Zgjedhjet paraprake të 4 gushtit i ndoqa si votues që jeton në Michigan, një nga shtetet ku po përcaktohen jo vetëm kandidatët për zgjedhjet e nëntorit, por edhe drejtimet që po marrin dy partitë kryesore amerikane.
Parë nga Michigan-i, rezultatet janë më të ndërlikuara sesa paraqiten në titujt e gazetave. Ato nuk ishin thjesht një fitore e progresistëve demokratë ose një tjetër konfirmim i ndikimit të Donald Trumpit mbi republikanët. Ishin zgjedhje që treguan pakënaqësi me establishmentin, fuqinë e strukturave partiake dhe ndikimin e parasë, por edhe kufijtë e kandidatëve që nuk arrijnë të ndërtojnë mbështetje përtej komunitetit, miqve dhe rrjeteve të tyre personale.
Gara kryesore ishte ajo për nominimin demokrat për Senatin e Shteteve të Bashkuara. Abdul El-Sayed mundi kongresisten Haley Stevens me më pak se një pikë përqindjeje. Kur Associated Press e shpalli fitues, ai kryesonte me rreth 14,900 vota nga më shumë se 1.5 milionë vota të numëruara. Në nëntor do të përballet me republikanin Mike Rogers, i cili nuk pati kundërshtar në primaret e partisë së tij.
Për një votues të Michigan-it, kjo garë ishte më shumë sesa një përplasje ndërmjet së majtës dhe qendrës. Stevens kishte përvojë në Kongres, mbështetjen e drejtuesve të rëndësishëm demokratë dhe dhjetëra milionë dollarë nga grupe të jashtme. Ish-presidenti Barack Obama kishte shprehur gjithashtu mbështetje për të.
El-Sayed zhvilloi një fushatë më të drejtpërdrejtë, me një program më progresist dhe me profilin e një kandidati kundër establishmentit dhe ndikimit të parasë së madhe. Ai u mbështet nga senatori Bernie Sanders dhe nga sindikata të fuqishme të punëtorëve.
Grupet që mbështetën Stevens shpenzuan mbi 50 milionë dollarë, përfshirë më shumë se 30 milionë nga AIPAC dhe organizatat e lidhura me të. Megjithatë, paratë nuk mundën ta përcaktonin rezultatin. Ky është një nga mësimet kryesore të primareve. Paratë vazhdojnë të kenë ndikim të jashtëzakonshëm në politikën amerikane, por nuk mjaftojnë gjithmonë. Ato mund ta bëjnë një kandidat më të dukshëm dhe mund të mbushin ekranet televizive e telefonat e zgjedhësve me reklama, por nuk mund ta zëvendësojnë energjinë politike dhe bindjen se një kandidat përfaqëson ndryshimin.
Fitorja e El-Sayed tregon se një pjesë e madhe e votuesve demokratë është lodhur nga kandidatët që paraqiten si më të sigurt, më të moderuar dhe më të pranueshëm për donatorët. Këta votues kërkojnë qëndrime më të forta për shëndetësinë, pabarazinë ekonomike, financimin e fushatave dhe, sidomos, luftën në Gazë.
Një rezultat tjetër i rëndësishëm ishte humbja e kongresistit Shri Thanedar në Distriktin e 13-të. Donavan McKinney fitoi nominimin demokrat në një zonë që përfshin pjesë të Detroitit, Hamtramckun dhe Grosse Pointes.
McKinney nuk e ndërtoi fushatën vetëm mbi idenë se Detroiti duhet të ketë përsëri përfaqësim afrikano-amerikan në Kongres. Ai u dallua nga Thanedar edhe për qëndrimet ndaj Izraelit dhe luftës në Gazë. Edhe McKinney u mbështet nga krahu i demokratëve socialistë.
Kjo garë tregoi se mandati dhe paratë nuk janë më garanci për rizgjedhje. Votuesit janë më të gatshëm të largojnë një deputet në detyrë kur mendojnë se ai nuk përfaqëson identitetin, problemet ose interesat e tyre.
Kandidatët shqiptaro-amerikanë
Për komunitetin shqiptaro-amerikan, këto primare kishin edhe një dimension tjetër. Në disa gara morën pjesë kandidatë me origjinë shqiptare, por asnjëri nuk arriti të siguronte nominimin e partisë për zgjedhjet e nëntorit.
Robert Lulgjuraj hyri në garën republikane për Distriktin e 10-të të Kongresit me një fushatë serioze dhe me financim të konsiderueshëm.
Megjithatë, ai e pezulloi fushatën më 15 korrik, më pak se tre javë përpara primareve, pasi Donald Trump mbështeti rivalin e tij, Mike Bouchard. Emri i Lulgjurajt mbeti në fletën e votimit, por praktikisht gara e tij kishte përfunduar.
Rasti i tij tregon sa e madhe është bërë varësia e kandidatëve republikanë nga Trumpi. Një kandidat mund të ketë mbledhur fonde, të ketë punuar në terren dhe të ketë krijuar mbështetje lokale, por një deklaratë e presidentit mund ta ndryshojë menjëherë gjithë garën.
Nuk bëhet më fjalë vetëm për ndikim politik. Mbështetja e Trumpit është kthyer në një lloj certifikate besnikërie, pa të cilën shumë kandidatë republikanë e kanë të vështirë të vazhdojnë. Për Lulgjurajn, humbja e kësaj mbështetjeje u kthye në humbje të arsyes për të qëndruar në garë.
John Goci synoi nominimin demokrat në Distriktin e 13-të të Kongresit, por nuk u përfshi në fletën zyrtare të votimit. Ai u skualifikua dhe vazhdoi përpjekjen si kandidat me shkrim.
Në një garë me pjesëmarrje të lartë dhe me kandidatë të mbështetur nga organizata të fuqishme, një kandidaturë e tillë kishte shumë pak mundësi reale. Rasti i Gocit ndryshon nga ai i Lulgjurajt, por përfundimi ishte i njëjtë: ai nuk arriti të hynte në një përballje të barabartë në fletën e votimit.
Kjo tregon sa vendimtare janë procedurat zgjedhore, mbledhja dhe verifikimi i firmave, dokumentacioni dhe organizimi ligjor i një fushate. Në politikën amerikane nuk mjaftojnë dëshira për të kandiduar ose mbështetja morale e komunitetit. Një gabim procedural mund ta mbyllë garën përpara se të hapen qendrat e votimit.
Më mirë u paraqit Ren Nushaj në garën demokrate për Senatin e Michigan-it, në Distriktin 9. Ai mori 8,663 vota, ose rreth 23 për qind. Theresa Brooks fitoi me 17,451 vota, ose 47 për qind, ndërsa Brendan Johnson mori 30 përqind.
Nushaj nuk e fitoi nominimin, por rezultati i tij nuk ishte simbolik. Marrja e gati një të katërtës së votave në një garë me tre kandidatë tregon se ai kishte ndërtuar një bazë reale mbështetjeje. Megjithatë, ajo nuk ishte mjaftueshëm e gjerë për të kapërcyer organizimin dhe njohjen publike të rivalëve.
Fakti që kishim disa kandidatë shqiptarë është pozitiv. Ai tregon se shqiptaro-amerikanët nuk e shohin më politikën vetëm si spektatorë, donatorë ose pjesëmarrës në darka elektorale. Gjithnjë e më shumë prej tyre kërkojnë vetë poste publike.
Por pjesëmarrja nuk duhet ngatërruar me suksesin elektoral. Një mbiemër shqiptar nuk siguron automatikisht as votat e shqiptarëve dhe aq më pak votat e të gjithë distriktit. Për të fituar në Michigan duhet të ndërtosh një koalicion shumë më të gjerë se komuniteti yt etnik.
Një kandidat shqiptar duhet të ketë qëndrime të qarta për shkollat, taksat, sigurimet shëndetësore, rrugët, sigurinë publike, industrinë automobilistike dhe koston e jetesës. Duhet të ndërtojë një organizatë përpara se të shpallë kandidaturën, jo pasi gara ka filluar.
Komunitetet që kanë arritur të zgjedhin përfaqësues në Michigan e kanë bërë këtë përmes një pune shumëvjeçare: pjesëmarrje në këshillat e shkollave, qeverisjen vendore, komisionet e qarqeve, organizatat qytetare dhe strukturat e partive.
Kandidatët nuk shfaqen vetëm disa muaj përpara zgjedhjeve. Ata njihen gradualisht, fitojnë përvojë dhe krijojnë marrëdhënie jashtë komunitetit të tyre të origjinës.
Trumpi vazhdon të sundojë Partinë Republikane
Rezultatet treguan përsëri se Donald Trump mbetet autoriteti kryesor brenda Partisë Republikane. Mbështetja e tij mund ta ngrejë një kandidat, ta dobësojë një tjetër ose ta detyrojë të largohet nga gara.
Megjithatë, primaret dhanë edhe një sinjal se ndikimi i tij nuk është absolut. Në Distriktin e 8-të të Michigan-it, Thomas Smith fitoi nominimin republikan, edhe pse e kishte pezulluar fushatën, duke mundur kandidatin e mbështetur nga Trumpi, Amir Hassan.
Smith mori rreth 50 për qind të votave, ndërsa Hassan rreth 33 përqind.
Kjo ishte një humbje e rrallë për një kandidat të mbështetur nga Trumpi. Ajo tregon se, edhe brenda bazës republikane, votuesit lokalë nuk ndjekin gjithmonë urdhrat nga lart.
Megjithatë, kjo nuk e ndryshon panoramën e përgjithshme. Partia Republikane vazhdon të jetë e lidhur me Trumpin jo vetëm politikisht, por edhe personalisht. Kandidatët kërkojnë miratimin e tij, përsërisin gjuhën e tij dhe e paraqesin besnikërinë ndaj tij si provë të konservatorizmit.
Kjo mund t’i ndihmojë në primare, ku votojnë kryesisht aktivistët më të angazhuar të partisë. Mbetet për t’u parë nëse do t’i ndihmojë edhe në nëntor, kur votojnë më shumë të pavarur dhe qytetarë që nuk janë të lidhur fort me asnjërën parti.
Amerika nuk po lëviz në një drejtim të vetëm
Parë nga Michigan-i, primaret nuk treguan se Amerika po shkon thjesht majtas ose djathtas. Ato treguan një vend të pakënaqur me politikën e zakonshme. Brenda Partisë Demokratike, votuesit kërkojnë kandidatë më të vendosur, më pak të kontrolluar nga donatorët dhe më të gatshëm të përballen me pabarazinë ekonomike dhe politikën tradicionale të Washingtonit.
Fitorja e El-Sayed dhe ajo e McKinney-t janë pjesë e kësaj prirjeje.
Brenda Partisë Republikane, Trumpi mbetet figura qendrore, por ka raste kur votuesit lokalë nuk pranojnë kandidatin që ai u cakton.
Në të dyja partitë shihet e njëjta pakënaqësi me establishmentin, por ajo shprehet në mënyra të ndryshme. Demokratët po lëvizin më majtas. Republikanët po kërkojnë kandidatë më të lidhur me Trumpin dhe më konfrontues ndaj institucioneve federale.
Problemi është se kandidatët që fitojnë primaret nuk janë domosdoshmërisht ata që përfaqësojnë shumicën e shtetit. Në primare votojnë zakonisht aktivistët më të motivuar dhe më ideologjikë. Në nëntor do të votojë një elektorat më i gjerë, më i përzier dhe më i interesuar për çmimet, punësimin, shkollat, shëndetësinë dhe sigurinë sesa për betejat e brendshme të partive.
Prandaj, primaret e 4 gushtit nuk dhanë përgjigjen se kush do ta fitojë Michigan-in. Ato vetëm zgjodhën kandidatët, të cilët tani duhet të dalin përtej rrethit të mbështetësve të tyre. El-Sayed duhet të tregojë se progresivizmi i tij mund të fitojë një shtet të lëkundur dhe jo vetëm një primare demokrate.
Mike Rogers duhet të provojë se mbështetja e Trumpit mund t’i sjellë edhe votat e të pavarurve. Kandidatët për Kongresin dhe Senatin shtetëror duhet të bindin qytetarë që nuk e ndjekin politikën çdo ditë dhe nuk ndihen të detyruar t’i binden partisë.
Për shqiptaro-amerikanët, mesazhi është po aq i qartë. Futja në garë është një hap përpara, por përfaqësimi nuk ndërtohet vetëm me kandidatura individuale. Ai kërkon organizim të qëndrueshëm, përgatitje profesionale, prani në institucionet vendore dhe aftësi për të folur në emër të të gjithë qytetarëve të distriktit.
Këtë herë patëm kandidatë, por nuk fituam asnjë nominim. Kjo nuk duhet parë as si dështim përfundimtar dhe as të mbulohet me vetëkënaqësi. Është një rezultat që tregon se komuniteti ka filluar të hyjë në politikë, por ende nuk ka ndërtuar fuqinë elektorale që ta shndërrojë praninë në përfaqësim.









Komente
Komento