TIRANE, 17 Shtator /ATSH/- Bashkia e Tiranes  ka lançuar sot nismën "Tirana pa makina".
Ka qenë  kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, ai që e ka promovuar i pari këtë nismë, ku i shoqëruar dhe nga përfaqësuesit e Ecovolis, ka përdorur sot biçikletën në vend të makinës për të sensibilizuar qytetarët që të përdorin sa më pak makinën e tyre në jetën e përditshme, për t'i dhënë qytetit mundësinë e një jete më të shëndetshme.
"Jam shumë i lumtur që sot nisim një javë fantastike për Tiranën. Do të jetë java e mobilitetit ku duam të promovojmë një jetë të shëndetshme në Tiranë, njerëzve që ecin dhe që përdorin biçikletat. Më vjen mirë që bashkë me Ecovolis, atë që nisëm gjatë fushatës, duam  ta vazhdojmë tani në bashkinë e re të Tiranës",  tha kryetari i Bashkisë për mediat lidhur me këtë nismë.
Sakaq, ai bëri të ditur se nisma në fjalë do të shtrihet në një javë dhe përgjatë këtyre ditëve,  bashkia dhe organizatat e ambjentaliste do të zhvillojnë një sërë aktivitetesh që kanë për qëllim të nxisin qytetarët të përdorin mjetet ekologjike për të lëvizur në Tiranë.
"Në datën 22 shtator, ditën e martë, ne do të bllokojmë  trafikun në qendër të Tiranës, brenda asaj që quhet unaza e vogël e Tiranës, për të pasur një qendër të kryeqytetit pa makina", tha Veliaj. Më tej ai sqaroi  se ndërmarrja e kësaj nisme bëhet e domosdoshme për shkak të ndikimit negativ që ka në jetën e qytetarëve lëvizja me makina.
"Çdo ditë në bashkinë e Tiranës lëvizin 140 mijë makina. Kjo do të thotë që ka njerëz që e marrin makinën për të shkuar nga një kafe në një kafe tjetër. Kjo është totalisht e papranueshme",  tha ai.
Gjithashtu, ai  bëri me dije  se gjatë ditës së sotme në bashkinë e Tiranës është vendosur një stacion biçikletash, ndërsa ka urdhëruar zyrtarët e bashkisë që të përdorin më shumë biçikletat.
Java pa makina është nismë e Bashkimit Europian qe shtrihet në gjithë botën. /a.ke/f.n/