TIRANË -  Ka mbërritur në Tiranë, misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar, që pritet të kalojë në “sitë” të gjithë sistemin fiskal e financiar të vendit. Sipas burimeve nga dikasteri që tashmë drejtohet nga Shkëlqim Cani, ekipi do të kryejë një auditim fillestar, në të gjitha fushat e financave publike.
 
Në takime me specialistët shqiptarë ekipi i FMN-së, do të analizojë zhvillimet e fundit makroekonomike dhe perspektiva e rritjes së ekonomisë së vendit, shifrat e inflacionit, të bilancit të pagesave, kushtet fiskale dhe kreditimi bankar. Gjithashtu, do të analizohen struktura e borxhit publik dhe parashikimet, qëndrueshmëria e borxhit, diskutimi i strategjisë së menaxhimit të borxhit, etj.
 
Nevojat për financim afatmesëm nga institucionet ndërkombëtare financiare dhe mënyrat për të reduktuar varësinë e qeverisë nga bankat tregtare, pritet të jenë tema të tjera të kësaj analize, sqarojnë burimet nga ministria, sipas të cilave, edhe politika për kontraktimin e borxhit të ri dhe perspektivat e rifinancimit të kredive tregtare do të jenë pjesë e analizës.
 
Gjatë takimeve, do të analizohet realizimi i treguesve të buxhetit për vitin 2013 dhe objektivat kryesore që do të merren parasysh në hartimin e projekt-buxhetit për vitin e ardhshëm.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)