Në vigjilje të Pashkës Katolike, besimtarët katolikë në Tiranë u bashkuan në një nga ritet më domethënëse të besimit, “Udhën e Kryqit”.

Sheshi “Nënë Tereza” u mbush me qindra besimtarë, të cilët ndoqën me përkushtim 14 ndalesat simbolike që pasqyrojnë vuajtjet dhe sakrificën e Jezu Krishti drejt kryqëzimit.

Rituali u udhëheq nga Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj

Në lutjen e tij në këtë ditë të shenjtë, të njohur si E Premtja e Madhe, Imzot Dodaj theksoi rëndësinë e reflektimit të brendshëm, solidaritetit dhe afrimit me njëri-tjetrin. Por një mesazh të fort e kishte për drejtësinë.

“Mos të kushtëzohemi nga zhurmat, nga gjërat e tjera. Sepse Zoti është me ne. Dhe kështu braktisim me të çdo dhimbje e vuajtje. Braktisim familjet më shumë në vështirësi. Braktisim te Zoti ata të rinj dhe të reja që ndodhta ndihen të bullizuar, të paragjykuar dhe shkurajuar. Braktisim këtë mbrëmje te Zoti shumë vëllezër e motra që në mënyrë të tepruar banojnë në burgje. Thuajse burgu është çelësi i zgjidhjes së problemeve. Drejtësia represive pa përgjigje e mbyt të ardhmen, të fut frikën”, tha Dodaj.

Ndërkohë lutjet e besimtarëve shkuan për më shumë mirësi dhe dashuri.

Udha e Kryqit zhvillohet dy ditë para Pashkës, dhe  mbetet një moment  reflektimi për besimtarët.Tradita vijon edhe të shtunën para festës, kur familjet besimtare shkojnë në kishë për të bekuar ushqimet simbolike si buka, vezët dhe djathi, që më pas ndajnë në tryezën e Pashkës, në një atmosferë gëzimi dhe shprese.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:21
Dhjetëra besimtarë kremtojnë ‘Udhën e Kryqit’ në Lezhë, Imzot Otavio Vitale: Të jetojmë në paqe dhe ta duam njëri-tjetrin (VIDEO)

 

Besimtarë katolik në Lezhë kanë kremtuar të premten e zezë, apo siç njihet ndryshe “Udha e Kryqit”.

Ritualit fetar ju bashkuan dhjetra qytetar të cilët të udhëhequr nga përfaqësues të klerit katolik u nisen nga sheshi “Gjergj Kastrioti” i qytetit dhe marshuan deri në kalanë e qytetit, duke kujtuar në këtë mënyre mundimet e Jezu Krishtit.

“E premtja e madhe është dita më e rëdësishme e javës së Pashkëve dhe mesazhi qe na jep Jezu Krishti është që të jetojne në paqe dhe ta duam njëri-tjetrin”, u shpreh Ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, Imzot Otavio Vitale.

“Udha e Kryqit” vjen me 14 ndalesa dhe në secilën prej tyre besimtaret bëjnë lutje dhe përkujtojnë mundimet e Jezusit. E premtja para Pashkës, shënon ditën e kryqëzimit të Krishtit dhe vuajtjeve të tij me kryqin mbi shpinë.

“Në këtë ditë, ne kremtojmë mundimin dhe vdekjen e Jezu Krishtit. Është dita në të cilën jemi të thirrur që të heshtim nga ana shpirtërore. Sepse Jezusi po vdes, jo në kuptimin për të përfunduar gjithçka, por me vdekjen e tij hapet një shpresë. Dhe shpresa është pra që në ditën e Pashkëve ai do të ngjallet. Ne përsërisim duke kujtuar disa momente të jetës së tij, duke vdekur dhe duke vuajtur, deri në momentin e vdekjes së Krishtit. Prandaj është një moment i rëndësishëm për ne si Kishë Katolike, sepse na bën të gatshëm për të pranuar Jezusi i vdekur në jetën tonë, por me shpresën se ai do të ngjallet”, tha mes të tjerash Ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, Imzot Otavio Vitale.