Data e sotme është historike për qytetin që para 104 vjetësh ngriti flamurin e pavarësisë.

Tirana shpallte pavarësine më 26 Nëntor 1912, për herë të parë pas 500 vjetësh nën sundimin otoman.

Në ato ditë historia e vendit zhvillohej me orë.
Ushtritë serbe kishin arritur të shtinin në dorë Krujën dhe me padurim prisnin të pushtonin edhe Tiranën.

Por, patriotët e ndritur Refik dhe Hamit Toptani, iu bashkuan arkitektit të pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemalit në projektin që do sillte lindjen e shtetit shqiptar.

Refik Toptani arriti të organizonte në 22 Nëntor 1912 udhëtimin historik për në Vlorë të të gjithë delegatëve të Shqipërisë së Mesme dhe vetë Ismail Qemalit
.
Në datën 26  ai mblodhi menjëherë, anëtarët e Keshillit të Tiranës për të shpallur vetëqeverisjen. Vendimi i madh dhe historik u shpall publikisht nga Toptani përpara popullit të Tiranës duke kumtuar; “Rroftë Shqipëria në vehte, Rroftë flamuri kombëtar”.

Kjo i parapriu ngritjes së flamurit në Vlorë, duke shënuar krijimin e shtetit amë. Ismail Qemali punoi ngushtësisht me dy delegatët dhe përfaqësuesit e popullit të Tiranës në qeverinë e parë me Abdi Toptanin, ministër në qeveri dhe në pleqësinë e shtetit shqiptar pranë qeverisë me Murat Toptanin.

Pra, roli i Tiranës dhe burrave të mençur të saj që nderuan kombin në kushtet e rrethimit të egër serb është i jashtëzakonshëm dhe historik. Shpallja e pavarësisë Kombëtare të Shqipërisë përfaqësoi aspiratat shekullore të popullit shqiptar, krijimin e shtetit të pavarur.

Më pas, Tirana u shpall kryeqytet në vitin 1920 me vendim të Kongresit të Lushnjës, ndërsa ishte themeluar për të qenë një qendër modeste shkëmbimesh për një popull bujk, që vuante mungesën e një tregu të afërt.

Redaksia Online
A.L/Shqiptarja.com