TIRANE- Sot në mëngjes një banesë është përfshirë nga flakët për shkak të shpërthimit të një bombole gazi, pranë “21 dhjetorit” në Tiranë. Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar por vetëm dëme materiale.

 Banesa përdhese e Ramiz Idrizit, ndodhej prapa ambulancës nr 9 në Tiranë. Familjarët kanë tentuar të shuajnë zjarrin me mjete rrethanore, ndërkohë që ndërhyrja e zjarrfikësve evitoi përhapjen e flakëve të cilat rrezikonin banesat përreth. Nga të dhënat e para dyshohet se zjarri ndodhi nga shpërthimi i bombolës së gazit.

Nuk është hera e parë që banesat përfshihen nga flakët për shkak të shpërthimit të bombulës së gazit, në muajt e fundit shpërthimet e tilla i morën dhe jetë njerëzish në kryeqytet.

Rasti më i fundit, raportohet në Shkodër kur më 27 dhjetor 2012 babë e bijë, Dedë e Silvana Luca, 60 e 14 vjeç humbën jetën nga shpërthimi i bombolës së gazit. Ndërsa më 6 dhjetor në Sauk vdiq kryefamiljari, Ilir Qefalia ndërsa bashkëshortja dhe vajza e tyre e vogël u lënduan.

Në një prononcim për emisionin Urbanika, (12 dhjetor) menaxheri teknik i një shoqërie të kolaudimit të bombolave të gazit në Tiranë, Njazi Elezi dha alarmin se nga 50 mijë bombola gazi që ndodhen në Tiranë, vetëm 300 prej tyre i janë nënshtruar kolaudimit pranë kësaj pike.

(Redaksia online)
(sg/shqiptarja.com)