Tirana dhe Prishtina në një zë:
Të hetohet Carla del Ponte

Tirana dhe Prishtina në një zë:<br />Të hetohet Carla del Ponte
TIRANE- Tirana dhe Prishtina zyrtare kërkojnë hetime të pavarura ndërkombëtare ndaj ish- kryeprokurores së Hagës. Hetimet për rolin tendencioz e të paligjshëm në çështjen kundër Ramush Haradinaj. Prishtina: Del ponte fabrikoi dhe akuzat e Dick Martit.

Pas reagimit të djeshëm të qeverive të dy shteteve shqiptare për hetimin e ish-prokurores së Hagës Carla Del Ponte, sot vjen i njëjti qëndrim nga Presidenti Bujar Nishani. Ky reagim i përbashkët vjen pas lirimit të Ramush Haradinajt me argumentin se Del Ponte ka shkelur kompetencat e saj dhe ka dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës.

TIRANA: KA ROL TENDENCIOZ
Nëpërmjet një njoftimi për mediat ditën e sotme Presidenti i Republikës kërkon hetim të pavarur për prokuroren Carla Del Ponte

"Presidenti i Republikës së Shqipërisë gjen rastin të përshëndesë edhe një herë vendimin objektiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës që shkarkoi ish-Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorët e tij nga të gjitha akuzat, pas një procesi të drejtë dhe transparent.
Zoti Haradinaj u përball dy herë me akuzat e ngritura nga ish- Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës znj. Carla del Ponte. Por ajo që po përbën lajmin më shokues këto ditë janë deklaratat e fundit të prokurorëve të njohur të kësaj Gjykate, se akuza e ngritur ndaj ish kryeministrit Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorëve të tij nga Prokurorja Carla del Ponte është hartuar pa bazë të mjaftueshme provash. Madje ajo nuk ka marrë parasysh këshillat e prokurorëve të çështjes kundër ngritjes së aktakuzës për mungesë provash, madje duke kërkuar edhe fshirjen e këtij rekomandimi nga regjistrat kompiuterikë dhe shkarkimin e tyre nga çështja.
Në këtë situatë, Presidenti i Republikës kërkon që institucionet ndërkombëtare përkatëse të kryejnë një hetim të pavarur ndaj ish-Prokurores Carla del Ponte në lidhje me pretendimet e ngritura për rolin e saj në hetimin ndaj zotit Ramush Haradinaj dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Dalja në pah e së vërtetës në lidhje me këtë çështje i shërben drejtësisë ndërkombëtare në përgjithësi dhe besueshmërisë së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë", thuhet në njoftimin e Presidentit Nishani.

Ndërkohë që qeveria deklaroi dje se "do t’i kërkojë instancave përkatëse ndërkombëtare të ndërmarrin një hetim ndaj ish-prokurores së Hagës, Carla del Ponte. – thuhet në njoftimin e djeshëm të Kryeministrisë ku pershendetet edhe një herë lirimi i Haradinajt.

“Opinioni publik shqiptar është tronditur thellë nga deklaratat e fundit të prokuroreve të famshëm të Tribunalit të Hagës, që kanë ngritur akuzat ndaj Slloboban Millosheviçit si dhe ndaj autorëve të Masakrës së Sebrenicës, në të cilat pohohet se akuza e ngritur ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinajt dhe bashkëpunëtorëve të tij nga prokurorja Carla del Ponte është hartuar pa bazë të mjaftueshme provash, duke mos marrë parasysh dhe anashkaluar rekomandimin e prokurorëve të çështjes kundër ngritjes së aktakuzës për mungesë provash.- thuhet ne njoftimin për mediat.
Në bazë të këtyre deklaratave qeveria shqiptare do t’i kërkoë instancave përkatëse ndërkombëtare të autorizojnë dhe ndërmarrin një hetim të pavarur ndaj ish-prokurores Karla del Ponte në lidhje me pretendimet e ngritura për rolin e saj tendencioz dhe të paligjshëm në çështjen kundër ish-kryeministrit të Kosovës z. Haradinaj. Qeveria i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Ban Ki Moon dhe Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë të nisin menjëherë një hetim për të nxjerrë në pah të vërtetën në lidhje me këtë çështje.
Ndërkaq qeveria shqiptare bashkohet plotësisht me kërkesën e autoriteteve zyrtare të Kroacisë për hetim të pavarur të prokurores Carla Del Ponte lidhur me akuzën e ngritur ndaj gjeneralit Gotovina dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët Gjykata e Hagës i shpalli të pafajshëm”.

PRISHTINA: FABRIKOI AKUZAT E DICK MARTIT

Nga ana e saj edhe Qeveria e Kosovës kërkon nga autoritetet kompetete ndërkombëtare që të fillohen hetime kundër znj. Carla del Ponte për keqpërdorimin e autoritetit të saj si Kryeprokurore në rastin Haradinaj, rastin Limaj e të tjerë në vitin 2003 dhe lidhur me fabrikimet fantastiko-shkencore të Carla del Pontes lidhur me akuzat e Dick Martit e më gjerë. “Qeveria e Kosovës ndan mendimin se këto autorizime dhe privilegje janë tejkaluar dhe keqpërdorur deri në atë masë sa ka lejuar ngritjen e aktakuzave krejtësisht të pabaza, tendencioze e të kundërligjshme, duke çuar kështu në burgosjen dhe njollosjen e karaktereve të shumë figurave të çmuara politike të Republikës së Kosovës, si dhe duke dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës".- thuhet në njoftimin për shtyp.

"Qeveria e Kosovës, i ka bëre thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të Tribunalit dhe autoriteteve të tjera ndërkombëtare OKB-së që të fillojë hetimin e veprimeve të saja të kundërligjshme të cilat në çdo situatë do të arsyetonin zhveshjen e saj nga privilegjet që ajo do të gëzonte normalisht si Prokurore.

BALAJ NE BURG NË DUBRAVE

Për dallim nga Ramush Haradinaj e Lahi Brahimajt, Idriz Balaj pas lirimit nga Haga iu desh që të “niset” në Dubravë. Një dënim i vitit 2002, nga një gjykatë vendore, bëri që ai të mos e shijojë lirinë e tij.
Avokati i tij mbrojtës thotë se mund të falet pjesa më e madhe e dënimit të tij. Sipas avokatit, nuk ka logjikë që ai të mbahet në burg me akuzat e njëjta për krime nga të cilat në Hagë u shpallë i pafajshëm. Të njëjtën e shpreson edhe babai Balës, Murseli.

(Redaksia online)
(sg/eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Priten kabllot e fibrave optike! Arrestohet një ekstremist i majtë pasi tentoi një tjetër sabotim në tren

Paris 2024/ Priten kabllot e fibrave optike! Arrestohet një ekstremist i majtë pasi tentoi një tjetër sabotim në tren