Tirana të mbështesë Prishtinën: Të ulë traun për produktet serbe

Tirana të mbështesë Prishtinën: Të ulë traun për produktet serbe

Pika e kalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë

Më në fund qeveria Haradinaj ndërmori hapin që një qeveri e Kosovës duhet të kishte bërë të paktën dhjetë vjet më parë. Qeveria e Prishtinës vendosi të zbatojë një taksë prej 100 për qind për çdo produkt serb që hyn në territorin e Kosovës. Ky veprim energjik përbën të vetmen përgjigje ndaj agresionit shumëplanësh të Serbisë. Në mënyrë konstante Beogradi po përdor çdo mjet politik dhe diplomatik për ta kthyer Kosovën një shtet të dështuar dhe për ta mbajtur atë një koloni ekonomike të saj.

Vendimi i qeverisë së Prishtinës erdhi vetëm një ditë pas dështimit spektakolar që pësoi ajo dhe Perëndimi në Dubai, ku u rrëzua për të katërtën herë kërkesa e Kosovës për tu anëtarësuar në Interpol. Ky rrëzim u shoqërua me një festë deliri në Beograd. Situatë vërtet cinike, madje skizofrenike. Në kohën që nuk e pranon Kosovën si shtet, Beogradi përdor CEFTA-n, marrëveshjen e tregëtisë së listë mes shteteve të rajonit për të fituar çdo vit të paktën 500 milionë euro pikërisht nga ky shtet që nuk e njeh, pikërisht nga shteti i cili importet më të mëdha i ka nga Serbia. 

Sigurisht qeveritë pasuese të Kosovës e kanë ditur këtë realitet. E kanë pranuar, janë dorëzuar në heshtje nga presioni që bëjnë në Prishtinë ata që rëndom thirren si oligarkë, të cilët janë bërë të tillë përmes statusit si importues të produkteve serbe. Përmes këtij korruptimi politik Kosova është kthyer në një koloni ekonomike serbe, ku thuajse çdo gjë që konsumohet është Made in Serbia. Tentakulat e këtij kolonizimi kanë filluar të shtrihen deri dhe në Shqipëri, ku ashtu si në Kosovë ka vërshuar mielli serb i cilësisë së ulët që në vendet evropiane përdoret si ushqim për kafshët, miell që vjen nga stoqet e vjetëruara të ushtrisë serbe. 

Vendimi i qeverisë Haradinaj ka shkaktuar reagime negative në Bruksel. Mogerini ka kërkuar që qeveria e Prishtinës ta anulojë këtë vendim, ndërkohë që Thaçi hesht dhe oligarkët kanë filluar të deklarojnë se është një vendim I marrë në gjaknxehtësi. Qeveria Haradinaj nuk duhet lënë e izoluar në këtë nismë. Rrethanat janë të tilla sa shqiptarëve nuk ju kishte ngelur tjetër rrugë ndaj agresionit të Beogradit: vetëm ulja e traut. Madje aparati shtetëror kosovar duhet të trajtojë si kolaboracionist këdo që importon nga Serbia. Zgjidhje ekstreme, por e vetmja në situatën esktreme të krijuar. 

Dhjetë vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës strategjia e Beogradit është e qartë : të imponojë ndarjen ose boshnjakëzimin e Kosovës si dhe ta mbajë Kosovën koloni ekonomike të saj. Ka vetëm dy mënyra për ti ushtruar presion Serbisë ta njohë pavarësinë e Kosovës. E para është procesi I anëtarësimit të saj në Bashkimin evropian. Thënë më teknikisht kapitulli 35 i negociatave Bruksel – Beograd. Përmes këtyre negociatave Beogradi duhet të njohë kufijtë me vendet fqinjë, në të kundërt anëtarësimi i saj ngec.

Çelësin e dytë e kanë në dorë shqiptarët. Ti prekin nervin e zbuluar, strategjinë e saj për ekspansion ekonomik. Pikërisht për këtë arsye çdo qeveri në Prishtinë nuk duhet të tërhiqet nga vendimi I fundit i qeverisë Haradinaj deri në njohjen e pavarësisë nga Beogradi, pavarësisht presionit që mund të bëhet. Mjet tjetër nuk kanë në dorë. Nuk ka përse ti druhet presionit. Beogradi ka dhjetë vjet që është nën presion për të njohur pavarësinë dhe nuk ka lëshuar pe. Në të kundërt, nëse vendimi i qeverisë Haradinaj bie do ishte kapitullim. Presioni i Brukselit do ishte alibi. Rrethanat korruptive do ishin ulëritëse.

Qeveria e Prishtinës nuk duhet lënë vetëm në këtë nismë. Vendimit të saj duhet ti bashkohet dhe qeveria e Tiranës. Ka dhjetëra arsye. Marrëveshja e CEFTA- mes Moldavisë, Serbisë, Kosovës , Malit të zi dhe Bosnjës nuk është e patjetërsueshme si dhjetë urdhëresat e Dhjatës së Vjetër. Ajo nuk mund të bjerë ndesh me interesim ekonomik dhe kombëtar të çdo shteti aderues. 

Qeveria Rama e ka një shkak të qartë. Beogradi ka bllokuar linjën e intekonjeksionit Shqipëri Kosovë për vite me rradhë, ndonëse për ndërtimin e saj Gjermania ka dhënë një kredi me vlerë mbi 100 milionë euro. Vetëm për këtë arsye Tirana duhet të ulë traun për produktet serbe deri në momentin zhbllokimit të interkonjeksionit. Ca më tepër që nuk bëhet fjalë për një koflikt të Serbisë me Moldavinë. Eshtë konflikt me Kosovën me të cilën qeveria shqiptare po përgatit marrëveshjen e bashkimit doganor. 

Historikisht Beogradi është përpjekur ta zgjidhjë konfliktin e Kosovës duke negociuar me Tiranën. Në kanalet e tyre të komunikimit mund ta bëjnë këtë demarsh: zhbllokoni interkonjeksionin ose në Shqipëri nuk hyjnë mallra serbe. Ndërkohë që Thaçi hesht dhe Rama nuk ndërmerr këtë hap për të gjithë bëhet e qartë se kryeministri shqiptar mbështet negociatat e dy presidentëve për ndarjen e Kosovës, krejt ndryshe nga cfarë mendojnë të gjithë në të dyja anët e Drinit. 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Erion Piciri: 23/11/2018 06:32

    Mallrat serbe jane komplet pa cilesi edhe pse jan te lira. Do i benim nder tregut.

    Përgjigju
  • Babaleshi: 22/11/2018 18:17

    Une them te kerkojm ta na anullohet levizja pa viza ne europ

    Përgjigju
  • Shqiptari: 22/11/2018 18:15

    Brrava Ilir Babaramo...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë