Namik Dokle ka publikuar një fotografi në rrjetet sociale nga një takim shumë i veçantë. Ish-kryetari i Kuvendit është mbledhur për një kafe me miqtë, të gjithë figura të njohura dhe të rëndësishme të politikës: ish-presidenti i Republikës Rexhep Meidani, ish-kryeministri Ylli Bufi, ish-ministri i Arsimit Ethem Ruka dhe ish-deputeti Sherif Bundo.

Por si në çdo grup miqsh e siç shpesh ndodh në Shqipëri, as ata nuk i shpëtojnë ‘grindjes’ më të zakonshme.

“Duke pritur kafen e radhës e bëjmë edhe një foto me miqtë: Rexhep Meidani, Ylli Bufi, Sherif Bundo, Ethem Ruka. Dhe pastaj fillon biseda miqësore, e sinqertë, e hapur për çdo temë. Në fund, si të gjithë, edhe ne nisim ‘zënkën’ e zakonshme: do paguaj unë, m’i lini mua kësaj radhe, pse vetëm ti do paguash?!”, shkruan Dokle krah postimit.

Fotoja dhe shkrimi krah saj kanë tërhequr edhe vëmendjen e Elisa Spiropalit, e cila ka komentuar:

“Kafja t’ju jetë bërë shëndet e fuqi, e të tilla zënka paçi gjithmonë”, thotë ajo.