TIRANE - Ambientalisti Lavdosh Ferruni,shprehet se plani i ri i kryeqytetit do të bënte që ambienti të ndotej edhe më shumë, duke sjellë shumë pasoja për shëndetin e qytetarëve.

Çfarë janë problematikat e mjedisit urban ?
Mjedisi urban është një hapësirë ku ka një përqendrim të banorëve në disa parametra të caktuara që mund të klasifikohen si qytete. Shqetësimi në rastin e Tiranës është se ky mjedis urban është jashtë parametrave normalë të qyteteve evropiane. Një tregues shumë i rëndësishëm është dendësia e popullsisë për kilometër katror. Gjykuar nga ky tregues, ne arrijmë në konkluzionin që Tirana aktualisht pa këtë plan, është një nga qytetet me dendësinë më të madhe të popullsisë për njësi të sipërfaqes në shkallë botërore. Tirana mund të renditet në 15 qytetet me dendësi me të madhe në shkallë botërore. Tirana ka 15000 banorë për km2.

Sa do të shkonte popullsia e kryeqytetit sipas planit të ri?
Nëse do të marrim në konsideratë Planin e ri Rregullues të Tiranës, i cili parashikon që në këtë qytet të shtohen deri në 400 mijë banorë. Kjo do të thotë që Tirana do të arrijë një dendësi prej 25 mijë banorë për km2. Për arsye se sipërfaqja është ajo që është dhe ky fluks i shtimit të popullsisë e çon Tiranën në një qytet që mund të jetë i pabanueshëm, nëse kjo vërtet ndodh.

Cilat janë pasojat e një dendësie të madhe të popullsisë të përqendruar në një qytet?
Pasojat dihen, të gjithë qytetet që kanë një dendësi popullsie të madhe siç është dhe kjo e sotmja e Tiranës kanë një ndotje shumë të madhe, që është edhe e paevitueshme. Aq më tepër në një vend si Shqipëria që nuk ka infrastrukturën e nevojshme, dhe anën financiare për të menaxhuar sa më mirë territorin e vet.

Cilat janë pasojat në aspektin ekonomik?
Nga ana ekonomike krijohet vështirësi në këto qytete të mëdha. Për arsye se nuk kemi prodhim në këtë hapësirë por vetëm shërbime. Konsumi është i madh dhe kërkon zhvendosje të prodhimit nga zonat rurale në zonat urbane. Studimet thonë se efiçenca ekonomike vjen edhe ulet me rritjen e popullsisë. Kështu që nuk mund të pretendohet që ky kërcënim i madh do të sjellë edhe një rritje të prodhimit dhe mirëqenies në shkallë vendi. Shumë problematike është jo vetëm çfarë ndodh në Tiranë, por me këtë plan përqendrohet 1/3 e popullsisë në qytet, që ka më pak se 0.2 për qind të sipërfaqes, të territorit të vendit.

Pse bëhet kjo gjë, ky plan, kur ka kaq shumë pasoja negative?
Unë mendoj që një plan afatgjatë, nuk i takon një qeverie të caktuar, e një Këshilli Bashkiak që votohet nga një grup i caktuar politik. Plani afatgjatë kërkon një konsensus të gjerë të publikut. Ky plan është votuar në Këshillin Bashkiak vetëm nga votat e mazhorancës gjë që nuk është normale. Një plan që i përket 30-40 viteve të ardhshme, duhet të ketë një konsensus shumë të gjerë. Duhet të ketë një konsensus me bijtë tanë, që nuk kanë të drejtë vote, ashtu sikurse ne nuk kemi të drejtë t’u lëmë fëmijëve tanë një hapësirë urbane, ku ata do jetojnë jashtë kritereve normale urbane. Nuk kemi të drejtë që fëmijëve tanë t’u lëmë një shkallë ndotje të lartë, të planifikuar. Pra ne po planifikojmë një ndotje të shtuar për qytetin dhe këtë ndotje po e bejmë me plan. Pra ne po ndotim qytetin me plan. Kjo është më kriminale se sa të bësh një ndotje aksidentale. Të ndotësh me plan është e papranueshme për kohën e sotme.

Do të ishte e arsyeshme mbajtja e një referendumi?
Referendumi është gjithmonë shkalla më ë lartë e shprehjes. Në këtë rast hapi i parë është që të shtyhet vendimi i KKRT-së, në një kohë tjetër jo në këtë moment, para zgjedhjeve. Ku çdo gjë mund të politizohet fare lehtë, vendimi duhet të shtyhet për një kohë tjetër dhe ndërkohë të bëhet edhe një diskutim i gjerë me ekspertë vendas dhe të huaj, me specialistë, me publikun. Si mund të ribëhet ky plan në një mënyrë të pranueshme dhe kjo është në interes të çdo qytetari.

(2:25:07 PM) Plani i ri rregullues i Kryeqytetit, ka bërë që shumë ambientalistë të reagojnë për pasojat që sjell ai. Sipas ambientalistit Lavdosh Ferruni, ky plan do të sillte shumë pasoja sociale dhe ekonomike, përveç atyre mjedisore. Ai thotë se ky plan bën një ndotje të planifikuar.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 5 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)