Emocione, gola dhe përmbysje spektakolare kanë karakterizuar dy sfidat e pasdites të vlefshme për raundin e tetë në Superligë. Pas fitores 0-2 të Dinamos kundër Vorës, ishte Vllaznia që përmbysi 3-1 Tiranën në ‘Klasiken’ e futbollit shqiptar, ndërsa AF Elbasani fitoi 2-1 kundër Bylisit.

Në “Loro Boriçi” të Shkodrës, Vllaznia fitoi 3-1 me përmbysje ndaj Tiranës, duke vulosur një tjetër sukses në “Klasiken” e futbollit shqiptar dhe duke ruajtur kreun e renditjes.

Sfida nisi më mirë për bardheblutë, që kaluan në avantazh me Tabekou, por reagimi i shkodranëve ishte i menjëhershëm. Yago realizoi një gol spektakolar për barazimin, ndërsa kapiteni Balaj përmbysi rezultatin pak minuta më vonë .

Pjesa e parë u mbyll 2-1 për vendasit, ndërsa në fillimin e fraksionit të dytë, Vllaznia mbeti me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Kouros. Megjithatë, edhe pse në inferioritet numerik, kuqeblutë gjetën sërish rrugën e rrjetës. Kastrati shënoi nga pika e bardhë, duke vulosur fitoren 3-1.
Me këtë triumf, Vllaznia ngjitet në kuotën e 19 pikëve dhe ruan kreun e klasifikimit, ndërsa Tirana mbetet në zonën e ftohtë që të çon drejt Kategorisë së Parë.

Ndërkohë, në “Elbasan Arena”, AF Elbasani mposhti Bylisin me rezultatin 2-1, duke iu rikthyer fitores pas dy humbjeve radhazi. Heroi i ndeshjes ishte Diallo, autor i një dygolëshi vendimtar. Bylisi luajti për më shumë se një orë me dhjetë lojtarë, pas ndëshkimit me karton të kuq të Brunos dhe nuk arriti të shmangte humbjen. Pas këtij rezultati, AF Elbasani ngjitet në vendin e dytë, ndërsa Bylisi mbetet në kuotën e 6 pikëve.

Superliga, raundi 8-të:

E premte, 24 tetor 2025

Vora 0-2 Dinamo

AF Elbasani 2-1 Bylis

Vllaznia 3-1 Tirana

E shtunë, 25 tetor 2025

17:00

Partizani - Egnatia

Teuta - Flamurtari

Renditja: