëve edhe kur vetë nuk përfitojnë drejtpërdrejt prej tyre. Kjo është një nga gjërat më të forta të shoqërisë amerikane. Një qytetar amerikan mund të dalë në shi për një emigrant pa dokumente. Mund të protestojë për një mësues që nuk e njeh. Mund të mbështesë një punëtor që nuk është pjesë e familjes së tij. Mund të kërkojë drejtësi për një komunitet ku nuk bën pjesë. Kjo nuk ndodh gjithmonë dhe nuk ndodh kudo, por kur ndodh, tregon nivelin e vërtetë të qytetarisë.

Amerika ka shumë probleme sot. Ka ndarje politike, pabarazi ekonomike, tensione racore, mosmarrëveshje të forta mbi emigracionin, arsimin, kujdesin shëndetësor, të drejtat civile dhe rolin e shtetit. Ka edhe një gjuhë publike që shpesh është e ashpër dhe e papërgjegjshme. Por kjo nuk e zhvlerëson historinë e saj. Përkundrazi, tregon se ky vend vazhdon të jetë në debat me veten.

Në 250-vjetorin e saj, Amerika nuk ka nevojë të paraqitet si vend pa gabime. Një vend i lirë nuk matet nga aftësia për të fshehur gabimet. Matet nga aftësia për t’i pranuar, për t’i diskutuar dhe për t’i korrigjuar. Në këtë kuptim, protesta është pjesë e rëndësishme e jetës amerikane. Ajo i kujton qeverisë se qytetari nuk është spektator. I kujton institucioneve se pushteti nuk është.

Prandaj, në këtë 250-vjetor, Amerika duhet parë jo vetëm përmes festës, por edhe përmes historisë së saj qytetare. Ajo histori tregon se liria nuk është dhënë një herë e përgjithmonë. Ajo është kërkuar vazhdimisht. Është mbrojtur në gjykata, në rrugë, në fabrika, në shkolla, në universitete, në autobusë, në ferma, në qendra votimi dhe para ndërtesave qeveritare.

Kjo është Amerika që më ka bërë përshtypje më shumë: jo vetëm Amerika e fuqisë ushtarake, ekonomisë së madhe dhe universiteteve të njohura, por Amerika e qytetarit që del në rrugë kur mendon se një e drejtë po shkelet. Ky qytetar mund të jetë pjesë e një marshimi me qindra mijëra vetë. Mund të jetë edhe vetëm, në një cep rruge, me një pankartë në dorë. Në të dyja rastet, ai është pjesë e së njëjtës traditë.

Sot Amerika mbush 250 vjet. Për ne që erdhëm këtu 30 vjet më parë, kjo ditë është edhe pjesë e historisë sonë familjare. Fëmijët dhe nipërit tanë janë pjesë e këtij vendi. Ata do ta trashëgojnë Amerikën ashtu siç është, me arritjet dhe problemet e saj. Do të jenë pjesë e krenarisë së saj në përpjekjet e përditshme për ta bërë atë më të mirë.