TIRANË - Vihet në pranga dhe i dyshuari i tretë për vrasjen e Erjon Lila-jt, ngjarje kjo e ndodhur në muajin janar të këtij viti në Tiranë. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës, kanë bërë të ditur se, nga Sektori i Krimeve të Rënda në sajë të një informacioni, është bërë kapja e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit Erjon Lila, i cili është Besat Lataj, 28 vjeç.

Kjo ngjarje mësohet se, ka ndodhur më datë 17 janar të këtij viti, në afërsi të rrugës ”Siri Kodra”, pas një konflikti të çastit, përmes autorit dhe viktimës. Arrestimi i 28-vjeçarit është bërë në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Tiranës.

Në ngarkim të Lataj, Gjykata e Tiranës në datën 23 Prill 2013, për këtë person ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”. I ndaluari akuzohet se, në bashkëpunim me babain e tij Sherif Lataj dhe vëllain Sebastjan Lataj, kanë vrarë me armë zjarri shtetasin Erjon Lila.

Dosja me materiale, i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)