TIRANE- Fëmijët e shkollave, të kopshteve dhe të çerdheve po përballen këto ditë me ftohtin edhe brenda institucioneve arsimore, kjo për faktin se në 50 % të tyre sistemi i ngrohjes me kaldajë nuk punon dhe në disa të tjera ai nuk është instaluar fare. E kësaj situate, i shtohet edhe dalja jashtë funksionit e dyerve dhe dritareve të cilat nuk punojnë duke bërë që ambientet e brendshme të jenë njëlloj të ftohta si ato të jashtme. Ndërkohë rasti më ekstrem ka qenë ai në çerdhen 45, e cila u mbyll ne mesditë, pasi aty mungonte edhe energjia elektrike.
 
Shkollat
Nxënsit e shumë shkollave në kryeqytet janë detyruar të zhvillojnë mësimin në të ftohtë për shkak të mungesës së ngrohjes, ose në rastin më të mirë në praninë e një ngrohësi të vogël elektrik. Kjo për shkak të mungesës së sistemit të kaldajave apo defektit që ato kanë pësuar. Bashkia e Tiranës, përgjegjëse për administrimin e shkollave të arsimit parauniversitar, thotë se mungesa e kaldajave, në 40 % të shkollave dhe prishja e tyre në afro 20% të shkollave të tjera kanë çuar në këtë situatë. “60% e shkollave kanë sistem ngrohje dhe 40% e shkollave nuk kanë.

Kemi një pjesë të shkollave ku kaldaja dhe sistemi është i dëmtuar fizikisht. Në çdo njësi bashkiake rezulton se ka 1 apo 2 shkolla të cilat kanë sistemin e dëmtuar”, thotë Alfons Muça, drejtor i ndërmarrjes numër 3. Por, edhe në ato shkolla ku sistemi i ngrohjes është funksional, ka patur probleme me ngrohjen. Kjo për shkak të një vendimi të Këshillit të Ministrave, të disa viteve me parë, që i detyron shkollat t’i mbajnë ndezur kaldajat jo më shumë se 3 orë në ditë. Kjo vlen edhe për shkollat që zhvillojnë mësim paradite e pasdite.

“Kaldajat e objekteve shkollore punojnë me kohë të reduktuar, pasi një vendim i këshillit të Ministrave nuk na lejon që ti ndezim kaldajat më shumë se 3 orë në shkolla dhe 4 orë në çerdhe dhe kopshte. Shkollat që punojnë me dy turne është e pamundur që brenda kësaj kohe që punon kaldaja të përballojnë të ftohtin”, pohon Muça.
 
Çerdhet
Problem me ngrohjen kanë patur edhe fëmijët e çerdheve, ku rasti më ekstrem ka qenë ai në çerdhen 45 e cila ndodhet në njësinë bashkiake 8, ku përveç mungesës së kaldajave gjatë ditës së djeshme mungonte edhe energjia elektrike. Të gjendur përballë kësaj situate drejtuesit e saj dhe edukatorët kanë lajmëruar prindërit të marrin fëmijët e tyre pasi ishte e pamundur qëndrimi në ato ambiente të ftohta. Sa i përket kopshteve dhe çerdheve të tjera, Bashkia për këtë situatë justifikohet duke fajësuar qeverinë, pasi ajo bllokoi buxhetin e 2014.

”Në buxhetin e bashkisë së Tiranës për vitin 2014 në qoftë se ai nuk do të ishte bllokuar ishte parashikuar që në 90% të shkollave të kishin impiante të reja ngrohëse” thekson Muça. E ndërsa, institucionet kërkojnë të gjejnë fajtorin, fëmijëve do u duhet që edhe përgjatë dy muajve të ardhshëm të dimrit të qëndrojnë në ambient të ftohtë e pa ngrohje. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)