Pas refuzimit zyrtar për zhvillimin e provimeve në gjuhën shqipe, çështja e studentëve shqiptarë të juridikut në Maqedoninë e Veriut ka marrë edhe një reagim nga Tirana.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka përshëndetur angazhimin e studentëve shqiptarë, duke vlerësuar mënyrën demokratike me të cilën ata kanë kërkuar përdorimin e gjuhës shqipe, në përputhje me të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi.

"Përgëzojmë studentët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre për përdorimin e gjuhës shqipe në përputhje me të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi" tha Spiropali në një reagim në rrjete sociale

Në reagimin e saj, Spiropali ka theksuar gjithashtu se është inkurajuese edhe gatishmëria e institucioneve të Maqedonia e Veriut për ta trajtuar këtë çështje në rrugë institucionale dhe brenda kuadrit ligjor.

“Vlerësojmë gjithashtu gatishmërinë e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht Kryeministrit Mickoski dhe Zëvendëskryeministrit Sali, për ta trajtuar këtë çështje me seriozitet dhe në përputhje me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor të vendit.Dialogu, zgjidhjet institucionale dhe respekti për të drejtat mbeten rruga më e sigurt për forcimin e besimit dhe standardeve demokratike" ka shtuar ajo. 

Në përfundim, Spiropali ka bërë thirrje për vijimin e dialogut konstruktiv dhe trajtimin institucional të çështjeve që lidhen me të drejtat e komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike dhe kuadrin ligjor.

Reagimi i Tiranës erdhi pas peticionit të nënshkruar nga 385 studentë shqiptarë të juridikut nga Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti “Nënë Tereza” në Maqedoninë e Veriut  ku kërkojnë që provimet të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, krahas maqedonishtes. Por Ministria e Drejtësisë në Shkup argumentoi se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në shqip sepse ky provim shërben edhe si test për njohjen aktive të gjuhës maqedonase. Sipas ministrisë, njohja e maqedonishtes është kusht ligjor për ushtrimin e profesioneve juridike në vend.

Postimi i Ministres Elisa Spiropali në rrjete sociale