Report Tv ka siguruar pamjet e para nga vendi i ngjarjes ku duket automjeti krejtësisht i shkatërruar. Gazetari Driçim Çaka raportoi nga vendi i ngjarjes se nuk ka persona të lënduar nga shpërthimi pasi automjeti në momentin që është hedhur në erë ka qenë në parkim pranë një zone grumbullimi skrapi. Shpërthimi ka qenë mjaft i fuqishëm dhe ka tronditur të gjithë zonën përreth.
Policia ka identifikuar dhe pronarin e automjetit, Ndok Rajta, 42-vjeç, administrator i një firme e inertesh. Ai ka dhënë dëshminë përpara uniformave blu ku mësohet të jetë shprehur se nuk ka konflikte me njeri, ndërsa ka theksuar se automjeti ka qenë i parkuar pikërisht pranë biznesit të tij të inerteve.
Biznesmeni ka deklaruar gjithashtu se automjeti "Passat" përdorej edhe nga punonjësit e firmës. Mendohet se automjetit i është vendosur tritol në orët e para të mëngjesit dhe shpërthimi është bërë i telekomanduar. Sasia e lëndës shpërthyese dyshohet të ketë qenë më shumë se 300 gr C4 e vendosur në pjesën e përparme të automjetit. Ndërkohë, policia bën të ditur se po heton për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
[gallery]24960[/gallery]

(Në foto automjeti "Passat" i hedhur në erë me tritol)
Atentatet me tritol në Tiranë rikthehen pas 7 muajsh. Shpërthimi i fundit me tritol në kryeqytet ka qenë në 1 maj të këtij viti, kur iu vendos një automjeti “Smart” në pronësi të pronares së një butiku, B.A, të cilës iu përsërit e njëjtja ngjarje por këtë herë te dyqani pranë "Tregut Elektrik".
Njoftimi i policisë për ngjarjen:
Informacion paraprak
Me datë 30.11.2017, rreth orës 09:45, në Sallën Operative ka ardhur një telefonatë se tek Liqeni artificial ka shpërthyer një mjet.
Menjeherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë ku nga veprimet paraprake ka rezultuar se:
Tek Liqeni artificial, në rrugën dytësore ka shpërthyer një mjet i parkuar me targë AA946EF tip Volkswagen, në pronësi të shtetasit N.R., 42 vjeç, administrator i një firme inertesh. Si pasojë ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

VIDEO







