Tinka Kurti: Me Rolandin
lamë një rol përgjysmë

Tinka Kurti: Me Rolandin<br />lamë një rol përgjysmë
Lajmin për vdekjen e aktorit Roland Trebicka ditën e 6 Marsit, Tinka Kurti e mori vesh në Vlorë. Sapo Tefta Radi pikasi titrat e lajmeve në TV dhe bëri një “uuuaaau” të fortë, vetëtimthi aktorja Kurti u zverdh dhe nuk u ndie mirë.

Sa i befasishëm ishte lajmi, aq i madh ra hidhërimi në zemrën e aktores. Tinka Kurti e kaloi këtë lajm në një situatë të pakëndshme shëndetësore dhe u desh kohë që ta marrë veten, pasi dëgjoi për vdekjen e aktorit. Ishin mbledhur në Vlorë të përkujtonin 87-vjetorin e lindjes së artistes së Popullit Violeta Manushi (ka lindur më 6 mars).

Pasi e qetësuam Tinkën dhe i kaluam së bashku çastet e pikëllimit për aktorin Trebicka, i marr një intervistë për të ditur më shumë për lidhjet miqësore të tyre si artistë dhe vlerësimin e saj për Aktorin Trebicka.

Tinka, pamë që ju e përjetuat keq lajmin për vdekjen e aktorit Roland Trebicka, nuk mjaftuan vetëm lotët. Përveçse si partner në skenë, kishit miqësi me të ndjerin?
-Ju ishit e pranishme dhe patë sesa keq e përjetova lajmin e hidhur. Ndjeva dhimbje. Roland Trebicka u nda nga jeta i ri. Ky aktor i madh, me plot gojën do ta thosha ishte i domosdoshëm për Teatrin dhe për mua ishte një njeri i pazëvendësueshëm. Më vjen keq që e them që ishte i pazëvendësueshëm, por kjo është bindja ime dhe jo vetëm e imja. Unë e kam pasur disa herë partner në skenë dhe jam ndjerë shumë-shumë mirë me të. Mbi të gjitha, keqardhja vjen e shumëfishtë, kur konstaton që është moshë e re. Nuk e kishte kohën për të ikur tani. Tefta Radi na ngushëlloi duke thënë se “vdekja nuk njeh moshë”, por ikja në këtë moshë e aktorit të talentuar është e dhimbshme. Bashkë lamë edhe një rol përgjysmë.

Mos kishit ndërmend ndonjë shfaqje të re me të?
-Po, do të vinim në skenë “Këshillin e Ndrikullave”, me regjisor Gëzim Kame. Rolandi do të zëvendësonte aktorin shkodran Tano Banushin, një aktor fenomen, që nuk përsëritet më në skenën e teatrit, por Rolandi, ishim të bindur se do ta interpretonte në të njëjtin nivel me Tanon. Me këtë pjesë punoi diçka Sheri Mita. Ndodhi që edhe ai u nda para kohe nga jeta, tani u nda nga jeta edhe aktori kryesor Trebicka. Tri ndrikullat ishin Drita Pelinku, Margarita Xhepa dhe unë, por edhe ato kanë pasur probleme me shëndetin.

Do të ketë një formatim të ri të trupës, që do të vërë në skenë, pjesën, ju do të luani me partner të tjerë?
-Ku i dihet se çfarë ndodh edhe me mua, jemi në moshë për të ikur. Rolandi, nuk duhet të ikte, ishte i ri. Ndaj, nuk mund të marr asnjë angazhim.

Cilat janë rolet, që keni pasur partner Trebickën?
-Kam luajtur edhe në film, ashtu edhe në skenë. Kam kujtime të bukura. Kujtoj një çast, kur bënim prova në një komedi, në vend të Suela Pronjarit ai më kapi mua dhe me humor tha: “Ua, qënkërke plakur,Tinka!”. “Jo mor Roland, po gabon”. Jeta jonë ka qenë e larmishme, me shumë partnerë në skenë. Njërin e kam pasur djalë, tjetrin bashkëshort, një tjetër të fejuar, por kam pasur edhe armiq. Unë jam munduar që gjatë gjithë jetës sime, t’i konsideroj miq dhe këtë e kam nga nëna ime, që më porosiste gjithmonë e më thoshte: Të gjithë janë vëllezërit e tu. Kur vinte në shfaqje nëna ime vlerësonte më shumë partnerët e mi, ndërsa për mua që kisha rolin kryesor, përgjigjej: “Hajde bijë, se mundesh edhe ma mirë”. Kurrë nuk më jepte notën shkëlqyer.

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve

Presidenti Biden kërkon reformim të Gjykatës së Lartë, kufizim të mandatit të anëtarëve