Në ambasadën shqiptare në Romë kishte përmbi një gjysëm ore që në zyrën e Diplomatit të Dytë kishte rënë një heshtje e thellë. Nuk dëgjohej asnjë. Njëra dritare, aq e gjërë sa dukej se mund të fuste edhe diellin brenda, shihte në rrugën ku mbi çdo gjë prodhohej zhurmë e vetëm zhurmë. Edhe zmog.
Dritarja e dytë, më e ngushta, dilte në një nga oborret e brendshme të ambasadës, atje ku ishte selia gati përdhese e konsullatës.
Nuk pipëtinte asgjë edhe në korridorin e katit, ku zakonisht trokitej vetëm tek dera e ambasadorit ose gërvishtej tek ajo e banjës, në të cilën mund edhe të laje duart e të hiqje pisllëkun e disa orëve në timon apo nga që kishe shfletuar gazetat e shumta të ditës.
Nuk thërriste që prej një ore as zilja e telefonit.
Diplomati i Dytë tashmë nuk ishte i qartë në e kishte pllakosur heshtja, kishte rënë vetë në ndonjë kolaps tensioni të ulur befasisht apo e kishin përpirë mendimet dhe nuk ndjente asgjë çfarë bëhej rrotull tij.
Në të vërtetë ai ishte një e sëmurë kronik. Çdo dy ditë pasdite në një nga spitalet e Romës bënte dializë të veshkave. Në një farë mënyre bashkëjetonte me një aparat, larg të cilit mund të rrinte e shumta tre apo katër ditë. Në ditën e pestë pa bërë dializën fytyra do t'ì enjtej lehtas dhe pjesa e poshtme e faqeve do të niste t'i zbehej e varej. Sytë do t'i bëheshin më të errët e të rëndë për të lëvizur brenda gropëzave të tyre dhe poshtë mëngëve të pastra të këmishës pëllëmbët do t'i bëheshin më të ngathtësuara. Pastaj do të ndjente menjëherë të vjellat, shenjë tepër e qartë se gjaku po i mbulohej nga masa të tilla helmi sa mund t'i mbytnin edhe vetë jetën.
Tingëllimi i ziles së telefonit Diplomatit të Dytë iu duk si sirenë alarmi. Apo si një njeri që po klithte buzë një humnere. Sforcoi gjymtyrët për të vrapuar, por trupi nuk iu bind. Në të vërtetë ai kishte vite që nuk vraponte. Kur mbërriti gjer tek aparati e dëgjoi zërin e qetë e si të kompjuterizuar të centralistes së ambasadës bëri edhe përpjekjen e parë për të mbushur kraharorin me frymë.Ajo i tha se e kërkonte një italian.
Njeriu që e futi zërin menjëherë në receptor nisi t'i thoshte se përfaqësonte një shoqëri italiane për shitje-blerje banesash. Në të vërtetë, recitonte fjalët telefonuesi, në këtë rast shoqëria e tyre ishte ndërmjetëse. Partner kryesore ishte në shoqëri kolege zviceriane, e cila kishte blerë nga pronari i saj të dhjetë apartamentet e banimit të diplomatëve shqiptarë në Viale Eritrea 34.
Diplomati i Dytë shtrëngoi fort tëmthat. Aq fort sa sytë i shkëndijuan.
"I ka blerë shoqëria zviceriane", llomotiste hareshëm zëri i italianit, "ne thjesht interesohemi t'u gjejmë blerës. Eh, nuk është edhe aq punë e lehtë. Apartamentet janë dydhomëshe, ata që kanë para kërkojnë vila e shumëdhomëshe luksoze, të varfrit pëlqejnë më shumë qeratë se të blejnë shtëpi. Sidoqoftë blerësit e parë kanë ardhur, për fat, kanë telefonuar..."
Tepër urgjente Ministrisë së Jashtme
Shkresa për në Tiranë u nis shumë shpejt, sapo u kuptua se çështja qe vërtet e ndërlikuar:
“Kohët e fundit na ka dalë problem shqetësues çështja e pronësisë së apartamenteve të Ambasadës në Viale Eritrea 34. Fjala është për dhjetë apartamentet, në të cilat aktualisht banon personeli i Ambasadës.
Agjencia italiane e pasurive të paluajtshme "Galavrani" pretendon se ka blerë për llogari të një klienti të saj 10 apartamentet e mësipërme nga agjencia zvicerane "Immovivia S.A.". Kjo e fundit pretendon se apartamentet i ka marrë në pronësi nga zoti A. Karagjozi, ish-diplomat i Ambasadës tonë në Romë.
Nga të dhënat që kemi mbledhur rezulton se:
Apartamentet kanë qenë pronë e zonjës Mediha Libohova, e cila ja ka shitur objektet në fjalë ish-diplomatit. Akti i shitjes është shkruar në Regjistrin e Pronësisë në Romë më 22 qershor 1966. Pas kësaj date pronar i apartamenteve figuron zoti A. Karagjozi, ish-diplomati. Ky i fundit pas vdekjes ja ka lënë me testament apartamentet trashëgimtarëve të tij, të cilët me sa duket ja kanë shitur agjencisë zvicerane "Immovivia S.A."
Shënojmë se të gjitha këto veprime janë kryer kohët e fundit d.m.th. në periudhën 1997-98, pas vdekjes së ish-diplomatit.
Nga ana jonë i është dhënë përgjigje agjencisë italiane duke theksuar se këtu kemi të bëjmë me një vjedhje nëpërmjet mashtrimit dhe se pronar i vetëm e i ligjshëm i të 10 apartamenteve është Shteti Shqiptar.
Nga ana jonë do të vazhdojmë presionin mbi agjensinë italiane dhe klientët që do të paraqiten. Në të njëjtën kohë do të vazhdojmë edhe rrugën ligjore. Por e ndjejmë tepër të nevojshme të ndihmohemi me dokumente të arkivit të MPJ-së, të Bankës së Shqipërisë dhe të ish-Zyrës Komisionare (arkivi i saj mund të jetë në Ministrinë e Financave).
Mbetemi në pritje të udhëzimeve Tuaja për veprime të mëtejshme...”
Testament
Unë, i nënshkruari A. Karagjozi, me vullnet të plotë mendor për të vendosur, deklaroj me këtë rast se emëroj trashëgimtar të pasurisë time të paluajtshme që ndodhet në Roma, Viale Eritrea Nr. 34, përbërë nga 10 apartamente të shënuar me numurat e brendshëm 13, 14, 15, 16, 19, 20, 21, 22, 23, 24 "Shoqërisë Immovivia S.A." me seli në Roveredo-GR (Svizzera) Palazzo La Spida, për arsye të borxhit në para të mara nga shoqëria që prej vitit 1988 deri më sot.
Trashëgimtarëve të mi direkt (gruas dhe fëmijëve) i lë çdo pasuri tjetër dhe sendet personale kudo që do të gjenden në momentin e vdekjes time, të cilëve u kërkoj të nënshkruajnë për aprovim këto dëshira të mia të fundit. Tiranë, më 14. 04.1992 (Firma).
Annamaria: “Këtu në Bari janë përhapur fjalë se në shtator Shqipëria do të kalojë një turbullirë”.
Aparati telefonik ndezi sinjalin e kuq dhe ekrani i vogël shënoi se thirrja po i vinte nga centrali i ambasadës. Diplomati i Parë ngriti dorëzën dhe centralistja i tha me zërin e butë se e kërkonin nga Bari.
Ishte Annamaria Çislagi. Nisi të thoshte se përgatitjet për Panairin e 12 shtatorit po shkonin mjaft mirë. Po punohej me ritëm të plotë për ngritjen e pavionit me emrin "Salloni i automjeteve industriale", po ashtu për sallonin e mekanikës, atë të shërbimeve, të bujqësisë. Madje në mjediset e Fiera del Levante do të kishte edhe pavijone të veçanta si ai me emrin "Galeria e Kombeve".
-E gjetëm edhe titullin e edicionit-vazhdoi të hidhte tufat shumëngjyrëse të fjalëve Anamaria: "Evropa takon Lindjen". Ne quhemi Fiera del Levante, pra Panairi i Lindjes. Por kemi bërë një ndryshim të vogël, një saktësim, më thjesht një plotësim. Nuk kemi thënë Panairi takon Lindjen, por Evropa takon Lindjen. Pra, japim mesazhin se nëpërmjet nesh, Fierës së Barit, perëndimi takon lindjen, bota e zhvilluar atë hapësirë të saj që kërkon të përparojë, demokracia atë pjesë të kontinentit ku përmbi një gjysmë shekull u shtyp nga totalitarizmi komunist...
Pastaj Annamaria qeshi.
-Po flas shumë – tha - më latë të bie në kurthin e gëzimit tim.
Dhe vijoi: Sot u filluan përgatitjet edhe për Ditën e Shqipërisë. Filloi edhe shtypja e programeve. Dita është lënë më 16 shtator.
Zëri i saj ishte bërë i bukur.
-Jeni të mrekullueshëm-tha Diplomati i Parë-do ta informoj menjëherë të Ngarkuarin me Punë.
-Kështu delegacioni juaj i lartë me në krye Shkëlqesinë e tij kryeministrin realizon vizitën në Romë dhe pastaj vjen në Bari.
Annamaria po i tingëllonte fjalët si t'i bënte të vallëzonin. Pastaj biseda u duk se hyri në rutinë: Ftesat do t'i dërgojmë menjëherë, në fillim me faks për të fituar kohë dhe pastaj me postë; duhet të saktësojmë nëse delegacioni do të vijë në Bari që në mbrëmjen e 15 shtatorit apo të nesërmen në mëngjes...
Në mes të bisedës hyri një pauzë. Anamaria nuk po fliste më. Megjithatë e rinisi: Më pyesin disa sipërmarrës të njohur barezë për situatën e rendit në Shqipëri.
I shqiptoi fjalët me shumë kujdes, thua qenë mina të fshehura nën gjuhën e saj dhe nga momenti në moment mund të shpërthenin.
-Unë u them se gjendja në Shqipëri është normale, e sigurt-shtoi ajo sikur po fliste me veten - Nuk ndodh asgjë, është vetëm zhurmë gazetash që duan të kapin sensansionin, atje mjaft biznesmenë italianë punojnë prej vitesh dhe kanë fitime shumë të mira.
-Rendi në Shqipëri është ende i brishtë, por i parrezikuar në përmasa destabilizimi - shqiptoi Diplomati i Parë një frazë të sforcuar.
Përmatanë receptorit u duk sikur ra masa e zbrazët e heshtjes. Por zëri i Annamarisë mbërriti shpejt.
-Këtu në Bari janë përhapur fjalë se në shtator Shqipëria do të kalojë një turbullirë.
-Ah!-klithi ai-Thonë turbullirë apo ndonjë fjalë tjetër?
Annamaria u step. Filloi të kërkonte fjalën që kishin përdorur bashkëqytetasit e tij: turbullirë... revoltë... rebelim... kryengritje...
-Një si ajo që ndodhi vitin e shkuar, brriti më në fund: rrëmujë.
Tepër urgjente, Ambasadës Shqiptare në Romë
Bashkëlidhur po ju dërgojmë një pjesë të dokumentave që provojnë pronësinë e Shtetit shqiptar mbi dhjetë apartamentet në Viale Eritrea.
Këshilli i Ministrave
Vendim Nr 461, më 17. 12. 1964
Mbi blerjen e 10 apartamenteve në Itali për banimin e personelit të Ambasadës
Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e datës 17. 12. 1964 vendosi:
1. Të aprovohet blerja në Itali e 10 apartamenteve për banimin e personelit të Ambasadës dhe Përfaqësisë Tregëtare, duke shtuar në planin e investimeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme 9.000.000 (nendë milionë) lekë, nga të cilat 3.000.000 (tre milionë) lekë në valutë të lirë.
2. Shumat e parashikuara në pikën 1 të këtij vendimi të jepen brenda vitit 1964 nga fondi rezervë i valutave dhe fondi rezervë i Qeverisë.
3. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Kryetari i Këshillit të Ministrave
Mehmet Shehu
(firma)
Mikroskedë
A.Karagjozi ka lindur në Gjirokastër më 24 dhjetor 1924.
Ka vdekur më 12 maj 1997 në Tiranë.
Testamenti i tij i është dorëzuar në Romë noterit Paolo De Agostini në datën 4 gusht 1998, pra pothuaj një vit më pas.
Është regjistruar në Romë në datën 7 gusht 1998.
Menjëherë ka filluar procesi i shitjes së apartamenteve nga shoqëria zvicerane "Immovivia S.P." dhe i blerjes nga agjencia italiane e pasurive të paluajtshme "Galavrani".
Ish-diplomati ka dy vajza dhe një djalë.
Njëra vajzë prej vitesh jeton në Itali, martuar me një shqiptar. Në Zvicër, në qytetin Bernë, familja e ish-diplomatit ka të afërmin e vet.
Ish-diplomati ka punuar në Ambasadën shqiptare në Itali.
Ndërsa ishte gjallë, pra për 22 vjet, kohë në të cilën ishte "pronar" i 10 apartamenteve, nuk ka paguar asnjë taksë shtetit italian.
Po për kaq vjet nuk ka bërë asnjë përpjekje t'i shiste.
Maqedoni
Në një lokal luksoz afër qendrës së qytetit të Tetovës, tamam pranë godinës së bektashinjve, kryetari i Komisionit parlamentar shqiptar për Mandatet surbte një kafe të nxehtë dhe përpiqej të kuptonte qetësinë përreth tij. Gjithkund tavolinat ishin të zëna, të gjithë bisedonin me njeri-tjetrin dhe ndërkohë pinin shumë duhan.
Një shqiptar i gjetur përballë tij, me të marrë vesh që ishte përfaqësues i Partisë Socialiste Shqiptare, u shtrembërua në fytyrë si të ndjente ndotë dhe iu afrua kanosës: Keni për ta parë se çdo të bëhet në shtator!
Parlamentari i rëndësishëm tendosi buzët në përpjekje për të penguar ndonjë fjalë të pakontrolluar.
-Çfarë, çfarë? - shqiptoi përmes dhëmbëve dhe buzëve të shtrënguara.
Tjetri skërmitjes së politikanit të ardhur nga Shqipëria nuk iu përgjigj.
-Çfarë do të bëhet në shtator në Shqipëri? - fishkëlleu fjalët kryetari i Komisionit parlamentar të Tiranës. Shqiptarit maqedonas bebëzat iu zbardhën, iu shpëlanë krejtësisht. U duk sikur i iku drita e syve. Pas në sekonde u zhduk, sikur të mos kish qenë kurrë aty.
-Në shtator- pëshpëriti kryekomisioneri me vete.
28 gusht
"Rilindja Demokratike": "Tirana i jep ultimatumin Nanos", "Mbi pesëdhjetë mijë demokratë pushtojnë sheshin "Skënderbej" dhe bulevardin "Dëshmorët e Kombit", "31 gushti, dita e lirisë për të burgosurit politikë dhe çlirimi i bllokut nga bllokqenët", "Luftën po e kërkon Nano...Luftën e ka shpallur Nano dhe gjithë plehrat që mban rrotull...".
"Koha Jonë" informon se të katër komisariatet e policisë së Tiranës janë në gatishmëri. Po ashtu është dhënë urdhri që policët të paraqiten në punë edhe pasdite. Ka masa të forta ruajtjeje pranë institucioneve kryesore. Një siguri më e lartë nëpër burgjet, sidomos tek 313-ta.
(Vijon)
(Ministria e punëve të Jashtme në Tiranë)
(Ambasada Shqiptare në Romë)
(Fiera del Levante, qyteti i Barit)
(Pallati në Viale Eritrea, ku shteti shqiptar ka pronë në Romë apartamentet për diplomatët)