Tiranë,çajnë postbllokun,policia
plumba trafikantëve,1 i plagosurOperacioni, dy në pranga, një në spital

TIRANE- Dy persona janë arrestuar, njëri prej të cilëve ka mbetur i plagosur në këmbë, që dyshohet nga plumbat e policisë, pas një operacioni anti-drogë të zhvilluar nga policia mbrëmjen e të martës në zonën e "Don Boskos" rreth orës 21:00, ku u sekuestrua 435.2 gramë kokainë, një peshore elektronike dhe një sasi kartëmonedhash në valutë euro.
 
Njëri nga të arrestuarit është Bledar Peci 27-vjeç, ndërsa personi tjetër i arrestuar, që ishte në makinë me atë është me inicialet A.M.
 
Policia pas informacioneve se Peci shpërndante kokainë në zonën e "Don Boskos" ka organizuar operacionin duke i bërë shenjë që të ndalojë autorit që po lëvizte me makinë, por ai nuk i është bindur urdhrit duke tentuar që të çajë postbllokun.
 
Drejtuesi i mjetit ka lëvizur me shpejtësi duke bërë disa manovra të cilat rrezikuan jetën e oficerëve të policisë duke përplasur një automjet të ndërhyrjes, por asnjë efektiv nuk u lëndua.
 
Në këtë moment me qëllim parandalimin e largimit të automjetit dhe pas thirrjes së punonjësve të policisë për të ndaluar, policia i ka paralajmëruar duke qëlluar në ajër, më pas në drejtim të gomave te automjetit.
 
Si pasojë e humbjes së kontrollit të mjetit pas shpimit të gomave nga policia pas tentativës për t’u larguar, Bledar Peci mbeti i plagosur dhe u transportua në spital, ndërsa ndodhet jashtë rreziku për jetën.

Ndërsa policia deklaron se Bledar Peci është plagosur për shkak të përplasjes së automjetit me të cilin iu shmang postobllokut.

Burime për Shqiptarja.com thonë se Peci mund të ketë mbetur i plagosur nga plumbat e Policisë, e cila qëlloi mbi 10 herë, mbi automjetin e autorëve, ku dyshohet se Pecin plumbat e kanë kapur në këmbë.

Burime: SHÇBA do të nis verifikimet e veprimeve të policisë
Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se SHÇBA do të nisë verifikimet e nevojshme për veprimet e efektivëve të policisë, për të parë nëse veprimet e tyre kanë qenë të rregullta dhe konform ligjit.

Efektivët e policisë që morën pjesë mbrëmjen e djeshme në aksionin anti-drogë në kryeqytet në lagjen “Don Bosko”, kanë qëlluar mbi automjetin e trafikantëve, duke plagosur lehtë njërin prej tyre.

I plagosuri është dërguar në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Dy në pranga, një në spital, sekuestrohet 435.2 gramë kokainë 
Pas ndalimit Bledar Pecit iu gjet dhe sekuestrua në makinë 435.2 gramë kokainë, ndërsa një tjetër sasi kokaine është gjetur në banesën e të ndaluarit tjetër me inicialet A.M.
 
Gjithashtu në banesën e tij u sekuestrua dhe një peshore elektronike dhe një sasi kartëmonedhash në valutë euro. Bledar Peci ndodhet në spital i plagosur, ndërsa personi tjetër u dërgua në komisariat.

Zona u rrethua nga forca të shumta policie për më shumë se një orë, ndërsa të shtënat me armë zjarri kanë shkaktuar panik te qytetarët në zonën e "Don Boskos" për disa minuta.


[gallery]23332[/gallery]

Në të djathtë makina me të cilën po lëvizte autori, i cili tentoi të çante postbllokun e policisë

Policia jep detaje nga operacioni antidrogë në "Don Bosko"
Policia zhvilloi mbrëmjen e kaluar një operacion antidrogë në zonën e "Don Boskos" duke çuar deri në përdorimin e armëve të zjarrit ndaj trafikantëve. 

Operacioni i koduar "Përpjekje e dështuar" përfundoi me arrestimin e tre personave, një në kërkim, u sekuestruan 435.2 gramë lëndë narkotike e llojit kokainë si dhe valutë në euro e lekë.  

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë në rrugë operative, dispononte informacion se Blendi Peca, Arbër Murati dhe Ardit Murati, qarkullonin në qytet të armatosur dhe ushtronin aktivitetin e kundraligjshëm të shitjes në sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike të llojit kokainë në zonën e Don Boskos.

Më datë 01.08.2017, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka organizuar operacionin "Përpjekje e dështuar" për kapjen në flagrancë të këtyre shtetasve.

Shtetasi Blendi Peca është konstatuar nga shërbimet e policisë duke lëvizur me mjetin tip "Citroen", në zonën e Don Boskos". Shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të tij për të bërë ndalimin e mjetit. I është bërë shenja e ndalimit nga punonjësit e policisë të veshur me jelekun multifunksional me mbishkrimin "Policia", por mjeti nuk ka ndaluar, ka kryer manovra lëvizjeje të rrezikshme për jetën e punonjësve të policisë. Në këto kushte punonjësit e policisë kanë nxjerrë armën e brezit dhe kanë qëlluar në ajër duke dhënë përsëri urdhër ndalimi, por drejtuesi i mjetit nuk është bindur, ka vijuar tentativën për tu larguar. Punonjësit e policisë kanë shënjestruar dhe qëlluar gomat e mjetit dhe kur janë afruar kanë vënë re se është plagosur lehtë, drejtuesi i mjetit, shtetasi B.P, 27 vjeç, i cili u dërgua në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar në automjet, është gjetur një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit kokainë e cila rezultoi e peshës 385 gramë. Duke qenë në kushtet e flagrancës është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Arbër Murati, ku në dhomën e gjumit është gjetur një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit kokainë e peshës 50.2 gramë, 10 doza pluhuri të dyshuara të llojit kokainë, ngjyrë e bardhë, një dorezë metalike, një sasi vlere monetare në valutë prej 1210 euro dhe 18 000 lekë të reja, të cilat u sekuestruan. Për pasojë u arrestuan në kushtet e flagrancës shtetasit :

- Blendi Peca, 27 vjeç, banues në Tiranë.

- Ardit Murati, 24 vjeç, dhe Shehat Murati, 50 vjeç, banues në Tiranë ( at dhe bir).

U shpall në kërkim shtetasi :

- A. M., 22 vjeç, banues në Tiranë, i biri i Shehatit.

U sekuestruan në cilësinë e provës materiale :

- 435.2 gramë kokainë.

- 1210 euro dhe 18 000 lekë të reja.

- mjeti tip " Citroen".

- peshore elektronike.

- dorezë metalike.

Veprimet procduriale u monitoruan nga SHÇBA dhe Prokurori i gatshëm.

U referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësorë Tiranë në ngarkim të shtetasve B.P., A.M., dhe Sh.M.,për veprat penale " Kundërshtimi i punonjësit të policisë", "Mosbindje e urdhërit të punonjësit të policisë", "Përdorim dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta" parashikuar nga nenet 283/2, 242, 236 dhe 279 të Kodit penal, ndërsa për shtetasin A.M., për veprën penale "Prodhim dhe shitje narkotikëve e kryer në bashkëpunim", neni 283/2 i Kodit Penal.


Redaksia Online
Er.K/dy.b/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Interi propozon shkëmbimin e Kristjan Asllanit me talentin e Serie A

Interi propozon shkëmbimin e Kristjan Asllanit me talentin e Serie A