Tinka Kurti: Dita e
Pavarësisë në Kosovë

Tinka Kurti: Dita e<br />Pavarësisë në Kosovë
TIRANE - Janë 20 intelektuale nga Shqipëria “dëshmitaret okulare” të asaj ditë-dasme të madhe më 17 shkurt 2008. Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Roza Anagnosti, Besa Imami, Makbule Ceco, etj, rrëfejnë për ditën e bekuar të shqiptarëve, Pavarësinë e Kosovës. Pesë vjet më parë me një flamur të madh u nisëm nga Vlora në udhën e gjatë, për të përjetuar ëndrrën shekullore. Udhëtuam në rrugën e vjetër duke kapërcyer Qafën e Malit mbushur me dëborë. U ulëm për të pushuar pak në restorant Gjallica dhe pastaj të dehura me shlivën e famshme të Kukësit dhe emocionet u nisëm drejt Prishtinës, për të bujtur të gjitha në shtëpinë e deputetes Flora Brovina. Aty kaluam një natë të pagjumë, për të prekur sa më shpejt ëndrrën shekullore të 17 shkurtit, shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Kjo ishte edhe ëndrra e Nermin Vlorës, që të shihte me sytë e saj Kosovën e Pavarur, por kjo ngjarje erdhi 4 vjet më vonë, pasi ajo mbylli sytë. “Jam e lumtur që përqafova Florën, mbesën e Isë Buletinit, unë mbesa e Ismail Qemalit, këtu në Vlorë dhe ëndërrojmë që shpejt të takohemi në Kosovën e Pavarur. Dua ta jetoj këtë ditë, nëse jo, nuk do të më tretë toka në Kaninën e lashtë”, i tha ajo Brovinës. Ishte ky amanet, një shkak më shumë, për t’u nisur atë ditë të akullt të 16 shkurtit drejt Prishtinës me një grup grash të inkuadruar në Fondacionin që ka emrin e Nermimit... Prishtina ishte "pushtuar"nga shqiptaria. Ndërsa të gjithë kishim mbërthyer vështrimin tek monitori gjigand, sa një faqe muri, për të prekur sekondën, për të cilën kemi pritur një shekull: “Kosova shpallet shtet i pavarur”, deklaruar nga Ashim Thaçi, një burrë i moshuar, kërkon lejë të futet mes grupit tonë dhe i drejtohet Tinka Kurtit me fjalët: ”Më lejo, artiste e madhe të dhuroj këtë flamur, që e kam sjellë nga Australia e largët, që e kam mbajtur nën jastëk një jetë të tërë dhe të vendos në kokën tënde qeleshen e bardhë- simboli i shqiptarit. Ishte një moment emocional, që u përcoll me duartrokitje të nxehta, lot mallëngjimi dhe aparati fiksoi këtë foto që botohet për herë të parë. Tinka Kurti shprehet pas 5 vjetësh: “Kjo foto, ky flamur, janë një kujtim i bukur, që më zgjojnë emocionet e asaj dite të madhe për shqiptarët. Sot në ditën përkujtimore, i putha me mall dhe emocion. Në atë lum gëzimi, unë kam një peng, -thotë Tinka me sytë e mbushur me lot. -Nuk  munda të marr emrin e atij shqiptari që më dha dhuratën më të shtrenjtë, që ta telefonoja dhe uroja në këtë 5-vjetor të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”.

BILANCI I PAVARËSISË


Shumë dështime e pak suksese për 5 vjet

Republika e Kosovës për pesë vjet të funksionimit si shtet i pavarur, pothuajse ka dështuar në çdo fushë, ndërsa sukseset kanë qenë jashtëzakonisht të pakta. Mosluftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërhyrja e qeverisë te institucionet e drejtësisë, dëmtimi i imazhit në arenën ndërkombëtare, mossundimi i rendit dhe ligjit, manipulimi i zgjedhjeve, janë vetëm disa nga pikat që pasqyrojnë shtetin e Kosovës. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, deklaroi dje se vetë fakti se Kosova së shpejti do ta festojë 5-vjetorin e pavarësisë nënkupton fitore të madhe, por sipas tij, institucionet nuk kanë bërë sa duhet për këto pesë vjet. “Kosova ka ndërtuar institucione demokratike”, ka thënë ai, duke shtuar se “Sigurisht që lënë për të dëshiruar shumë, por gjithsesi Kosova në 5-vjetorin e saj është një shtet i ri, një shtet me perspektivë, dhe perspektiva saj varet shumë nga gjithë shoqëria e Kosovës”, ka deklaruar ai, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. Të zhgënjyer me arritjet e shtetit për 5 vjet shprehen edhe drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Ismet Beqiri, thekson se prej 5 vjetësh qeverisja në vend ka degraduar tërësisht.  Edhe në pjesën ku autoriteti është i konsoliduar, niveli i korrupsionit dhe i krimit të organizuar është në vlim. Është më i larti në rajon, që për pasojë ka pasur izolimin e shtetasve, duke i bërë të vetmit në Evropë që nuk mund të lëvizin pa viza në Zonën Schengen. Kosova nuk gëzon as statusin prej shteti në raport me mekanizmat më të rëndësishëm ndërkombëtarë. Nuk ka ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por nuk ka as deputetë në Këshill të Evropës. Nuk ka as kodin e saj telefonik, nuk posedon kodin e saj bankar e nuk e ka as kodin në internet. Sportistët nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike dhe as në kampionate në nivel të Evropës a të botës. Përtej këtyre, Kosova ndodhet prapa të gjitha vendeve edhe në kontekst të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Këngëtarja italiane Giusy Ferreri koncert në Tiranë: E lumtur që rikthehem, të rinjtë të jenë autentikë

Këngëtarja italiane Giusy Ferreri koncert në Tiranë: E lumtur që rikthehem, të rinjtë të jenë autentikë