Në fshatin Kasallë të Tiranës ndodhen disa banesa të reja, të dëmtuara për shkak të rrëshqitjes së dheut. Familjet e rrezikuara kërkojnë strehim për shkak se në banesat e tyre u rrezikohet jetesa.

Banorët e 6 banesave në total, kanë investuar personalisht për të ndaluar rrëshqitjet e dheut por megjithatë kanë pasur vështirësi, pasi shtëpitë sa vijnë e dëmtohen për shkak të këtij fenomeni, duke u bërë të rrezikshme për jetesën e banorëve. Rrëshqitja e dheut është më e rrezikshme në ditët me shi. 

Në vitin 2016 banorët kanë bërë kërkesë në Këshillin e Qarkut Tiranë, ku u është thënë se zona është e rrezikshme, se ka nevojë për ndërhyrje inxhinierie ekologjike dhe se ata do të mbërrinin në verë. Mirëpo kanë kaluar dy vera deri atëherë.

Banorët e shtëpive kanë ndaluar dheun në disa pika por nuk ja kanë dalë për të ndërprerë rrëshqitjen masive të dheut.

Report Tv ka mbërritur tek njëra nga shtëpitë e dëmtuara, Familja Buçaj. I zoti i shtëpisë, Gazmend Buçaj tregon më tepër detaje mbi situatën aktuale në fshatin e tyre.

Gazmend Buçaj:
Ne si banorë i kemi marrë të gjitha masat, kemi përgaditur dokumentat por nuk na është kthyer përgjigje. Në 2016 na kanë thënë se do të vijnë në verë për të ndërhyrë. Kaloi vera, asgjë nuk u bë. Kanë ardhur disa persona e kanë thënë "mos i lër fëmijët këtu!"

Por kur ka votime vijnë, kërkojnë votë dhe ikin pa pyetur për ne. Jeta e fëmijëve po rrezikohet ditë për ditë.

Çfarë investimesh keni bërë në këtë shtëpi?
Banoj 20 vite në këtë shtëpi, shpenzimet janë kolosale. Është marrë kredi, ka shkuar gjithësej 80 milion lekë. Nuk është marrë asnjë masë. Kjo është një gjendje e mjerueshme për ne. Fëmijët e mi i kam strehuar tek vëllai. Ku ta strehoj familjen? Tokën që kemi pasur aktualisht e ka përmbytur liqeni i Fierzës, ku të shkojmë? Dita ditës rrezikohen 6 shtëpi, jo një!

Cila është kërkesa juaj?
Ne duam strehim për 6 familjet, Bashkia nuk ka marrë asnjë vendim, as na kanë pyetur se si është halli, përfundon fjalën Gazmend buçaj.

 

d.gj/ Shqiptarja.com