Tiranë-Një aksident është shënuar pasditen e sotme (23 janar) në Rrugën e Elbasanit. Një 52-vjeçar pasi ka humbur kontrollin e makinës dhe ka dalë nga rruga ka përplasur një person që po lëvizte me biçikletë dhe një këmbësore.
Pas këtij incidenti shoferi 52 vjeçar, gjithashtu u përplas edhe me murin rrethues të ambasadës amerikane.
Sipas njoftimit të policisë, të plagosurit 63 vjeç dhe një vajzë rreth moshës 18 vjeçe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.
“Më datë 23.01.2025, rreth orës 16:20, në Rrugën e Elbasanit, shtetasi R.T, rreth 52 vjeç, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke goditur fillimisht shtetasin E. E., rreth 63 vjeç, që lëvizte me biçikletë dhe shtetasen V. S., rreth 18 vjeçe, këmbësore, e më pas u përplas me murin rrethues të një ndërtese (seli diplomatike)”, informoi sot policia.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.