Detaje të reja të hetimit janë zbardhur nga prokuroria dhe Shërbimi i çështjeve të Brendshme dhe Ankesave për ish-shefin e krimeve të komisariatit nr.2, në kryeqytet, Dritan Metani.

Shefit të krimeve i janë gjetur 66 mijë euro akte noteriale, para këto që dyshohet se mund t’i ketë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm korruptiv nga funksionet në polici, ku sipas hetuesve i kamuflonte me shit-blerje së automjeteve.

Ky fakt është konfirmuar nga gjetja në banesën e Metanit të 5 akteve noteriale të huadhënies dhe shit-blerjes së makinave. Në total vlera e këtyre akteve sipas burimeve të policisë arrinte në 66.200 euro.
 
Kjo shumë parash sipas hetuesve, nuk është e justifikuar, ç’ka ka bërë që të ngrihen dyshime se Metani, ka kryer vazhdimisht veprime korruptive. Hetimi ka zbuluar se Metani vartësi i tij, Gojart Bushi, kishin marrë takime me pronarët e dy lokaleve në kryeqytet.
 
Dy sipërmarrësit kishin ngritur tenda pa leje në territorin që kontrollonin Metani e Bushi dhe gjatë hetimeve kanë pohuar se kanë pasur kontakte me dy drejtuesit e policisë.
 
Pas hetimeve të kryera janë ngritur dyshime se Metani e Bushi i kishin lejuar qëllimisht tendat në kundërshtim me ligjin. Gjatë vitit të kaluar të dy këta efektivë kishin referuar në prokurori vetëm një rast të ngjashëm.
 
Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com