TIRANË - Edhe pse kanë kaluar 65 vjet nga krijimi i Arkivës Qendrore të Shtetit , rreth 35 për qind e lëndës arkivore ka ngelur ende e pa përpunuar dhe e pasistemuar për shkak të personelit të pamjaftueshëm. Këtë deklaroj drejtori i Arkivës Qendrore të Shtetit Gjet Ndoj në ceremoninë përkujtimore të 65-vjetorit të krijimit të Arkivës.
 
Përmes një ekspozite fotografish dhe dokumentash, si dhe një dokumentari , të ftuarit në këtë aktivitet u njohën me të gjithë kronologjinë e krijimit të arkivës.

65 vite më parë, kur vendi ynë sapo kishte dalë nga lufta e dytë botërore, krijimi i një institucioni arkivor ishte bërë një domosdoshmëri. Edhe pse pjesa më e madhe e institucioneve ishin plotësisht të shkatërruara, në zyrat e tyre fondet dokumentare ishin të pafundme.
 
“Qeveria e asaj kohe me një dekret – Urdhërese nr 21 dt 8/6/1949, bën fjalë për krijimin e Arkivit të Shtetit. Ky institucion e kishte varësinë nga Kryeministria, Drejtor u emërua Zef Mala, i cili për shkak të kulturës dhe vizionit që kishte, luajti një rol shumë pozitiv në themelimin dhe projektimin e së ardhmes së këtij Institucioni.”U shpreh Gjet Ndoj, Drejtor i Përgjithshëm i Arkivit te Shtetit
 
 
Për ruajtjen dhe pasurimin e mëtejshëm të arkivës, Ndoj tha se Arkiva Qendrore e Shteti është në komunikim edhe me disa arkiva të shteteve të ndryshme, si Kosova, Turqia, Hungaria, Mali I Zi, Kroacia, Itralia , si dhe Arkiva Historike e Vatikanit për të shkëmbyer dokumente të rëndësishme të ngjarjeve të mëdha historike.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)