TIRANE - Një automjet tip “Mercedez benz” me targa Tr 9524 G, në pronësi të shtetasit Bashkim Toska është djegur plotësisht mesditën e sotme në kryeqytet.

Ngjarja është shënuar në lagjen e Tufinës në zonën e quajtur si “Kafja e Rremës”, ku shërbimi zjarrfikës ka ndërhyrë për vënien në kontroll të flakëve.

Fatmirësisht nuk ka patur të lënduar në njerëz, ndërsa grupi hetimor dhe uniformat blu të komisariatit numër 4 të mbërritura në vendngjarje kanë marë kontakt me pronarin e automjetit.

Flakët kanë djegur tërësisht makinën duke shkaktuar një dëm material, ndërsa nga hetimet paraprake ka rezultuar se shkak i zjarrit ka qenë një defekt teknik, por nuk përjashtohet pista e një zjarrvënie të qëllimshme.

ZJARR NE SHKOLLEN “SABAUDIN GABRANI”
Ndërkohë që po në Tiranë mesditën e sotme një zjarr ka rënë në shkollën 9-vjeçare "Sabaudin Gabrani".

Zjarri ka rënë në një klasë në katin e 3-të, por fatmirësisht nuk ka pasur nxënës brenda.

Dyshohet se shkak i zjarrit është bërë një shkëndijë elektrikë që është shkaktuar nga një furnelë ngrohjeje që ishte harruar ndezur.

Forcat e zjarrfikësve në vendngjarje kanë shuar flakët, që shkaktuan vetëm dëme të vogla materiale.

SHKRUMBOHET NJE MOBILERI NE KRYEQYTET
Një dyqan mobilierie në Tiranë është shkrumbuar plotësisht në orët e pasdites së sotme. Ngjarja ka ndodhur në bodrumin e një pallati në rrugën “Irfan Tomini”, ku ndodhej mobilieria.

Dyshohet se shkak i zjarrit të ketë qenë një shkëndijë elektrike, si pasojë luhatjeve të tensionit.

Sipas gazetarit të televizionit A1Report, në vendngjarje mbërritën tre automjete zjarrfikëse, të cilat bënë të mundur lokalizimin e flakëve dhe shuarjen e tyre duke shmangur përhapjen në apartamentet pranë mobilierisë.

Si pasojë e flakëve ka pasur dëme të shumta materiale por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.

*Lajmi u publikua fillimisht në orën 17:00 dhe u përditësua në 20:50

Redaksia online

(e.ç/Gre.M/Shqiptarja.com)