TIRANË - Një biznesmen është grabitur nën kërcënimin e armës. Ngjarja ku janë grabitur me armë 40 mijë euro, mësohet se ka ndodhur mesditën e sotme rreth orës 16:00 ndërsa është bërë e ditur vetëm në mbrëmje.

Burime nga Policia e Tiranës kanë bërë të ditur se, i grabituri është pronari i një biznesi në zonën pranë Urës së Beshirit në periferi të Tiranës ku ka ndodhur edhe grabitja.

Sipas dëshmisë së dhënë nga biznesmeni, grabitësi ka pasur në dorë një armë tip shotgan me të cilën e ka kërcënuar. Grabitësi mësohet se, ka thyer me armë xhamin e makinës dhe ka marrë shumën e parave që ndodhej në sedilen e parë.

Denoncimi është bërë në komisaratin numër 6 në zonën e Kombinatit. Hetimi është ndërmarrë nga efektivët e sektorit të vjedhjeve në Policinë e Tiranës dhe efektivët e komisariatit numër 6.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)