Më ka mbetur gjithmonë në kujtesë një episod domethënës nga jeta institucionale shqiptare. Në një moment kur Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë rrëzoi një vendim të Parlamentit, Namik Dokle në atë kohë kryetar parlamenti reagoi menjëherë duke dhënë dorëheqjen nga detyra e Kryetarit të Kuvendit. Ishte një veprim i rrallë për politikën shqiptare dhe një gjest që shprehte respekt të qartë për institucionet dhe për vendimet e tyre. Një dorëheqje si përgjegjësi politike sepse vendimi i Kuvendit nuk ishte përgjegjësia e tij personale.
Në një vend ku shpesh postet mbahen me çdo kusht, edhe kur rrethanat kërkojnë përgjegjësi politike, ai veprim mori një domethënie të veçantë. Fan Noli i quante dikur disa politikanë shqiptarë “kolltukofagë”, njerëz që nuk shkëputen nga karrigia e pushtetit “edhe sikur t’u presësh duart, këmbët dhe kokën”. Në atë kulturë politike ku karrigia shihet si pronë personale dhe jo si përgjegjësi publike, dorëheqja e menjëhershme e Namik Dokles mbeti një shembull i një standardi tjetër.
Ky episod përmbledh në një farë mënyre stilin e tij në jetën publike: qetësi, sens institucional dhe një marrëdhënie të natyrshme me përgjegjësinë që sjell posti.
Sot, kur Namik Dokle mbush tetëdhjetë vjeç, ky përvjetor është një rast për të parë një rrugë të gjatë që kalon nëpër disa fusha të rëndësishme të jetës shqiptare: gazetarinë, politikën dhe letërsinë.
Formimi i tij profesional lidhet me gazetarinë. Ai i përket një brezi gazetarësh që u rritën në redaksi ku fjala peshohej dhe ku profesioni kërkonte disiplinë të përditshme. Gazeta “Zëri i Popullit” ishte një nga ato redaksi që funksiononin si shkollë e vërtetë gazetarie.
Aty kam pasur edhe përvojën time personale me të. Në vitet kur punoja gazetar në “Zëri i Popullit”, Namik Dokle ishte kryeredaktori im. Redaksia e asaj kohe ishte një mjedis pune intensiv: diskutime për çdo tekst, për çdo titull dhe për çdo formulim. Ishte një mënyrë pune që të mësonte respektin për fjalën e shkruar dhe për përgjegjësinë që mbart ajo.
Më vonë rrugët tona profesionale u kryqëzuan sërish në një moment tjetër. Kur Namik Dokle mori detyrën e nënkryetarit të Partisë Socialiste, unë mora vendin e tij si kryeredaktor i gazetës. Marrëdhënia redaktor–gazetar u kthye atëherë në një bashkëpunim të një natyre tjetër, në një periudhë kur politika dhe media po hynin në një fazë të re të jetës demokratike shqiptare.
Në jetën politike Namik Dokle mbajti poste të rëndësishme në institucionet e shtetit gjatë viteve të tranzicionit. Ishin vite të vështira, me tensione dhe përplasje të forta politike, por edhe vite kur institucionet e demokracisë po ndërtoheshin hap pas hapi. Në këtë mjedis ai mbeti një figurë e identifikuar me një stil të matur dhe me një profil publik pa bujë.
Pas viteve të angazhimit politik, ai iu kthye me intensitet një fushe tjetër: letërsisë. Librat e tij të viteve të fundit kanë gjetur lexues dhe vlerësime, duke treguar se përvoja e një jete të gjatë mund të shndërrohet në material të pasur letrar. Në këto vepra ndihet qartësia e gazetarit dhe reflektimi i shkrimtarit.
Sot, në moshën tetëdhjetëvjeçare, Namik Dokle mbetet një autor aktiv, me një ritëm krijues që shumë shkrimtarë më të rinj do ta kishin zili. Librat e tij sjellin histori, kujtime dhe vëzhgime nga jeta shqiptare, të shkruara me një stil të drejtpërdrejtë dhe komunikues.
Tetëdhjetë vjet pas lindjes, rruga e tij përmbledh disa role të rëndësishme: gazetar, drejtues redaksie, politikan dhe shkrimtar. Për këtë arsye përvjetori i tij është më shumë se një datë personale. Është një moment për të kujtuar një figurë që ka qenë pjesë e disa kapitujve të jetës publike shqiptare.
Ajo që mbetet më e dukshme sot është vazhdimësia e krijimtarisë së tij. Namik Dokle vazhdon të shkruajë dhe të botojë, duke treguar se përvoja dhe kujtesa mund të kthehen në energji krijuese.
Tetëdhjetë vjet dhe pena ende në punë.
Gëzuar përvjetorin, Namik. Edhe shumë vite të tjerë aktivë në shoqëri dhe familje! Edhe më shumë libra të tjerë përpara.
Komente












