TIRANE - Edhe pse 16 ditët e aktivizimit kundër dhunës në familje përfunduan në dhjetorin e vitit që lamë pas, ndërgjegjësimi për këtë fenomen vazhdon. Këtë herë Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare kishte zgjedhur të rinjtë e Fakultetit të Elektronikës për të diskutuar për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje.

Ndryshe nga auditoret e fakulteteve të tjera, ku gjinia femërore dominon, këtë rradhë klasa ishte e mbushur më shumë me meshkuj.

E si për koinçidencë , këtë vit aktivitetet që u organizuan në kuadër të luftës kundër dhunës me bazë gjinore, si nga Ministria e Rinisë dhe Mirëqenies Sociale, shoqëria civile apo shoqatat e ndryshme në ndihmë të gruas, identifikoheshin me frazën: “ Djemtë dhe burrat, si pjesë e zgjidhjes”. Edhe në diskutimin me studentët e elektronikës, çështja u fokusua pikërisht në rolin që duhet të luajnë burrat, në zgjidhjen e këtij problemi që ka “infektuar” shoqërinë shqiptare prej kohësh.

Ajo që u vu re gjatë diskutimit, ishte pikërisht dëshira e madhe e këtyre të rinjve për t’u organizuar vullnetarisht në aktivitete të ndryshme ndërgjegjësimi, jo vetëm në kryeqytet, por edhe më gjerë.

Sipas tyre, vetëm në këtë mënyrë mund të kontribuohet në parandalimin e dhunës në familje. Takime të tilla me studentë, si një nga kategoritë e ndjeshme të shoqërisë, pritet të zhvillohen edhe në fakultetet e tjera.


(v.gj/shqiptarja.com)