Krerët e shtetit vërshuan në reagime kundër dhunës së përdorur në protestë, duke e cilësuar atë të papranueshme. Kryetari i Shtetit Bajram Begaj shkruajti se protesta paqësore janë e drejtë dëmokratike por dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë. As përdorimi i forcës nga policia nuk duhet të dalë jashtë kufijve të ligjit dhe proporcionalitetit, thotë presidenti.

Ai i ftoi qytetarët për dialog, ndërsa shtoi Kushtetuta dhe ligji duhet të mbeten kufiri i të gjithëve, pa përjashtim’.

Pas shënjestrimit të godinës së Kuvendit dhe i institucioneve publike, reagoi edhe kryeparlamentari Niko Peleshi, duke u bërë thirrje politikës të distancohet nga nxitjet për dhunë.

“Vandalizmi nuk ka asnjë lidhje me studentët dhe protestën demokratike. Dhuna dhe shkatërrimi nuk i shërbejnë asnjë kauze, por dëmtojnë interesin publik dhe vetë shoqërinë”, tha Peleshi.

Nga kryeministri Edi Rama, ende nuk ka asnjë reagim, megjithatë zv.kryeministrja Albana Koçiu u shpreh se Shqipëria e ka paguar jashtëzakonisht shtrenjtë faturën e kaosit në të kaluarën.

“Pamjet e dhunës, flakëve dhe përplasjeve në Tiranë, na kujtojnë se sa e brishtë është vija që ndan protestën paqësore nga kaosi. Në këto orë duhet qetësi, vetëpërmbajtje dhe maturi. Institucionet janë pasuri publike, bizneset janë puna e dikujt, rrugët janë të të gjithëve dhe siguria është e drejtë e çdo qytetari”, shkruajti Koçiu.

Reagim pati edhe nga Partia socialiste e cila tha se “Cilido që e do atdheun nuk shkatërron Shqipërinë”.

Me radhë e në mënyrë të përsëritur pati reagime nga titullarë të të gjitha ministrive, që nga Ajo e Arsimit që ra pre e akteve të dhunës, e financave, ministria e Mbrojtjes, ajo e Ekonomisë dhe ministria e Kulturës. Kryefjalë e apelit të tyre është distancImi nga dhuna dhe shkatërrimi si dhe apeli për vetëpërmbajtje.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:27
Ferit Hoxha dënon protestën në Tiranë: Dëmton imazhin e Shqipërisë dhe rrugën drejt BE-së

1792006499_f.jfif

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka reaguar në lidhje me protestën e dhunshme të zhvilluar në Tiranë duke dënuar pamjet e shkatërrimit të pronës dhe sulmet ndaj institucioneve e selive diplomatike.

Hoxha thekson se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke fituar besim dhe respekt ndërkombëtar, si dhe duke forcuar imazhin e saj si një vend i qëndrueshëm dhe i sigurt. Ministri nënvizon se protesta paqësore dhe shprehja e pakënaqësisë janë pjesë e demokracisë, por dhuna nuk mund të justifikohet.

Reagimi i plotë:

"Shqipëria ka bërë hapa madhorë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke fituar më shumë besim dhe respekt ndërkombëtar dhe duke ndërtuar imazhin e një vendi të qëndrueshëm, të sigurt, mikpritës dhe gjithnjë e më tërheqës. Pikërisht për këtë arsye, pamjet e dhunës, shkatërrimit të pronës dhe sulmeve ndaj institucioneve apo selive diplomatike janë dëshpëruese dhe të papranueshme.

Ato nuk përfaqësojnë as Shqipërinë e sotme dhe as atdheun që synojmë të ndërtojmë për nesër. Imazhi ynë ndërkombëtar është ndërtuar me shumë mund, ndër vite e dekada, por mund të cenohet lehtësisht. Çdo pamje dhune ndaj institucioneve, pronës publike apo asaj private dobëson mesazhin e stabilitetit, dëmton perceptimin e Shqipërisë si një vend i sigurt për turistët dhe investitorët dhe hedh hije e dyshime mbi aftësinë tonë të përbashkët për të përparuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Shprehja e pakënaqësisë dhe protesta paqësore janë pjesë e demokracisë; dhuna jo. Askush nuk duhet të dëmtojë një pasuri që na përket të gjithëve: emrin dhe reputacionin e Shqipërisë."-thuhet në reagimin e Hoxhës.

Ora 21:07
Protestuesit sulmuan zyrën ndihmëse juridike falas, ministri Gogu: Djegia e një zyre publike nuk është ushtrim i së drejtës së protestës

Ministri i Drejtësisë Toni Gogu ka reaguar pas dëmtimit të zyrës së ndihmës juridike falas, duke bërë të ditur se fatmirësisht asnjë punonjës nuk është lënduar.

Në reagimin e tij ai dënoi dhunën dhe theksoi se përgjegjësitë individuale për ngjarjen duhet të përcaktohen nga organet kompetente, sipas ligjit.

Në të njëjtën kohë, nënvizoi se të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë dhe të kërkojnë përgjigje për arsimin, punësimin dhe të ardhmen e tyre, pa u identifikuar me personat që përdorin dhunë.

Reagimi plotë:

Fatmirësisht, asnjë punonjës nuk është lënduar. Falënderoj zjarrfikësit dhe punonjësit e Policisë që ndërhynë për të mbrojtur jetën e njerëzve dhe për të kufizuar dëmet.

Në atë zyrë vijnë njerëz që nuk kanë mundësi të paguajnë një avokat. Pensionistë, nëna të vetme, të rinj, viktima të dhunës. Njerëz që kërkojnë ndihmë për të mbrojtur të drejtat e tyre.

Dëmin më të rëndë nuk e pëson qeveria. E pësojnë njerëzit që kanë më shumë nevojë për ndihmë.

Djegia e një zyre publike nuk është ushtrim i së drejtës së protestës. Përgjegjësitë individuale u takon t’i përcaktojnë organet kompetente, sipas ligjit.

Por dua të jem po aq i qartë për diçka tjetër. Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të ngrenë zërin dhe të kërkojnë përgjigje për arsimin, punën dhe të ardhmen e tyre. Ata nuk mund dhe nuk duhet të identifikohen me personat që po përdorin dhunë.

Nesër, ndihma juridike falas do të vazhdojë. Qytetarët do të mund ta marrin shërbimin te Hyrja e Ministrisë së Drejtësisë /  0800 10 10.

Zyrën do ta rindërtojmë.

Shërbimi nuk ndalet.

Ai dënoi dhunën dhe theksoi se përgjegjësitë individuale për ngjarjen duhet të përcaktohen nga organet kompetente, sipas ligjit. Në të njëjtën kohë, nënvizoi se të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë dhe të kërkojnë përgjigje për arsimin, punësimin dhe të ardhmen e tyre, pa u identifikuar me personat që përdorin dhunë.

Ministri bëri të ditur se ndihma juridike falas do të vijojë edhe ditën e nesërme, pranë hyrjes së Ministrisë së Drejtësisë, si dhe përmes numrit pa pagesë 0800 10 10.

“Zyrën do ta rindërtojmë. Shërbimi nuk ndalet”, përfundon reagimi i ministrit.

 

Ora 19:56
Protestuesit sulmuan Kuvendin, Peleshi: E papranueshme, subjektet politike të distancohen nga dhuna! Axhenda e askujt s’është mbi Shqipërinë

1791447429_nikopeleshi.JPG

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka reaguar pas sulmit ndaj godinës së Kuvendit dhe institucioneve duke e dënuar si akt të papranueshëm. Ai shprehet se dhuna dëmton interesin publik e shoqërinë dhe u kërkon subjekteve politike të distancohen prej saj. Kreu i parlamentit përmbyll se axhenda e askujt s’është më e rëndësishme se Shqipëria.

“Shënjestrimi i godinës së Kuvendit dhe i institucioneve publike, si dhe kthimi i tyre në caqe të zemërimit të verbër, janë të papranueshme.

Vandalizmi nuk ka asnjë lidhje me studentët dhe protestën demokratike. Dhuna dhe shkatërrimi nuk i shërbejnë asnjë kauze, por dëmtojnë interesin publik dhe vetë shoqërinë.

U bëj thirrje subjekteve politike të distancohen nga nxitjet dhe thirrjet për dhunë. Axhenda politike e askujt nuk është më e rëndësishme se Shqipëria”, thotë Peleshi.

Ora 19:55
Protesta e dhunshme në Tiranë, Erjona Ismaili: E ardhmja europiane e Shqipërisë nuk mund të cënohet nga flakët dhe përplasjet politike

1792000751_erjona.jpg

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ka reaguar për aktet e dhunës dhe shkatërrimit të pronës publike e private, duke theksuar se demokracia, institucionet dhe e ardhmja europiane e Shqipërisë nuk mund të cënohen nga flakët dhe përplasjet politike.

Në reagimin e saj, Ismaili nënvizon se institucionet nuk janë thjesht godina, por përfaqësojnë ligjet, rregullat dhe politikat që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Sipas saj, asnjë akt dhune nuk mund të zhbëjë investimet në arsim, mbështetjen për të rinjtë dhe programet që synojnë zhvillimin ekonomik e social të vendit.

Një vëmendje të veçantë në reagimin e saj, Erjona Ismaili i kushton rinisë, duke theksuar se të rinjtë nuk duhet të përdoren si instrument për interesa politike, por duhet të kenë mundësi reale për arsimim, punësim dhe zhvillim profesional.

Reagimi i plotë:

Shqipëria sot nuk digjet dot se i vutë flakën mureve, as se thyet xhama, as se shkulët semaforët.

Se, në fakt, demokracia, liria, zbatimi i ligjit nuk garantohen nga mure e godina.

Institucionet janë ligjet, rregullat dhe fryma që ato përcjellin, në përputhje me standardet europiane, të cilat nuk mund të nxihen as nga tymi i pishave dekorative, as nga tryezat e punës të bastisura prej mendjes suaj, që armikun më të madh ka të bukurën.

Sot u dogjën biznese, institucione, pemë prej atyre që rininë e kanë parë asgjë më shumë e asgjë më pak sesa mish për top.

Sot, kur shkollat janë të investuara e të rikonstruktuara, apo të ndërtuara të reja, sot kur të rinjtë paguhen më mirë, sot që u garantohen sigurimet shoqërore, sot që pensionet janë rritur, sot që financohen projekte e ide, që mbështeten doktoratura e studime shkencore, sot që ofrohet kredia studentore njësoj si në çdo vend europian, sot që ofrohen shtëpi me kredi të butë, shtëpi me interes 0%, sot që garantohet siguria dhe rendi, sot që kemi turizëm gjithëvjetor, sot që mbështetet fermeri, sot që mbështeten bizneset e vogla dhe të mesme, sot që ka programe për studentët ekselentë, praktika pune.

Këto nuk fshihen, nuk harrohen e nuk zhbëhen as me flakë e as me dhunë. Nuk zhbëhen as me godina të shkatërruara.

Shteti qëndron i fortë nga politikat, nga nismat, nga projektet e programet që shkojnë bashkë me vizionin.

Pedagogë që kërcënojnë studentët për të dalë në shesh, duke harruar se dega e PD-së është tjetërkund, larg auditorëve.

Nëse huliganët thyejnë, djegin e shkatërrojnë, e konsideroni se është faji i policisë që nuk u garanton siguri, ama nëse policia ndërhyn, e konsideroni dhunë ndaj protestuesve.

Hip se të vrava, zbrit se të vrava!

Sot është e njëjta dorë që nuk e duronte dot qetësinë e protestës qytetare, adresimin e çështjeve përmes dialogut dhe përjashtimin që protestuesit paqësorë u bënin atyre. Natën, në fshehtësi, organizuan atë që dinë të bëjnë më mirë, atë që mezi e mbajtën deri sot; djegien, shkatërrimin dhe prishjen e imazhit të Shqipërisë. Një padurim për pushtetin që e dinë se nuk do ta kenë, mesazhin për të cilin e morën edhe nga shpërfillja që protokollet e partnerëve tanë ndërkombëtarë i bënë kryetarit të tyre.

Në mes të gjithë këtij organizimi e pas tij është e njëjta dorë që, si kufomë politike, e vdekur dhe e pakallur ende, kërkon të ushqejë me gjak etjen e tij për pushtetin e munguar.

Krejt e kuptueshme përse, dëshpërimisht, pas çdo kapitulli që mbyllet me BE-në, ju doni të hapni një kapitull të ri dhune në Shqipëri.

Por jo mbi kurrizin e të rinjve dhe jo mbi kurrizin e Shqipërisë europiane! 

Ora 19:49
Sulmet ndaj Ministrisë së Arsimit, reagon Kumbaro: Shkatërrimi i pronës ka zënë vendin e fjalës! Jemi derë e hapur për dialog

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka reaguar për protestën duke përkrahur të drejtën për të kërkuar më shumë nga institucionet, por e ndan atë nga dhuna ndaj pronës publike dhe godinave të qeverisë.

Ajo thekson disa herë një ftesë për dialog pasi aktet e shkatërrimit “nuk përfaqësojnë marrëdhënien e Ministrisë së Arsimit me studentët.”

Sa për dëmet e shkaktuara në ministri për shkak të xhamave të thyer dhe flakëve në katin e parë, thotë se janë shkatërruar edhe dokumente. Megjithatë, Ministria e Arsimit do të jetë ende me dyer të hapura, pavarësisht trazirave, përfundon Kumbaro.

Reagimi i plotë:

Po ndjekim me shumë shqetësim atë që ka ndodhur këto dy ditë rreth e brenda godinës së Ministrisë së Arsimit dhe në institucione të tjera.

Pavarësisht se kush proteston dhe për çfarë proteston, është e rëndë të shohësh situata ku përplasja fizike dhe shkatërrimi i pronës zënë vendin e fjalës, zëvendësojnë argumentin dhe dialogun.

Si një universitare që kam protestuar vetë sa herë e kërkonte nevoja për të përdorur këtë të drejtë demokratike të fituar me sakrifica, kam respektin maksimal për të drejtën e studentëve për të kërkuar gjithmonë e më shumë nga institucionet, ama, protesta qytetare studentore dhe

-dhuna ndaj godinave dhe pronës publike;

-dhuna ndaj vendit të punës të punonjësve publike, aq më shumë kundër punonjësve të Arsimit, nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën!

Kjo vijë ndarëse duhet të mbetet e qartë për cilindo.

Ministria e Arsimit, ndonëse rëndë e dëmtuar nga dhuna e orëve të fundit, ka qenë dhe do të jetë një derë e hapur për komunikim me universitetet, me studentët, me prindërit dhe me këdo që ndërton dialog, ashtu siç kemi bërë gjithmonë.

Shqetësimet i dëgjojmë dhe propozimet i shqyrtojmë bashkë, pa paragjykime dhe pa i kthyer mospajtimet në përplasje.

Aktet e sotme të shkatërrimit nuk përfaqësojnë marrëdhënien e Ministrisë së Arsimit me studentët.

Përtej investimeve që janë kryer e do të vijojnë në çdo universitet të vendit,

-Janë çdo vit mbi 12 mijë studentë nga familjet në vështirësi që përfitojnë mbështetje financiare për studimet e tyre;

-Mbi 40 mijë studentë përfitojnë tarifa të reduktuara ose përjashtim nga tarifat e studimit;

-Qindra studentë ekselentë dhe ata që ndjekin programe prioritare për të cilat vendi ka nevojë përfitojnë bursa dhe mbështetje mujore në masën e pagës minimale prej 500 euro!

Jam e bindur se studentët nuk mund ta bëjnë kurrsesi shkatërrimin e institucioneve të tyre dhe të pronës publike e asaj private.

Studentët nuk mund ta shkatërrojnë shtëpinë e tyre.

Në një institucion ku normalisht mund të hyhet për dialog nga dera, nuk ka nevojë të thyhen xhamat dhe të digjen zyrat.

Pavarësisht se kati i parë i Ministrisë së Arsimit është djegur, duke dëmtuar jo vetëm bazën materiale por edhe dokumente, duke mos qenë i përdorshëm deri sa të riparohet, stafi i Ministrisë së Arsimit është në krye të detyrës dhe Ministria e Arsimit do t’i ketë dyert e hapura si gjithmonë, sepse institucionet krijohen nga njerëzit dhe njerëzit dinë të flasin e të komunikojnë dhe kush më shumë se studentët dhe arsimtarët mund ta bëjnë këtë.

Hekurat që thyejnë xhama nuk zgjidhin asnjë problem, ashtu siç gurët e trotuareve nuk ndërtojnë të ardhmen; atë e ndërtojmë në auditorë, me vizion, me dije, me argumente dhe me përgjegjësi.

Të dashur studentë, kujdesuni për veten dhe mos lejoni që askush t'ju shtyjë drejt akteve të dhunës.

Zëri juaj ka vlerë pikërisht kur dëgjohet përmes ideve dhe argumenteve!

Ora 19:36
Gonxhja reagon për protestën: Asnjë barrikadë nuk mund ta ndalë rrugën europiane të Shqipërisë

1791999688_5.webp

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestën në Tiranë, duke dënuar aktet e dhunës dhe shkatërrimin e pronës publike.

Sipas Ministrit organizatat studentore, këshillat studentore dhe senatet akademike duhet të distancohen urgjentisht nga këto akte.

"Asnjë barrikadë nuk mund ta ndalë rrugën europiane të Shqipërisë! E drejta për të protestuar është e pacënueshme, por nuk i jep askujt të drejtën të ushtrojë dhunë, të vërë zjarr apo të shkatërrojë. Institucionet nuk janë të partive: ato u përkasin qytetarëve dhe sulmet ndaj tyre cenojnë rëndë rendin dhe interesin publik! Vetgjyqësia, urrejtja, kaosi nuk janë as zgjidhje as alternativa! Axhenda e destabilizimit i shërben vetëm interesave antishqiptare, në momentin më të lartë historik të progresit tonë demokratik, kombëtar e integrues!

Organizatat studentore, këshillat studentore dhe senatet akademike duhet të distancohen urgjentisht nga këto akte dhe të angazhohen për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës. Heshtja përballë dhunës i lë hapësirë ujqve të së shkuarës dhe armiqve të Shqipërisë europiane. 

Në vëmendje të veçantë mbrojtja e objekteve të kulturës, monumenteve dhe muzeve: Organizatorët dhe pjesëmarrësit duhet të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë këto pasuri. Ato mbartin historinë, kujtesën dhe identitetin tonë dhe u përkasin të gjithë shqiptarëve. Asnjë kauzë nuk mund të përligjë cenimin e pasurisë sonë kombëtare."- thuhet në reagimin e Blendit. 

Ora 19:23
Protestat, reagon PS: Dhuna s’është zgjidhje, Shqipëria e ka paguar shtrenjtë faturën e kaosit në të kaluarën

Partia Socialiste ka reaguar për protestat në Tiranë ku shkruan se dhuna nuk është zgjidhje dhe fatura e kaosit në të shkuarën është paguar shtrenjtë. PS thotë se kushdo që e do atdheun, nuk e shkatërron.

“Dhuna nuk është zgjidhje!

Shqipëria e ka paguar jashtëzakonisht shtrenjtë faturën e kaosit në të kaluarën, ku në emër të zemërimit dhe revoltës, u sulmuan institucione e u shkatërrua prona.

Cilido që e do atdheun nuk shkatërron Shqipërinë”, thuhet në postim.

Ora 19:06
Dyer të thyera dhe zyra të dëmtuara, Ibrahimaj reagon përmes pamjeve: Shkatërrimi nuk është protestë!

1791998276_3.JPG

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka reaguar sërish në rrjete sociale pas akteve të dhunës të regjistruara pasditen e sotme në ambientet e institucionit, ku protestuesit i vunë flakën godinës së Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit (MEI).

Përmes pamjeve të publikuara nga ministrja, ajo ka bërë një reagim në rrjetet sociale ku dënoi aktet e dhunës dhe vandalizmit, duke theksuar se djegia e një institucioni nuk mund të konsiderohet protestë paqësore.

Stop dhunës! Stop shkatërrimit!

"Shkatërrimi nuk mund të jetë protestë! Është e dhimbshme të shohësh në flakë vendin ku çdo ditë punojnë njerëz që kanë familje që i presin në shtëpi. Asnjë pakënaqësi nuk mund të justifikojë vënien në rrezik të jetës së tyre."

Institucionet janë pasuri e përbashkët e qytetarëve dhe dëmtimi i tyre është një dëm për të gjithë ne. Djegia dhe shkatërrimi i ambienteve institucionale përbëjnë akte të papranueshme, që përtej dëmeve materiale, krijojnë rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e personave që ndodhen në godinë, si dhe cenojnë funksionimin normal të institucionit”, shkruan ministrja.


 

Ora 18:39
Flamuri i UÇK-së në protestën e dhunshme në Tiranë, Ulsi Manja reagon ashpër: Këta nuk janë studentë por militantë të Berishës

Me një video të një protestuesi që mban flamurin e UÇK-së gjatë akteve vandale në Tiranë, socialisti Ulsi Manja ka bërë thirrje për ndalimin e përdorimit të simboleve të UÇK-së në djegien e pasurive publike. 

Në postimin e tij në Facebook, Manja i quan protestuesit militantë të PD-së dhe Sali Berishës duke thënë se ata nuk janë as studentë e as qytetarë. 

"Stop përdorimit të simboleve të UÇK-së në djegien e pasurive publike dhe grabitjen e pasurisë private e publike! 
Këta nuk janë as studentë, as qytetarë! Janë militantë të PD-së dhe Sali Berishës!" thotë Manja 

Ora 18:28
Protestat e dhunshme në Tiranë, Koçiu akuzon opozitën: Janë të parët e klasës për zjarrvënie e vandalizëm

1790068375_albanakociu.jpg

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar pas protestës sw dhunshme në Tiranë, duke akuzuar opozitën se po përdor protestën e studentëve për akte dhune dhe vandalizëm.

“Ngelësit e përhershëm të zgjedhjeve, që përdorin dhe ndosin çdo protestë për të kaluar klasën. Këta, në fakt, s’kanë lidhje me studentët, këta janë ‘pedagogët’ e zinj të dhunës, që vijnë për të bërë apelin, për të numëruar mercenarët që kanë paguar, për të parë kush ka munguar sot në ‘mësimin’ e shkatërrimit dhe kush prej tyre do të dalë i pari i klasës për zjarrvënie e vandalizëm, atë që e mbartin në ADN-në e tyre politike”, shkruan Koçiu në rrjetet sociale.

Ora 18:25
Pamje nga protesta, Ministri Nufi: Kjo protestë, vetëm me studentët nuk ka më lidhje!

1791995982_nufi.jpeg

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale lidhur me protestën, duke deklaruar se ajo nuk ka më lidhje vetëm me studentët.

“Kjo protestë, vetëm me studentët nuk ka më lidhje! Ky është modeli dhe dhuna që shqiptarët njohin prej vitesh!”, shkruan Nufi në reagimin e saj.

Në videon e publikuar shfaqen Klevis Balliu, me maskë në fytyrë, si dhe Luçiano Boçi, të cilët duken duke biseduar me disa prej protestuesve të maskuar.

Reagimi vjen në një kohë kur protesta është shoqëruar me tensione dhe incidente, ndërsa pamjet e publikuara kanë nxitur reagime lidhur me zhvillimet në terren.

Ora 18:20
Malaj dënon aktet e dhunës ndaj Ministrisë së Financave: E drejta për të protestuar respektohet, dhuna jo

Ministri i Financave Petrit Malaj ka reaguar gjithashtu ndaj akteve të dhunshme që u regjistruan në ambientet e Ministrisë së Financave në qendër të kryeqytetit.

Në postimin e tij në Facebook, Malaj thotë se protesta e humb kuptimin në momentin kur fjalët zëvendësohen me gurë. AI thotë se e drejta për të protestuar respektohet por rrezikimi i jetës së tjetrit dhe dëmtimi i pronës publike janë të pajustifikueshme. 

"Kur fjalët zëvendësohen me gurë, protesta humbet kuptimin e saj. E drejta për të protestuar, për të kundërshtuar dhe për të kërkuar llogari është e drejtë e çdo qytetari. Dhe duhet respektuar gjithmonë. Por dhuna nuk është mënyra për t'u dëgjuar. Asnjë pakënaqësi nuk e justifikon rrezikimin e jetës së të tjerëve apo dëmtimin e pronës publike dhe private" 

Ora 18:01
Sulmi ndaj Ministrisë së Financave, reagon Ibrahimaj: Institucioni u shërben qytetarëve, të ndalet dhuna

1791388557_delinaibrahimaj.jpg

Pas akteve vandale të regjistruara pasditen e kësaj të mërkure tek Ministria e Financave, ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj ka reaguar duke bërë thirrje për ndalim të dhunës dhe shkatërrimit. 

"T’i vësh flakën një institucioni nuk është protestë paqësore. Është një akt që rrezikon jetë njerëzish. Këto janë zyra që i shërbejnë shtetit dhe qytetarëve, pavarësisht se kush është në qeveri. Janë vende pune ku çdo ditë punojnë njerëz, prindër, të rinj, që kanë familje që i presin në shtëpi. Asnjë punonjës nuk duhet të rrezikojë jetën në vendin e tij të punës. Asnjë pakënaqësi nuk mund të justifikojë djegien e institucioneve që u përkasin të gjithëve dhe që do t’u shërbejnë edhe brezave të ardhshëm" shkroi Ibrahimaj në Facebook.

Ora 17:25
Presidenti Begaj reagon për protestat: Dhuna s’është mjet i pakënaqësisë, përdorimi i forcës nga policia s’duhet të kalojë kufijtë! Zyra ime e hapur për dialog

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar lidhur me protestat ku thotë se dhuna s’është mjet për të shprehur pakënaqësinë, por as forca e policisë s’mund të kalojë kufijtë e ligjit.

Ai shpreh gatishmërinë për të dëgjuar shqetësimet e çdo qytetari dhe mbetet i hapur për dialog me ta. Thirrja e tij kryesore mbetet për vetëpërmbajtje e përgjegjësi nga të gjitha palët.

“Presidenti i Republikës ndjek me shqetësim përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave dhe u bën thirrje të gjitha palëve të veprojnë me përgjegjësi e vetëpërmbajtje.

E drejta për protestë paqësore është themel i demokracisë dhe detyrim i shtetit për ta garantuar. Por dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë, as përdorimi i forcës nga policia nuk duhet të dalë jashtë kufijve të ligjit dhe proporcionalitetit.

Në këtë moment, vendit  i duhet më shumë përgjegjësi. Kushtetuta dhe ligji duhet të mbeten kufiri i të gjithëve, pa përjashtim.

Mbetem i gatshëm të dëgjoj te gjitha shqetesimet.

Zyra ime është dhe do të mbetet e hapur për çdo të ri e çdo qytetar që dëshiron të shprehet, të dialogojë dhe të kontribuojë për të mirën e vendit”, shkruan ai në Facebook.

Ora 13:48
Peleshi bën thirrje për qetësi: Dhuna dhe vandalizmi nuk i shërbejnë askujt

1791554855_nikopeleshi.JPG

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka bërë thirrje që e drejta për të protestuar të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe në respekt të ligjit. Në një reagim, ai thekson se çdo akt dhune apo vandalizmi është i papranueshëm dhe nuk i shërben as dialogut, as interesit publik.

" E drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese, por duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe në respekt të ligjit. Çdo akt dhune apo vandalizmi është i papranueshëm dhe nuk i shërben as dialogut, as interesit publik. Në rrugën tonë drejt Bashkimit Europian, përgjegjësia, dialogu dhe respekti për ligjin janë vlera që duhet të na udhëheqin në çdo rrethanë, veçanërisht në këtë moment me rëndësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë.Shqipëria po  ecën me shpejtësi drejt objektivit të mbylljes së kapitujve të negociatave deri në fund të vitit të ardhshëm. Bashkimi Europian është destinacioni i të gjithë shqiptarëve, pa dallim. Për këtë qëllim, duhet të kontribuojmë të gjithë me përgjegjësi qytetare dhe historike" shkroi Peleshi. 

Ora 11:29
Gogu dënon aktet e dhunës në Tiranë: Nuk i shërbejnë asnjë qytetari! (VIDEO)

 

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, reagoi pas ngjarjeve të së martës në Tiranë, duke theksuar se e drejta për të protestuar është themelore dhe duhet respektuar, por nuk mund të ushtrohet në dëm të jetës, sigurisë dhe të drejtave të të tjerëve. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se "dhuna nuk i shërben asnjë qytetari", ndërsa bëri thirrje për qetësi, përgjegjësi dhe respektim të ligjit.

"Dhuna nuk është asnjëherë zgjidhje. Aq më pak thirrjet për dhunë e kaos, sulmet ndaj institucioneve dhe bizneseve. E drejta për të protestuar është themelore dhe duhet respektuar. Por ajo shoqërohet me përgjegjësinë për të respektuar jetën, sigurinë dhe të drejtat e të tjerëve. Dhuna nuk i shërben asnjë qytetari. Qetësia, përgjegjësia dhe respekti për ligjin janë në interes të të gjithëve" shkroi ai në rrjete sociale.