TIRANE- Abuzonte me detyrën dhe vidhte paratë e gjobave të qytetarëve, arrestohet nga shërbimi i kontrollit të brendshëm efektivi i policisë rrugore Renato Gjonaj.

Ministria e Brendshme dhe organi i akuzës bëjnë me dije se Gjonaj është arrestuar pasi ndaj tij ekzistojnë dyshime të arsyeshme se ka konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Dokumentimi ligjor i kësaj veprimtarie të kundraligjshme u arrit pas një hetimi disa javor nga strukturat e SHKB-së për Tiranën.

Nga hetimet e kryera është provuar se, punonjësi i policisë Renato Gjonaj në periudhën korrik-gusht 2013 gjatë kryerjes së detyrës së tij funksionale, nëpërmjet mekanizmit të falsifikimit të Procesverbalit të Konstatimit të Shkeljeve, ka konsumuar në 32 raste elementet e veprës penale“Fallsifikim i dokumenteve” dhe në 5 raste veprën “Shpërdorim i detyrës”.

Ndërkohë janë duke u kryer veprime të tjera hetimore për thellimin e të dhënave paraprake të këtij hetimi si në drejtim të këtij subjekti ashtu edhe ndaj subjekteve të tjera të implikuara në veprimtari të dyshuar kriminale.

Renato Gjonaj ishte njëri prej punonjësve të Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës, që u larguan nga detyra në muajin shtator të këtij viti, pas reformës së nisur aty. Ndërsa materiali kallëzues ndaj tij ishte depozituar në Prokurorinë e Rrethit që në 23 shtator 2013.

Redaksia Online
(e.s/mag/shqiptarja.com)