TIRANË - Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me BE, do të ndërtojë disa banesa sociale dhe një shkollë të re për komunitetin rom në Bregun e Lumit
Në kuadër të “Javës së Vlerave Rome”, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me PNUD-in kanë organizuar edhe Panairin e Artizanëve, i cili është hapur sot në rrugën “Murat Toptani”.

Në këtë panair, artizanë romë dhe nga rajone të ndryshme të vendit do të prezantojnë punimet e tyre, si shprehje e traditave dhe kulturës së këtij komuniteti.

Në ceremoninë e hapjes së këtij panairi, zv/Kryetarja e Bashkisë Jorida Tabaku ka lançuar iniciativën e përbashkët me BE, për rikualifikimin urban të dy zonave të populluara nga komuniteti rom në njësitë bashkiake 4 dhe 8. Pjesë e rikualifikimit është dhe ndërtimi i banesave sociale për këtë komunitet dhe një shkollë e integruar me kopshte dhe çerdhe.

“Ne, bashkarisht me Delegacionin e Bashkimit Evropian kemi një projekt i cili së shpejti fillon të zbatohet, për rehabilitimin dhe rikualifikimin urban të dy blloqeve në njësinë nr.4 dhe 8, ku pjesa më e madhe e përfituesve dhe banorëve janë pikërisht nga komuniteti rom.

Kësaj zone do t’i shtohet një shkollë që është tërësisht e dedikuar për komunitetin rom; do t’i shtohen banesa sociale, totalisht për komunitetin rom.
Më në fund, ne po ofrojmë arsimimin dhe strehimin për këtë komunitet, i cili ka pasur shumë vështirësi në integrim” - tha ajo.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)