Një ngjarje e rëndësishme në skenën e artit të pavarur bashkëkohor shqiptar, që tashmë shënon edicionin e dytë, “Tirana Art Weekend” ka sjellë në kryeqytet dhjetëra artistë nga vendi dhe bota. Nga 27 deri më 30 nëntor, Tirana është transformuar në një galeri shumëfunksionale, të gjallëruar nga ekspozita, ndërhyrje urbane, performanca, lexime, shfaqje, biseda, muzikë dhe shumë më tepër.

“Fundjava e fundit e nëntorit sjell gjithmonë risi të mëdha për artin në kryeqytet. E gjithë skena mblidhet në një zë të përbashkët, për të treguar zhvillimet më aktuale të artit bashkëkohor në Tiranë. Ky edicion i dytë provon që iniciativa është e qëndrueshme dhe e fuqishme, me mbi 80 artistë dhe dhjetëra aktivitete në gjithë qytetin.”, thotë për “Report TV” organizatori i aktivitetit, drejtues i “Albanian Visual Arts Network”, Elian Stefa.

Organizuar nga “Albanian Visual Arts Network” (Rrjeti i Artistëve Vizualë Shqiptarë) në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës në Tiranë, “Tirana Art Weekend” u kurua nga Arnold Braho, një artist shqiptar që jeton në Milano.

Një nga veprat që ka tërhequr vëmendjen gjatë këtyre ditëve është instalacioni më i fundit i artistit Gentian Shkurti, i projektuar mbi fasadën e saporestauruar të Galerisë Kombëtare të Arteve. E komisionuar në bashkëpunim mes Galerisë Kombëtare dhe Rrjetit të Arteve Pamore Shqiptare, vepra, e titulluar “Video-survejim GKA” përdor kamera mikroskopike për të kapur mikrodetaje nga veprat e koleksionit kombëtar të GKA-së, duke zbuluar tekstura, gjurmë kohe dhe detaje të padukshme për syrin e lirë. Këto fragmente transformohen në një narrativë abstrakte që sjell një dimension të ri të trashëgimisë vizuale shqiptare.

“Jemi shumë të kënaqur si Galeri Kombëtare të prezantojmë punën e Gentian Shkurtit, këtu, në fasadën tonë, në kuadër të këtij bashkëpunimi të ngushtë. Kjo video, merr në shqyrtim gjashtë vepra të koleksionit kombëtar të Galerisë Kombëtare të Arteve, vepra nga Zef Shoshi, nga Lumturi Blloshmi, nga Androniqi Zengo. nga Edison Gjergo, nga Sali Shijaku dhe nga Vangjush Mio. Të gjashtë këta artistë janë përzgjedhur për forcën e tyre dhe për zhanrin që përfaqësojnë dhe brenda tematikës, edhe për punët që kanë të krijuara gjatë kësaj periudhe. Vepra është një lloj hulumtimi artistik i vetë artistit që me një kamera mikroskopike ka ndaluar mbi çdo telajo që sapo përmendëm të këtyre artistëve. Janë gjashtë punë në total.”, thotë Genti Gjikola, artist dhe përfaqësues i Galerisë Kombëtare të Arteve.

Instalacioni zgjat deri në 33 minuta dhe është shfaqur në mënyrë të vazhdueshme në fasadën e Galerisë, duke sjellë tek publiku një interpretim bashkëkohor të veprave ikonike të artit shqiptar.

“Tirana Art Weekend” paraqet një program të pasur aktivitetesh, duke e vendosur Tiranën edhe një herë në hartën e qendrave aktive të artit bashkëkohor në rajon.