TIRANE - Arrest me burg 40 është masa e sigurisë dhënë sot nga Gjykata e Tiranës ndaj aksionarit të Partizanit, Paro Laçi i akuzuar nga drejtësia italiane për trafik ndërkombëtar të drogës.

Para trupit gjykues, aksioneri i Partizanit është shprehur se nuk ka përdorur identitete të tjera. Ai u shpreh se “kam jetuar në Belgjikë me identitetin tim dhe s’kam pasur probleme”, raporton gazetari i televizionit A1Report.

Laçi tha gjatë seancës gjyqësore se nuk është njohur asnjëherë me akuzën që i është bërë nga pala italiane. Sipas të akuzuarit, arrestimi i tij është një lapsus dhe padrejtësi. “Nuk ka arsye pse të bej burg, më është dëmtuar imazhi”, mësohet të jetë shprehur Paro Laçi para trupit gjykues.

ARESTIMI DY DITE ME PARE, LACI ME IDENTITET TE RREME
48-vjeçari Laçi u arrestua dje pasdite rreth orës 15:30 në kryeqytet, nga efektivët e njësisë operacionale dhe të kërkimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, fare pranë Komisariatit numër 2, jo shumë larg zyrave të klubit të futbollit “Partizani”, në të cilin ai është administrator me 40 % të aksioneve, një pjesë të të cilave ai ia bleu ish-presidentit të Partizanit, Albert Xhani.

Gjykata e Apelit e Milanos e ka dënuar Laçin në vitin 2006 me 10 vite e katër muaj burg, pasi në vitin 1997 ai akuzohej për trafikimin e një sasie prej 31 kilogramësh heroinë dhe 34 kilogramë kokainë të pastër të kapur nga policia e qytetit të Milanos. Për pak kohë Laçi është hetuar në gjendje të lirë dhe ka përfituar për t’u arratisur në Shqipëri, ku i fshihej autoriteteve italiane me identitetin e tij real Paro Laçi.

Edhe pse i dënuar në Shqipëri me 9 muaj burgim për trukim dhe favorizim korrupsioni, Laçi ishte i pa skeduar për dënimin nga Gjykata e Milanos duke iu fshehur drejtësisë me identitetin e rremë si shtetasi serb Berisic Paro, edhe pse fotoja e vendosur nga Interpol Italia ishte e njëjtë me atë të Paro Laçit. Letër porosia e dërguar nga autoritetet italiane pas përgjigjes së Interpol Serbia se ky shtetas nuk ekziston dhe nuk është një shtetas serb ka bërë që Interpol Tirana të ekzekutojë urdhër-ndalimin ndaj Paro Laçit dhe ta arrestoj këtë të fundit.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)