Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, tifo-grupi Fanatics u kërkon të gjithë tifozëve të Tiranës, që të bashkohen për shmangien e situatës së paprecedent që ky klub përjetoi gjatë sezonit që lamë pas.

Në thirrjen publike të tifozëve ndër të tjera shkruhet se: “Ndërsa vjet besuam më shumë se ç’duhej dhe pritëm pak si tepër, këtë vit nuk do t’i lemë gjërat të majisen deri në atë pikë. Koha për të vepruar është tani!

Të gjithë në këmbë për të mos lejuar indiferencën dhe papërgjegjshmërinë ndaj historisë, dinjitetit, të tashmes dhe të ardhmes bardheblu! Dëshirojmë pranë nesh, në këtë lëvizje që ka për qëllim VETËM mbrojtjen e TIRONËS, të gjithë tifozët, të rinj dhe veteranë, të gjithë ikonat bardheblu, të gjithë sportdashësit dhe dashamirët, të gjithe ata për të cilët për të cilët këto ngjyra janë të shenjta.

Ky do jetë vetëm fillimi. Dhe kujdes, askush mos mundohet të instrumentalizojë politikisht këtë lëvizje, në njërin apo tjetrin krah: LARG POLITIKES – AFËR TIRONËS, SOT E PËRGJITHMONË!

Tirana edicionin që lamë pas me shumë vështirësi arriti të siguronte qëndrimin në Superiore, prandaj tifozët kërkojnë që të shmanget përsëritja e situatës dhe klubi të paraqesë projektin për të ardhmen e ekipit, pasi futbollistët po rrezikojnë që të largohen nëse nuk veprohet në kohë.