‘Thonë, se shoku Hysni, një ‘Hero i Popullit’ dhe luftëtar i lavdishëm, nuk ka vdekur nga kanceri, por e kanë eliminuar me urdhër të…’/ Debatet e Enverit në Byro, 8 tetor ‘82

‘Thonë, se shoku Hysni, një ‘Hero i Popullit’ dhe luftëtar i lavdishëm, nuk ka vdekur nga kanceri, por e kanë eliminuar me urdhër të…’/ Debatet e Enverit në Byro, 8 tetor ‘82

Fotot të ‘Mbledhjes së 81 partive’, Moskë 1960

Memorie.al /publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim. Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej. Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte.

Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran. Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj. Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete. Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh. Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”. Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti. Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al

PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË                                                    TEPËR SEKRET

KOMITETI QENDROR

                                                           PROCES-VERBAL

I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982

        Rendi i ditës:

Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu

Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum

Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

                  ZHVILLIMI I MBLEDHJES

Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.

Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.

SHOKU ENVER HOXHA: Pikërisht në këto kushte, jo me deklarata për besnikëri ndaj Partisë dhe shokut Enver, por duke kthyer vështrimin nga puna në të kaluarën, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke vënë në punë kujtesën dhe logjikën për çfarë ka ngjarë në atë dikaster, e për çfarë i ka ngjarë Partisë, duke dhënë fakte e tërhequr konkluzione në të mirën e Partisë, i shërbehet kësaj me ndërgjegje të madhe, dhe ti ke, jo pak përgjegjësi për këtë.

Unë jam munduar disa herë të të ndihmoj që të reflektosh, të thellohesh, e të avancosh, në autokritikën tënde. Këtë u munduam që ta bëjmë dhe në këtë mbledhje të Byrosë Politike, ku të gjithë shokët të folën hapur, drejt, e me kuraje marksiste leniniste, jo për të dekurajuar, por për të të sjellë në vete që, ti ndreqësh gabimet, duke i parë ato drejt e në sy.

Shoku Kadri, ti ke luftuar e punuar gjithë këto vite dhe Partia e Populli të kanë besuar përgjegjësi të larta. Por ti, të themi të voglën e më të voglës, ke lejuar e ke bërë gabime të mëdha politike, që i kanë kushtuar shumë Partisë dhe Popullit. Prandaj ti nuk mund të vazhdosh e të mbash postet që të ka besuar Partia.

Edhe unë, bashkohem me shokët që ti, duhet të shkarkohesh menjëherë si Ministër i Mbrojtjes Popullore, dhe do ti propozojmë Plenumit që, të përjashtohesh dhe nga Byroja Politike edhe nga Komiteti Qendror i Partisë, për veprime në kundërshtim me vijën e Partisë dhe me interesat e larta të shtetit, siç janë fshehja e të dhënave që kanë dalë në periudha të ndryshme, për anëtarët kryesorë të komplotit, të kryesuar nga tradhtari e armiku i rrezikshëm, Mehmet Shehu, kultivoni në kuadrot vartës të dikasterit të brendshëm, të frymës së familjaritetit të sëmurë, duke ju krijuar mundësi agjentëve të Mehmet Shehut që të vepronin lirshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, deri edhe qëndrimet dredharake, e provokuese të tij ndaj Byrosë Politike, duke u përpjekur që të shfajësohet e të mohojë gjithçka.

 

Prandaj deri në mbledhjen e Plenumit, të këshilloj që të thellohesh akoma më shumë në autokritikën që do bësh, në mënyrë që Plenumi, të bindet në sinqeritetin tënd, ndryshe Plenumi, mund të shkojë dhe më tej që, të kërkojë përjashtimin nga Partia dhe në këtë rast ne do të bashkohemi me Plenumin e Komitetit Qendror.

Neve, na vijnë shumë letra e rezoluta ku na kërkojnë: “Që t’ju shkojmë gjërave deri në fund”. Por po të dinte Plenumi, Partia, dhe Populli, sesi keni vepruar ju me rezidenturat dhe marrëdhëniet e palejueshme që keni pasur me KGB-në sovjetike, dhe me Shërbimet Sekrete të Demokracive Popullore, dhe se për këto, keni heshtur edhe kur komplotet janë zbuluar nga Partia, ata do të kërkonin dënime edhe më të rënda.

Por për interesat e larta të Partisë dhe Shtetit, as ne dhe as ti, as në Plenumin e Komitetit Qendror dhe as gjetkë, nuk do të bëjmë fjalë për dorëzim të listave të studentëve, civilë dhe ushtarakë, si dhe të rezidenturës ose të agjentëve tanë të organeve të Sigurimit Sovjetik dhe të vendeve të Demokracive Popullore.

Ky do të ishte jo vetëm një turp i madh që është bërë nga ju, por ne më shumë, duam të evidentojmë shqetësimin dhe panikun që mund të bëhet nga njerëzit tanë që kanë studiuar jashtë, e që sot, janë kuadro në sektorë të ndryshëm të vendit. Në këtë situatë, mendoj se Partia nuk mund të ketë më atë besim që ka pasur më parë te Kadri Hazbiu. Shokët shfaqën mendimet e tyre, dhe mendimi im është ky: se besimi ynë ndaj shokut Kadri, ka humbur shumë.

Por shpresat që ai të ndreqet, nuk i humbasim. Këtë vendim që po marrim për të, shoku Kadri, të mos e marri si vendim të rëndë, dhe as faktin që nuk po e përjashtojmë nga Partia, të mos na e marri si dobësi por, si shenjë që ne, nuk i kemi humbur shpresat nga ai. Pra mendimi im është që, për gjithë këto gabime të rënda, Kadri Hazbiu, të shkarkohet nga të gjitha funksionet partiake e shtetërore.

Shkarkimi i tij nga detyra, të bëhet sa më parë dhe nga ana e qeverisë të ndiqet procedura siç bëhet në këto raste, kurse për popullin do të themi se: “Shoku Kadri Hazbiu, shkarkohet nga detyra si Ministër i Mbrojtjes Popullore dhe del në pension”. Komitetit Qendror ne, do t’i bëjmë të njohur vendimin që thashë pak më parë, dhe në mbledhje të Plenumit, shoku Kadri, duhet të bëjë një autokritikë të shëndoshë e të thellë ku, të reflektohet gjithë sinteza e vendimit të Byrosë Politike, me përjashtim të çështjes së dorëzimit të sekreteve të Ministrisë së Brendshme, agjenturës sovjetike nga ana e agjentit Mehmet Shehu, si dhe të vënies në lidhje të bashkëpunëtorëve dhe agjentëve tanë, organeve të Sigurimit Sovjetik dhe të vendeve të tjera të Demokracive Popullore.

Kjo punë, nuk duhet të figurojë në autokritikën e Kadri Hazbiut, për arsye se, jo vetëm Plenumin e Komitetit Qendror do ta irritonte pa masë e, do të kërkojnë dënime të rënda për të, por edhe Partinë, do ta vinin në një situatë kritike pasi, do të shikoheshin me sy të dyshimtë, të gjithë ata kuadro që kanë studiuar në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e Demokracive Popullore. Kjo, do të ishte një katastrofë për ne, por këtë do të përpiqemi ta evidentojmë me ndërgjegje.

Ne do të bëjmë çmos që kjo, të mos bëhet çështje por, të mbetet vetëm në dijeni të Byrosë Politike, se kështu e kërkojnë interesat e Partisë e të Shtetit. Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë, mendoj që ne t’i komunikojmë vendimin e Byrosë Politike, ku do të karakterizojmë gabimet e rënda të shokut Kadri, siç janë mungesa e madhe e vigjilencës në zhvillimin e luftës së klasave, brenda në ministri, ku vepronte një grup i madh e i rrezikshëm, që kërcënonte interesat e Partisë e të Shtetit, si dhe masat që u morën ndaj tij.

Të këshilloj shoku Kadri, që të mos e marrësh si dobësi të Partisë dhe është në të mirën tënde që, t’ju mbyllësh gojën dhe t’ju kthesh krahët, atyre që do të mundohen të të nxisin kundër Partisë ose të të ushqejnë njëfarë kulti, që është krijuar për disa shokë të Luftës, apo që kanë pasur përgjegjësi të larta. E theksoj këtë se, nuk më pëlqeu fare që, vetëm se nuk t’u përmend funksioni shtetëror si Ministër i Mbrojtjes Popullore në mitingun e Pezës, bëre 5-6 faqe protestë, duke e ngritur këtë si një gabim të madh dhe jo vetëm të një personi, por duke u shprehur me shumë nervozizëm, që Partia nuk mori masa të menjëhershme për, t’ju dhënë fund parullave që ishin përhapur për ty, se ti ishe arratisur bashkë me familjen, etj.

Ç’mund të bënim ne, më tepër?! Aty ku u dëgjuan, parullat u hodhën poshtë dhe ne si udhëheqës menduam se, dalja në presidiumin e mbledhjes solemne të 40 vjetorit të Konferencës së Pezës, dhe dërgimi në mitingun e Pezës, do t’i përgënjeshtronin këto parulla. Armiku edhe me thashetheme, bën punën e vet.

Kështu ngjet shokë, dhe me vdekjen e shokut Hysni Kapo. Është përhapur lajmi në të gjithë Shqipërinë sikur shoku Hysni, nuk ka vdekur nga kanceri, por e kanë eliminuar me urdhër të Mehmet Shehut dhe me këtë, tentojnë që Hysni Kapon, ta bëjnë një martir të veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut. Por nuk është kështu. Hysni Kapo, është një “Hero i Popullit”, dhe një luftëtar i lavdishëm i Partisë, por s’ka asnjë dyshim se, ai vdiq nga kanceri.

Po përse përhapen atëherë këto fjalë?! Kush i përhap këto?! Ka edhe pjesëtarë të familjes së Hysniut, që kanë pasur dyshime për këtë çështje, dhe këto i kanë shprehur por ua kemi luftuar. I kanë ri shprehur përsëri, dhe ua kemi luftuar përsëri. Por ka midis tyre dhe kushërinj, ka edhe armiq që, kërkojnë t’i krijojnë vështirësi Partisë.

Çfarë të bëjmë ne për këtë?! Të mbaj një fjalim të veçantë unë, ku të them se shoku Hysni nuk është vrarë, por vdiq nga kanceri?! Jo, unë këtë nuk e bëj, por e mbroj shokun Hysni Kapo, për meritat e mëdha që ka pasur dhe që vdiq nga kanceri ai, këtë e kanë vërtetuar edhe mjekët.

Prandaj shoku Kadri, çështjen e prekjes së sedrës së tij personale, çështjen që të mos njolloset e kaluara e tij, të mos e vejë në krye përpara interesave të mëdha të Partisë. Pra nesër në një mënyrë, ose në një tjetër, ne nuk do të rrimë pa ja thënë Partisë, gabimet e Kadri Hazbiut.

Dëshiroj gjithashtu t’i vë në dukje Kadriut, se duhet të ketë një opinion më realist e më të shëndoshë për Partinë e për Popullin, për mendimet e tyre dhe për shfaqjen e këtyre mendimeve.

Le të përjashtojmë armiqtë që hedhin gjithfarë parullash po opinioni i shëndoshë i Partisë dhe i Popullit, nuk është vallë në gjendje që t’i bëjë pyetjen vetes dhe shoku-shokut, se nga të gjithë krerët e MPB-së që janë futur në burg, për arsye të komplotit të kryesuar nga Mehmet Shehu, kanë ngelur jashtë vetëm Kadri Hazbiu dhe Rexhep Kolli?!

Nuk mund të shkojmë më me mendimin që për njerëzit e thjeshtë të partisë dhe popullit, është tabu që të thonë vërejtje për ndonjë udhëheqës. Vigjilenca e Partisë dhe Popullit, është ngritur e forcuar shumë pas zbulimit të komplotit të Mehmet Shehut dhe të bandës së tij në krye të Ministrisë së Brendshme.

Prandaj ngrihen pyetjet, e ne duhet të japim përgjigje. Por ne as kemi lejuar dhe as do të lejojmë shpifjet e armiqve që peshkojnë në ujra të turbullta. I them shokut Kadri, se nuk është e para herë që ngjet një gjë e tillë, pasi kurrë të mos kujtojmë se parullat e armikut nuk zënë vend. Ato zënë vend, por të mbushnit burgjet me njerëz që gjoja lëshonin parulla propagandistike e që bënin agjitacion ndaj shtetit, siç bënte Feçor Shehu të cilit, i kam folur aq ashpër, sa nuk bëhet për këtë çështje, do të thotë se është pasur një besim i madh në agjenturën e rekrutuar, në elementët e dyshimtë, për të kallëzuar në përgjithësi njerëz që mundet dhe të kenë bërë ndonjë kritikë ndaj shfaqjeve jo të rregullta në Parti nga njerëzit e saj, dhe që kanë qenë të drejta.

Mirëpo menjëherë, këto cilësoheshin si agjitacion dhe propagandë. Edhe gjykimi i fajtorëve, nuk është bërë në rregull. Nuk ka pasur kurrë një stabilitet të dënimeve për çështjet e njëllojta, pavarësisht se ne kemi në dorë edhe Kodin Civil, edhe Kodin Penal.

Por duke e pasur Hetuesinë në duar e Sigurimit, dhe për fat të keq në krye të Sigurimit të Shtetit kanë qenë elementë të tillë armiq, këta influenconin shumë në dhënien e mendimeve mbi Gjykatat dhe Prokuroritë. Pra në të shumtën e rasteve dënimet, influencoheshin jo vetëm nga ekspertiza e Ministrisë së Punëve të Brendshme, jo vetëm nga Hetuesia që varej nga ministri, por edhe nga influenca individuale e ministrit, zëvendësministrave, dhe e drejtorit të Sigurimit të Shtetit.

Kur ne, i morëm këto masa, këtë e bëmë për arsye se mendonim që në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kishim njerëz të Byrosë, kishim punonjës të kualifikuar që do të respektonin normat e Partisë. Këto norma, duhet të respektoheshin me rreptësi jo vetëm në hetuesi, e në ekspertizë, por edhe në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Gjykatën e Lartë.

Prandaj shikoni shokë, se sa shumë probleme duhen thelluar, duhen ndrequr, dhe duhen riparuar, në Ministrinë e Brendshme dhe në organet e Drejtësisë. Unë, rekomandoj dhe mendoj se parullat e armiqve duhet t’i luftojmë, t’i zbulojmë ata që i hedhin këto parulla. Por lufta më e drejtë është që këto, kur nuk kanë bazë t’ja sqarojmë popullit politikisht.

Duhet të kemi më tepër respekt për mendimet e komunistëve dhe për opinionin e shëndoshë të popullit, pasi ai është opinioni që do të luftojë dhe punën armiqësore të elementëve të fshehtë komplotistë. Prandaj shoku Kadri, qëndro me gjakftohtësi, fol e puno si komunist, dhe mendo jo për vete por si mund ta ndihmosh Partinë. Tek Partia mbështete kokën, sepse ajo nuk ta do të keqen, por të do të mirën. Ajo do vazhdojë të të ndihmojë po të ecësh në rrugën e saj. Memorie.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë