Fitorja e pestë radhazi në kampionat i ka dhënë mundësinë Vllaznisë të shkëputet +3 pikë në krye të Superligës. Shkodranët në ndeshjen e fundit mposhtën 0-1 Teutën falë golit të Esat Malës në pjesën e parë. Kaq mjaftoi për fitoren, teksa kjo përballje pati edhe tension mes tifozërive.

“Nuk kemi kohë të gëzojmë se të premten nap ret Vora dhe duhet të jemi të përqëndruar maksimalisht sepse ndeshjet sa vijnë dhe na vështirësohen,”-u shpreh Edi Martini, trajner i Vllaznisë.

Në sfidën tjetër të së dielës, për herë të parë këtë sezon, Tirana bëri dy fitore radhazi pasi mposhti 0-1 kampionët e Egnatias. Goli i vetëm i sfidës u realizua nga Redon Xhixha në pjesën e parë, ndërsa rrogozhinasit patën akuza të rënda për arbitrat. Trajneri Tetova u shpreh se për të disatën ndeshje radhazi Egnatias po i hahet haku, duke marrë shkas nga penalltia e anuluar, por edhe dy të tjera të padhëna në pjesën e dytë sipas rrogozhinasve. Për pasojë të akuzave reagoi shoqata ‘Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë’, që tha se trajneri Tetova po përpiqet të justifikojë rezultatet jo të mira sportive.

Më herët Partizani barazoi 2-2 me Elbasanin, Dinamo u ndal 0-0 në Air Albania kundër Bylisit, ndërsa me porta të paprekura u mbyll edhe Vora-Flamurtari. Për herë të parë pas shumë javësh kampionat Tirana u largua nga vendi i fundit, pasi fitorja kundër Egnatias e ngjiti në kuotën e 20 pikëvë dhe vendin e 9, po aq sa Bylisi i vendit të tetë dhe 1 pikë më shumë se Flamurtari i vendit të fundit. Pas javës së 22 kampionati udhëhiqet nga Vllaznia me 42 pikë, 3 më shumë se Elbasani i vendit të dytë dhe po aq nga Egnatia e vendit të tretë. Top 4 e mbyll Dinamo me 8 pikë më pak se Vllaznia.