TIRANE - Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka nisur një aksionin për disiplinimin e rrjeteve të shërbimeve telefonike dhe elektronike, duke kryer çinstalimin e kabllove të vendosura në shtyllat elektrike në Tiranë.

Grupet e punës u gjendën mëngjesin e të hënës tek Komuna e Parisit dhe më pas u zhvendosën në zonën e “Don Boskos” dhe në lagjen “Ali Demi”. Punonjësit e AKEP-it dhe të OSHEE-së pastruan më tepër se 80 për qind të kabllove në rrugën “Medar Shtylla” në Komunën e Parisit. Sipas përfaqësuesit të AKEP-it zgjidhja ideale do të ishte vendosja e një sistemi të kanalizimeve nëntokësore të posaçme për komunikimet elektronike, por në mungesë të saj është gjetur si zgjidhje vendosja e shtyllave të përbashkët të operatorëve.

“AKEP në zbatim të detyrimit ligjor dhe kompetencave që burojnë nga ligji 9918 ka ndërmarrë iniciativën për çinstalimin e këtyre kabllove dhe traseve që kalojnë në ajër dhe përputhjen e tyre, instalimin e tyre sipas rregullores 22 që AKEP ka miratuar që në vitin 2011 mbi kushtet teknike të infrastrukturës kabllore urbane dhe ndërurbane”, - u shpreh Vasil Metezi, drejtori i Monitorimit të Frekuencave në AKEP.

AKEP dhe OSHEE kishin njoftuar 3 javë më parë operatorët që të heqin kabujt vullnetarisht dhe në mungesë të reagimit të tyre janë detyruar të ndërhyjnë. Ndërsa AKEP i bën thirrje të gjithë operatorëve të telefonisë dhe internetit të heqin vetë kabujt deri më 30 Maj.


Redaksia Online
(Gre.M/shqiptarja.com)