Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë reagon për zhvillimet në veri të Kosovës.

"MPJ ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe dënon dhunën e bandave kriminale serbe kundër trupave paqëruajtës të KFOR-it në fshatin Rudarë.

MPJ mbështet vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ushtrimin e sovranitetit të saj, vendosjen e rendit e ligjit për të siguruar lirinë e lëvizjes në të gjithë territorin, në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in.

Duke i uruar shërim të shpejtë paqëruajtësve të plagosur në aksionin për të siguruar lirinë e lëvizjes në veri të Kosovës, theksojmë se nxjerrja para drejtësisë e autorëve të dhunës, si dhe çmontimi i strukturave paralele e kriminale serbe të sigurisë janë imperative për të vendosur rendin dhe ligjin edhe në këtë pjesë të vendit".