TIRANË- Një biznesmen 40 vjeçar nga Mirdita ka mbetur dje i plagosur në Tiranë si pasojë e një konflikti. Burime nga Policia e Tiranës bënë me dije se i plagosur ka mbetur Gëzim Marku dhe para disa kohësh ishte kthyer nga Spanja. Ndërkohë, lidhur me këtë ngjarje, të njëjta burime thanë se hetimet janë të përqëndruara në dy pista, atë të trafikut të drogës dhe të prostitucionit.

Ngjarja
Mëngjesin e djeshëm, rreth orës 10:00 minuta, në zonën e njohur si “Komuna e Parisit” në Tiranë, 40-vjeçari nga Mirdita, Gëzim Marku është rrahur nga 4 persona teksa ishte duke ecuar në anë të rrugës. Agresorët kanë zbritur nga një mjet dhe e kanë goditur me sende të forta dhe shkopa bejzbolli duke i shkaktuar edhe plagë në kokë. Menjëherë pas kësaj, 4 agresorët janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia ka sekuestruar edhe disa pamje filmike të disa lokaleve për të identifikuar dhe vënë në pranga autorët.

Pistat e policisë
Burime nga policia thanë se në sajë të veprimeve të para hetimore dyshohet se shkak i kësaj ngjarjeje ka të bëjë me trafikun e drogës ose atë të prostitucionit në Spanjë. Ndërsa policia po vijon hetimet pët zbardhjen e plotë të kësj ngjarjeje.

Dëshmitë
Menjëherë pasi efektivët e policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes morën në pyetje disa dëshmitarë okularë, të cilët kishin qenë duke kaluar aty pranë. Një nga dëshmitarët është shprehur se agresorët kanë qenë të pamaskuar në momentin që kanë dalë nga një makinë me mjete të forta në dorë.

Ndërsa një tjetër dëshmitar tha se 40 vjeçari ka qenë duke ecur në trotuar kur 4 persona ende të pa identifikuar nga policia kanë zbritur nga një makinë e më pas kanë ushtruar dhunë ndaj tij. Dëshmitarët shprehen se njëri prej autorëve ka pasur në duar dhe një pistoletë. Pas këtij akti ata janë larguar në drejtim të paditur, ndërsa Marku është dërguar në spitalin e Traumës ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Redaksia online
(S,M/shqiptarja.com)